Vazhdojnë bllokimet e kompjuterëve në sportelet e Komunave dhe patronateve. “Situata nuk ka qenë kurrë më parë kaq e rëndë!”
Sërish radhë e probleme në sportelet e Komunave dhe të patronateve që ndihmojnë falas shtetasit e huaj për të përpiluar kërkesat e ripërtëritjes së dokumenteve të qëndrimit. Sistemi informatik Postave italiane që përdoret për të mbushur modulet vazhdon të bllokohet.
Problemi nuk është i ri. Edhe më parë ka krijuar probleme dhe është dashur ndërhyrja e teknikëve, por zakonisht gjithçka kthehej në normë brenda dy-tre ditëve. Së fundmi, veçanërisht nga fundi i verës, bllokimet janë shtuar e nuk po gjendet një rrugëdalje.
“Operatorët nisin të përpilojnë kërkesat, por pa mbaruar punë me një praktikë, sistemi bllokohet dhe duhet të nisin gjithçka nga e para. Që kur kemi nisur me praktikat e ripërtëritjeve të lejeve të qëndrimit, gjendja nuk ka qenë ndonjëherë kaq problematike sa tani” konfirmon Andrea Maurenzi ngaAncitel, shoqëria që koordinon teknikisht sportelet e Komunave dhe që tashmë prej javësh përpiqet pa rezultat t’u kërkojë një zgjidhje Postave italiane.
Ancitel ka përgatitur edhe një studim për të informuar Ministrinë e Brendshme mbi keqfunksionimet dhe problemet që u krijohen përdoruesve të sistemit. Ndërkaq në sportele, ku mesazhet e gabimit dhe bllokimet ndjekin njëri-tjetrin, koha e pritjes e radhët zgjaten, dhe takimet e marra shtyhen.
“Ata që e pësojnë mbi lëkurën e tyre janë punonjësit e huajpër të cilët zgjatet koha e pritjes për lëshimin e ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit. Pikërisht për keqfunksionimin e sistemit informatik rrezikojnë të mos paraqesin kërkesën brenda afatit të përcaktuar nga ligji” denoncon Morena Piccinini, kryetare e patronatit Inca Cgil.
Operatorët a nuk mund të përpilojnë kërkesat me dorë? “Tashmë janë të shumtë ata që e bëjnë një gjë të tillë, por kështu nevojitet një udhëtim më shumë dhe kohë më e gjatë” sqaron Maurenzi. Sportelet nuk kanë modulet në letër (kanë vetëm versionin on-line) për ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit, kështu që të huajt duhet të shkojnë e t’i tërheqin personalisht pranë zyrave postare, e pastaj të kthehen sërish në Komunë apo në patronat për t’i përpiluar, e të kthehen sërish në zyrat e postës për t’i nisur. Me një fjalë, një sorollatje e gjatë vetëm për të dorëzuar kërkesën për lejen e qëndrimit. Kësaj i duhet shtuar edhe koha e gjatë e pritjes deri sa i huaji të marrë në dorë dokumentin”.
Elvio Pasca