Manifestimet e Këshillit Organizativ për 100-vjetorin e Ditës së Flamurit do të fillojnë më 17 janar 2012 kur do të vihen themelet e sheshit ”Skënderbeu” në Shkup
Tiranë, 28 dhjetor 2011 – Me iniciativë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe nën patronazhin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u krijua sot Këshilli Organizativ për 100-vjetorin e Ditës së Flamurit.
Për formimin e këtij këshilli, që do të koordinojë aktivitetet me këshillat organizativë në Tiranë dhe në Prishtinë, ishte rënë dakord që më 9 nëntor, gjatë takimit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, që u mbajt në Shkup.
Kryetar i Këshillit Organizativ sot u emërua zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, i angazhuar për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi, ndërsa Koordinator i Këshillit u emërua Artan Grubi.
Këshilli Organizativ përbëhet nga drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglindore, Instituti Albanologjik, Muzeu i Alfabetit, Muzeu i Lirisë, Lëvizja ZGJOHU!, Qendra Kulturore Informative, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, Shoqata e Historianëve Shqiptarë, Katedra e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Shkupit dhe intelektualë shqiptarë.
Ky këshill do të zgjerohet edhe me drejtuesit e komunave, organizatave joqeveritare si dhe institucione të tjera të cilat do të japin kontribut të drejtpërdrejtë në shënimin madhështor të vitit të shqiptarëve.
Manifestimet e Këshillit Organizativ për 100-vjetorin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë do të fillojnë më 17 janar 2012 kur do të vihen themelet e sheshit “Skënderbeu” në Shkup që përkon me përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të atdhetarëve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Këshilli Organizativ do të organizojë manifestime kombëtare gjatë gjithë vitit 2012.