Shqipëria mbetet edhe sot një nga vendet e Europës me lindshmëri të lartë edhe pse ka rënë nga 2,6 fëmijë për grua në 1999-2002, në nivelin 1,6 fëmijë për një grua në vitet 2006-2008
Tiranë, 6 nëntor 2011 – Shqipëria mbetet ende ndër vendet e Europës me lindshmëri të konsideruar të lartë, megjithëse vitet e fundit ka një rënie të numrit të lindjeve, më e theksuar kjo në zonat urbane. Niveli total i lindshmërisë për vitet e fundit është 1,6 fëmijë për çdo grua, shifër kjo nën nivelin e zëvendësimit, bëhet e ditur nga Studimi Demografik dhe Shëndetësor. Për zonat rurale, ky tregues është më i lartë se ato urbane, përkatësisht 1,8 lindje dhe 1,3 lindje për grua. “Ky ndryshim urban-rural në normat e lindjes së fëmijës, mund t’i atribuohet pothuajse ekskluzivisht grupmoshave të reja”, theksojnë specialistët. Krahasimi i të dhënave midis Studimit Demografik dhe Shëndetësor me të Shëndetit Riprodhues të disa viteve më parë, tregon rënie nga 2,6 fëmijë për grua në 1999-2002, në nivelin 1,6 fëmijë për një grua në vitet 2006-2008.
Sociologët thonë se gjendja ekonomike dhe emigrimi mbeten ndër shkaqet kryesore të kësaj rënieje. Kështu, ndërsa Shqipëria e viteve të regjimit komunist shënonte normë të lartë të lindjeve, pas viteve ’90, me ndryshimin e sistemit dhe stilit të jetesës, nisi të ulet në mënyrë graduale. Shkaqet, sipas sociologëve në tërësi janë komplekse, pasi sjellja në jetë e një fëmijë është problem social, ekonomik, etj.
Ndër shkaqet e uljes së lindshmërisë, sociologët përmendin rritjen e moshës mesatare të martesës, rritjen e numrit të divorceve, emigrimin e lartë të popullsisë në moshë riprodhuese, ndikimin e faktorëve ekonomiko-social, arsimor-kulturor e shëndetësor, rritjen e ndjeshme në përdorimin e metodave të kontrollit të lindjeve, etj. Në syrin e sociologut, lindja e një fëmije shtyhet, pasi është rritur mosha e martesës. Çiftet parapëlqejnë të krijojnë një bazë ekonomike para se të ngrenë një familje të qëndrueshme. Shkak mjaft domethënës për uljen e lindjeve në vend është emigracioni, pasi emigron pjesa më prodhuese e popullatës.
Nga ana tjetër, familjet sot nuk duan të kenë numër të lartë fëmijësh. Të dhënat e studimit treguan se ndër gratë e martuara, 73% raportojnë se nuk duan një fëmijë të dytë ose janë sterilizuar, ndërsa vetëm 20% duan të kenë një fëmijë tjetër. Pjesa tjetër, 7% janë të pavendosur nëse do të bëjnë një fëmijë tjetër, ose thonë se nuk janë në gjendje të kenë një fëmijë tjetër.
Nga ana tjetër, në vend, sipas të dhënave zyrtare, ka një popullatë të moshuar në masën 12%, ndërsa pas vitit 2020 parashikohet që të arrijë në rreth 20% të popullsisë së përgjithshme.