in

Maroni: “Ne legistët, racistë sepse na leverdis”

Ish ministri i Brendshëm rrëfehet: “E kemi tepruar disi, por kjo sjellje na garantonte vota”. PD: “E kotë që provojnë të ndërrojnë lëkurë”, IdV: “Lega hedh baltë mbi institucionet”

Romë, 14 mars 2012 – Racizmi të leverdis, të jep vota. Këtë pohon pak a shumë ish ministri i Brendshëm legist.

Roberto Maroni dje ishte në Varese për t’u mbajtur një leksion mbi komunikimin politik studentëve të Universitetit Insubria. Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi batutat e Borghezios e të kolegëve të tjerë të tij, ka thënë se Lega, në fillim perceptohej një lëvizje “ksenofobe dhe raciste”, “kundër meridionalëve dhe më pas kundër të huajve”.

Është një “mesazh që nuk më pëlqen” ka parashtruar Maroni para studentëve, por në fund i ka thënë të gjitha. Dhe me një marrje distance tejet të vonuar dhe thuajse të pamundur ka pranuar: “E kemi tepruar pak, kur kuptuam që një qëndrim i tillë garantonte vota”.

Rrëfimi i shpenguar i Maronit i asaj që të gjithë e dinin prej kohësh, bën përshtypje. Edhe pse ish titullari i Viminales padyshim e di mirë që racizmi është krim, ndaj të pohosh “po, është e vërtetë, kemi qenë pak racistë” është si të thuash “po është e vërtetë, kemi vjedhur ca”. A ka një kufi edhe realpolitik apo për të fituar zgjedhjet çdo mjet justifikohet?

“Pranimi i përfitimit të votave me racizmin dhe ksenofobinë është diçka shumë e rëndë, veçanërisht kur një gjë të tillë e thotë një ish ministër i Brendshëm përpara studentëve. Roberto Maroni ka pranuar me vetëdije dhe vullnetarisht linjën politike të Legës, linjë që tradhëton Kushtetutën e hedh baltë mbi institucionet” komenton kryetari i grupit të deputetëve të IdV-së, Fabio Evangelisti.

Sipas deputetit PD, Ettore Rosato, “është krejtësisht e kotë që të provojnë të ndërrojnë lëkurë: Lega ka qenë e mbetet raciste e ksenofobe. E tregojnë këtë fjalët, sharjet dhe aktet e eksponentëve të saj. Maroni thotë që kështu fitonin vota. Është rasti klasik kur arna është më keq se vrima”.

EP

Elbasani në festë për Ditën e Verës

Referendum kundër importit të plehrave. 60 mijë firma në KQZ