in

Mbi 40 mijë organizata në listë për “5 për 1000”. Mes tyre edhe shqiptare

Botohet lista paraprake e shoqatave që mund të zgjidhen nga taksapaguesit. Mes tyre edhe Aquila Albanese e Trentos,  Vatra Arbëreshe e Chierit, Integra ONLUS e Lecces e ndonjë tjetër

Romë, 15 maj 2014 – Edhe këtë vit të gjithë taksapaguesit mund të zgjedhin që t’u japin 5 për 1000 të taksave të tyre shoqatave pa qëllim fitimi, që ndërkohë janë rregjistruar pranë Agjencisë së Tatim taksave.

Janë 40.474 shoqatat e fondacionet që këtë vit do të kërkojnë të vësh kodin e tyre fiskal në formularin e deklarimit të të ardhurave. Shoqatat janë nga më të ndryshmet, në të katër anët e Italisë, të mëdha e të vogla,  kush më shumë e kush më pak të njohura në nivel kombëtar apo vendor, shumë prej tyre merren edhe me imigracionin, e ndonjëra me Shqipërinë e shqiptarët në veçanti. 

Agjencia e Tatim taksave sapo ka botuar listën paraprake të enteve që këtë vit kanë kërkuar të regjistrohen në listat e përfituesve të kontributit “5 për mijë”. Listën mund ta gjeni on line të ndarë në dy pjesë, njëra nga germa A në germën C dhe tjetra nga germa D në Z, por në brendësi të listës  mundësohet edhe kërkimi sipas emrit apo kodit fiskal apo krahinës ku ndodhet shoqata.

Tani përfaqësuesit ligjorë të shoqatave, brenda të martës së ardhshme (20 maj) do të mund të sinjalizojnë gabimet e mundshme dhe më 26 maj Agjencia e Tatim taksave do të japë listën përfundimtare.

Së fundi, brenda 30 qershorit, përfaqësuesit legalë të shoqatave duhet të konfirmojnë me një autocertifikatë që entet që përfaqësojnë përmbushin akoma kriteret për të përfituar 5 për 1000.

Nga një kontroll i shpejtë e sipërfaqësor i listës, vërejmë që mes përfituesve të mundshëm të kontributit 5 për 1000 ka edhe shoqata shqiptare apo italo-shqiptare, disa me veprimtari të larmishme e shumë të njohura në territor (gjë që vërehet lehtë edhe nga faqet e tyre internet) e të tjera pak apo aspak të njohura (duke i kërkuar online, ndonjë e gjen të përmendet vetëm pse përfshihet në këtë listë të Agjencisë së Tatim taksave, si për shembull Madre Teresa Italia-Albania Onlus me seli në qendër të Romës).

Për shembull, mund të zgjidhet t’i jepen 5 për 1000 të taksave shoqatës Integra ONLUS të Lecces (duke shënuar në hapësirën e posaçme të deklaratës së të ardhurave kodin e saj fiskal 93067750757), Vatrës Arbereshe të Chierit (kodi fiskal: 90018600016), shoqatës kulturore Teuta të Trentos (kodi fiskal: 96079810220),  shoqatës Agimi të Otrantos (kodi fiskal: 95143850105),  Aquila Albanese të Trentos (93016710225), ASSAL e Genovas  (95143850105), Madre Teresa Italia-Albania (97557720584), ACAS Skanderbeg e Spoletos (93017110540), Rilindja e Arezzos (92061680515). Këtë vit mungojnë shoqata si Scanderbeg e Parmës, me veprimtari disavjeçare e shumë të gjerë, apo Amicizia e Riminit, Skanderbeg e Fermos.

Ja disa nga shoqatat shqiptare në listën e atyre që mund t’u jepen 5 për 1000 e taksave (shtyp mbi foto për ta lexuar):

Në një tjetër dokument të botuar pak ditë më parë nga Agjencia e tatim taksave jepen të dhëna mbi shpërndarjen e kontributit 5 për 1000 të vitit 2012 dhe aty shihet që shifrat për të cilat flitet janë të konsiderueshme e arrijnë në miliona kur flitet për organizata të mëdha si Emergency (mbi 10 milionë) apo Medici senza frontiere (mbi 8 milionë) që renditen të parat për nga përfitimi nga 5 për 1000. Për shoqatat shqiptare apo italo-shqiptare përfitimi nga kontributi 5 për 1000 i taksapaguesve shkon nga pak mijëra euro deri në shifra të papërfillshme (pse jo, edhe në përpjestim me punën e përhapjen e tyre në territor). Kështu për shembull, për vitin 2012, Aquila Albanese të Trentos ka pasur pasur kontributin e 150 taksapaguesve për një shumë prej 2.368,09 euro, Agimi – Centro Albanese di terra d’Otranto duhet të përfitojë kontributin e 72 taksapaguesve për 1.825,37euro. Nga ana tjetër, Madre Teresa Italia-Albania është zgjedhur vetëm nga 2 taksapagues e ka mbledhur 19,50 euro.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Cittadinanza italiana. Dopo dieci mesi di stop, alla Camera riparte la riforma

Kosovarët që jetojnë jashtë mund të votojnë me postë