in

Më thuaj ç’dokument ke, të të them se deri ku mund të shkosh me pushime

Ndryshe nga italianët, kur programojnë ku të kalojnë pushimet, emigrantët në Itali nuk duhet të shohin vetëm ku u pëlqen të shkojnë dhe sa ditë plazh, në mal apo pranë familjes mund t’i lejojnë vetes në bazë të parave që kanë në xhep, por mbi të gjitha të kontrollojnë situatën e lejes së qëndrimit, dhe në bazë të saj të vendosin sa larg mund të shkojnë.

Kush ka lejeqëndrimin të vlefshëm mund të shkojë ku të dojë (nëpër Itali, të kthehet në atdhe, apo në ndonjë vend tjetër), mjaft të marrë më vete lejen e qëndrimit dhe pasaportën. Mund të shkohet për turizëm pa qenë nevoja për vizë në të gjitha vendet e zonës Shengen: Belgjika, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja, Austria, Greqia, Danimarka, Finlanda, Suedia, Islanda, Norvegjia, Sllovenia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeka, Sllovakia, Hungaria, Malta, Zvicra. Ndërsa nëse zgjidhet një vend që nuk është në zonën Shengen, duhet verifikuar nëse në bazë të marrëveshjeve me vendlindjen është apo jo e nevojshme të merret vizë. Kështu shqiptarët me lejeqëndrim të vlefshëm mund të shkojnë pa vizë në Turqi, apo Kroaci, për shembull, e të kthehen pa probleme në Itali.

Ndërsa ndryshe (por tashmë jemi mësuar) qëndron puna për ata që janë në pritje të përtëritjes së lejes së qëndrimit: ai mund të shkojë në atdhe por udhëtimi vajtje-ardhje nuk duhet të parashikojë ndalesa apo kalime përmes një shteti tjetër të zonës Shengen. Duhet t ë marrë me vete pasaportën, lejen e skaduar të qëndrimit dhe kuponin e përtëritjes që duhet t’i tregojë policisë së kufirit. Prej disa kohësh është hequr kufizimi i kalimit të kufirit italian në të njëjtën pikë në dalje dhe në hyrje duke u lejuar kështu të huajve të gjejnë mënyrën më të leverdishme për ta qoftë në vajtje e qoftë në kthim.

Një risi tjetër e rëndësishme e kohëve të fundit është ajo që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes edhe të atyre që janë në pritje të lejes së parë të qëndrimit për motive pune apo bashkimi familjar: të gjithë ata që kanë ende të vlefshme vizën afatgjatë Shengen, pra mbi tre muaj, si ato që u lëshohen shtetasve të huaj që vijnë në Itali me dekretet e flukseve apo për bashkim familjar, mund të lëvizin edhe në zonën Shengen. Por nëse viza e hyrjes u ka skaduar dhe ende nuk janë pajisur me lejeqëndrimi, ata mund të udhëtojnë vetëm për në atdhe pa bërë ndalesa në vende të zonës Shengen. Sidoqoftë, duhet të kenë me vete përveç kuponit postar që dëshmon paraqitjen e kërkesës së lejeqëndrimit pasaportën me vizën e lëshuar nga konsullata që specifikon motivin e qëndrimit në Itali.

Ndërsa bashkëpunëtoret shtëpiake që presin të legalizohen duhet të kalojnë verën në Itali, sepse kuponi i tyre i kërkesës nuk është dokument i vlefshëm për të kaluar kufirin. As pasi të kenë nënshkruar kontratën e të kenë paraqitur kërkesën për lejen e qëndrimit nuk do të mund të nisen me pushime.

 

Grimca vere me vuvuzelë

Arratisje me helikopter