in

Legalizime të rreme, 20 arrestime në Romë

Organizatore e bandës kriminale që duke u premtuar emigrantëve fitimin e lejeqëndrimit me sanatoren e shtatorit 2009 ka fituar rreth 4 milionë euro, përgjegjësja e një qendre të asistencës fiskale. Pas hekurave, bashkë me të edhe një mjek dhe një konsulent pune

Vazhdojnë të dalin në dritë mashtrimet e legalizimit të shtatorit të vitit të shkuar, kontrata të rreme të shitura shtrenjtë emigrantëve në kërkim të dëshpëruar të një lejeje qëndrimi.

Kështu, edhe në Romë, shfrytëzonin procedurën e legalizimit të punës së parregullt pranë familjeve, të ashtuquajturën “sanatore të bashkëpunëtoreve familjare”, për t’u siguruar një leje qëndrimi emigrantëve që nuk plotësonin kriteret. Ishte kjo metoda e ndjekur nga një organizatë kriminale e zbuluar nga karabinierët e Romës që kanë arrestuar 22 persona, italianë dhe të huaj, në kryeqytet dhe provincë.
U janë vënë hekurat, mes të tjerëve, edhe një mjeku, drejtueses së një agjencie shërbimesh për ndjekjen e praktikave burokratike, dhe një konsulenti pune. Organizatore dhe promotore e organizatës kriminale ishte përgjegjësja e një qendre për asistencë fiskale, Caf.

Gjithsej janë 22 urdhrat e arrestimit (13 për paraburgim, 5 për arrestim shtëpiak dhe 4 me detyrimin e paraqitjes në kazermë) të lëshuara ndaj italianëve dhe të huajve, të notifikuara nga karabinierët në Romë dhe në provincë, që u shtohen tre të tjerave të lëshuara gjatë hetimeve për operacionin të quajtur “Toka e premtuar”.

Mbi të gjithë rëndon akuza e krijimit të shoqatës kriminale me qëllim favorizimin e emigracionit klandestin, prodhimin e dokumenteve të rreme, mashtrimin në dëm të shtetit dhe falsifikimin e dokumenteve të nevojshme për legalizimin e qytetarëve të huaj jokomunitarë të punësuar pranë familjeve (colf e badanti).

Karabinierët e Romës kanë verifikuar që kundrejt një kompensi që shkonte nga 5 mijë deri në 7 mijë euro, organizata ka paraqitur rreth një mijë kërkesa (nga të cilat 200 janë deklaruar të falsifikuara, për të tjera vazhdojnë kontrollet) legalizimi të punës së parregullt, thuajse të gjitha për shtetas egjiptianë dhe kinezë, të justifikuara nga marrëdhënie pune të paekzistueshme dhe duke përdorur dokumentacion të rremë. Deri në këtë çast, xhiroja e “biznesit” të organizatës mendohet të ketë kapërcyer katër milionë eurot.

Si të hysh në Itali pas një dëbimi

Vdekjet në punë: Jeta e shqiptarit vlen më pak se ajo e një italiani