in

Kuvendi Civil: “Shqiptarë, mos pranoni plehrat e Italisë”

Pas letrës së hapur drejtuar Presidentit, të cilit i bëhej apel të mos firmosë vendimin që i hap rrugën importit të plehrave italiane, Kuvendi Civil u bën apel të gjithë shqiptarëve, që të reagojnë kundër këtij vendimi

Letra e Kuvendit Civil* për qytetarët shqiptarë:

I dashur qytetar që merr këtë letër. Po të drejtohemi ndërmjet këtij shkrimi për t’ju vënë në dijeni për miratimin (me vetëm 69 vota) e ligjit me tematikë: “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” nga të ashtuquajturit përfaqësuesit tanë. Çfarë është ky ligj? Cila është kjo çështje? Dhe pse ne jemi kundra këtij ligji? Dhe përse kërkojmë që ju të na bashkoheni në rrugën tonë?

Gjithçka ka filluar në vitin 2004, nën drejtimin e kryeministrit të asaj kohe, Fatos Nano, kur u miratua një marrëveshje me kompaninë italiane “Albania beg”, për vendosjen e një impianti plehrash në Tiranë, dhe u lejua importimi i plehrave nga Italia në Shqipëri. Një marrëveshje që shkaktoi shumë reagime dhe protesta para kryeministrisë.

Marrëveshja parashikonte importimin e së paku 4.500 ton plehrave nga Roma për në Sharrë të Tiranës dhe marrëveshja në atë kohë u firmos nga tre ministra të qeverisë shqiptare. Z Berisha në atë kohë në opozitë, ishte kundër kësaj marrëveshjeje të cilësuar anti-shqiptare për Importin e plehrave.
Marrëveshja u la pezull, për t’u konkretizuar tashmë në 2010 me një vendim të qeverisë Berisha, që në në 2004-ën e kundërshtoi. Mbas reagimeve të shumta të shoqërisë civile dhe grupeve të ndryshme të interesit, qeveria përsëri nuk e vuri në zbatim këtë VKM – ANTISHQIPTARE , dhe ja ku vijmë në 22 Shtator 2011, kur parlamenti vetëm me 69 vota, votoi miratimin e këtij ligji Antikombëtar. Tashmë pas miratimit të këtij ligji, të gjithë plehrave të botës u është hapur dera dhe këta politikanë plehra që ne kemi në krye duan që Shqipërinë ta kthejnë në destinacionin e radhës, jo për turizëm, por në një kosh të madh plehrash për mbarë botën.

Ne duhet t’i themi JO importit të plehrave për disa arsye të thjeshta:

1. Helmet nga përpunimi i plehrave (plastike, letër, plumbi etj..) helmojnë ujërat nëntokësore e për rrjedhojë edhe ujin e pijshëm.
2. Nga uji dhe ajri i ndotur ndotet i gjithë zinxhiri ushqimor me pasoja të paparashikueshme për çdo gjallesë, përfshirë njerëzit.
3. Dioksina që prodhon djegia e plehrave prodhon kancer.
4. Shqipëria nga vend i shqiponjave, do të quhet vendi i plehrave apo vend-haleja.
5. Në Itali eksportuesit e plehrave kanë filluar e thonë: “Do shkoj të dhjes në Shqipëri!”

Qytetar,
Ti mund ta ndalosh importin e plehrave! Beje për vete, bëje për njerëzit e tu të dashur!

*Kuvendi Civil është lëvizje rinore që ka për objektiv ndërtimin e një Shqipërie të zhvilluar ku të zbatohet tek ligji dhe kushtetuta, ku të veprojë forca e mendimit dhe e së drejtë, ku të ketë zhvillim ekonomik, politik, social e kulturor. “Ne do të mbrojmë dinjitetin kombëtar dhe do të kontribuojmë në krijimin apo forcimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ne do të ndërtojmë politika të reja të cilat janë për mbrojtjen e interesit kombëtar e qytetar, nuk do të lejojmë shkatërrimin e Shqipërisë, do të kontribuojmë në rinovimin e politikës së vjetër me anë të teorisë tonë të veçantë, do të zhvillojmë forcën e ideologjinë “Civiliste” dhe do të fuqizojmë jetën sociale në vend” lexohet në faqet on-line që prezantojnë Kuvendin Civil.

Lexo edhe: Referendum apo opozitë plehrash?

Ndalet në aeroport të Riminit një shqiptar me pasaportë greke të falsifikuar

Për KE-në, progresi i Shqipërisë është i pamjaftueshëm