Kur gjithkush i kish humbur tashmë shpresat për hapjen e ndonjë shtegu për ardhjen në Itali për punë, Qeveria Draghi ka miratuar një dekret fluksesh në një nga mbledhjet e saj të fundit për këtë vit. Vonë, shumë vonë për këtë vit (në rastin më të mirë, kërkesat e para do të mund të nisen nga janari 2022), por lajmi i mirë është që, ndryshe nga vitet e shkuara, dekreti i këtij viti do t’u hapë dyert e Italisë thuajse 70 mijë punonjësve, prej të cilëve rreth 28 mijë për punë të varur jo sezonale. E ashtu si prej shumë vitesh tashmë, nga këto flukse mund të përfitojnë qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia.
Dekreti i miratuar pritet të shpallet në Gazetën Zyrtare e kërkesat mund të paraqiten nga dhjetë ditë pas botimit deri në dy muaj nga ajo datë.
Çfarë parashikon në hollësi dekreti i flukseve
Për vitin 2022 dekreti i sapomiratuar vë në dispozicion 69.700 kuota për të huaj që dëshirojnë të vijnë në Itali për punë e për konvertime lejeqëndrimesh të ndryshme: 27.700 janë për punonjës jo sezonalë dhe 42.000 për punonjës sezonalë.
Dekreti i flukseve i vitit 2020 nuk parashikonte as gjysmën e këtyre kuotave (ai vinte në dispozicion vetëm 30.850).
Kuotat e hyrjeve për punë jo sezonale
Nga 27.700 kuotat për punë të varur jo sezonale e autonome, në sektorët e autotransportit të mallrave, të ndërtimit dhe turizmit (hotele dhe restorante)
– 20.000 kuota rezervohen për punësime për qytetarë vendesh që kanë nënshkruar apo po nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për migrimin e ligjshëm:
- 17 mijë rezervohen për punonjës që janë shtetas të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Algjerisë, Bangladeshit, Koresë, Bregut të Fildishtë, Egjiptit, El Salvadorit, Etiopisë, Filipineve, Gambias, Ganësa, Japonisë, Indisë, Malit, Marokut, Mauritiusit, Moldovës, Nigerit, Nigerisë, Pakistanit, Senegalit, Sri Lankës, Sudanit, Tunizisë dhe Ukrainës.
- 3 mijë të tjerat mbeten në dispozicion për qytetarë të vendeve me të cilat do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mbi migrimin gjatë vitit.
– 100 kuota janë për punonjës të huaj josezonalë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të tekstit unik për imigracionin;
– 100 kuota hyrjeje rezervohen për punonjës me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Venezuelë;
– 500 kuota për punonjës të pavarur: sipërmarrës që duan të ngrenë në Itali një sipërmarrje Start-up apo të hapin një aktivitet privat duke investuar jo më pak se 500.000 € e që parashikon hapjen e të paktën 3 vendeve të reja pune, për profesionistë të pavarur, administratorë shoqërish, artistë të famshëm.
Konvertimet
Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:
– 4.400 lejeqëndrimeve për punë sezonale;
– 2.000 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 200 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane;
Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur i:
– 370 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 30 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.
Kuotat e hyrjeve për punë sezonale
Dekreti parashikon 42.000 kuota për punonjës sezonalë për sektorin bujqësor dhe turistik.
Edhe këto kuota janë për punonjësit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Algjeria, Bosnja-Herzegovina, Bengali, Korea, Bregu i Fildishtë, Egjipti, El Salvadori, Etiopia, Filipinet, Gambia, Gana, Japonia, India, Mali, Maroku, Mauricius, Moldova, Nigeri, Nigeria, Pakistani, Salvadori Senegali, Sri Lanka, Sudani, Tunizia, Ukraina.
14.000 prej këtyre kuotave, vetëm për sektorin e bujqësisë, të mund të kërkohen në emër të punëdhënësve nga organizatat profesionale të kategorisë: Cia, Coldiretti, Confagricoltura, Copagri, Alleanza delle cooperative (përfshin Lega cooperative dhe Confcooperative).
Së fundi, 1.000 nga 42 mijë kuotat u rezervohen autorizimeve shumëvjeçare, me fjalë të tjera, punonjësve që janë thirrur për të bërë punë sezonale në Itali, të paktën njëherë në pesë vjetët e fundit dhe për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare. Kjo do t’u lejojë ndërmarrjeve t’i sjellin në Itali vitet e ardhshme sapo të kenë nevojë për ta, pa pritur një dekret fluksesh.
Paraqitja e kërkesave
Për ndarjen e kuotave sipas krahinave, për udhëzimet rreth paraqitjeve të kërkesave pritet të dalin qarkoret e ministrisë së Punës dhe të asaj të Brendshme. Pritet gjithashtu edhe shpallja e dekretit në Gazetën zyrtare e nga ajo datë do të dimë se kur do të paraqiten kërkesat. Dekreti vetë parashikon që:
–për punonjësit josezonalë, të pavarurit dhe konvertimet kërkesat do të mund të nisen nga ora 9:00 e ditës së dhjetë pas datës së botimit;
– për punonjësit sezonalë, nga ora 9:00 e ditës së pesëmbëdhjetë pas datës së botimit.
Një risi e këtij dekreti është çka thuhët në pikën 2. të nenit 7: “Pranohen kërkesat e paraqitura brenda dy muajve nga data e botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare”. Vitet e shkuara kërkesat, gjithnjë nëse kishte akoma kuota në dispozicion, mund të niseshin deri më 31 dhjetor të vitit.
Teksti i dekretit të flukseve 2021/2022: