in

Merkel-Barroso: Të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të Ballkanit në BE

Barroso: “Duam t’i shohim vendet e Ballkanit Perëndimor së fundmi, të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”
Merkel: “Ne mendojmë ta shtyjmë më tej procesin e integrimit, por kjo varet kryesisht nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor”

Në Konferencën e Berlinit të mbajtur më 28 gusht, ku morën pjesë kryeministrat, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Ekonomisë së tetë vendeve nga Ballkani perëndimor (Shqipëri, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Serbia), qeveria gjermane dhe Komisioni Evropian u premtuan vendeve të Ballkanit një perspektivë të qartë anëtarësimi. Si kancelarja Angela Merkel ashtu edhe Presidentin e Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, theksuan në Berlin interesin e BE-së për anëtarësimin e këtyre vendeve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Evropian, José Manuel Barroso dhe me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, si përfaqësues i të gjithë krerëve të shteteve të Ballkanit që merrnin pjesë në Konferencë, Merkel që mori fjalën e para si e zonja e shtëpisë theksoi fillimisht se “100 vjet pas nisjes së Luftës së Parë Botërore, jemi në një situatë të re, ku në Ballkan të mos ketë më konflikte ushtarake. Prandaj, ne sot kemi pritur 8 kryeministrat, ministrat e ekonomisë dhe ministrat e jashtëm të të vendeve pjesëmarrëse, të cilët kanë qenë  mysafirë të Gjermanisë”.

“Sot mund të themi që në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur zhvillime të shumta. Ka një gatishmëri për t’u integruar në BE, çka e konfirmon edhe pjesëmarrja e Presidentit të Komisionit Europian”. Konferenca, sipas kancelares, “nuk është një ngjarje e ditës sot për sot, por do të ketë një vazhdimësi, do të ketë një proces pune, e padyshim në këtë proces ka shumë për të bërë”. Mes problemeve që duhen zgjidhur ajo nënvizon “ato mes Serbisë dhe Kosovës, ku duhet thënë se kohët e fundit janë bërë përparime të dukshme, por edhe në Bosnje Hercegovinë, edhe këto vende në të ardhmen mendoj se do të ecin akoma më tej”.

Lidhur me çështje të bashkëpunimit rajonal, Merkel ka përmendur disa elementë, “siç janë ato të infrastrukturës, të transportit, në mënyrë që njerëzit të komunikojnë me njeri-tjetrin, në mënyrë që njerëzit të bashkëpunojnë në rajon me njeri-tjetrin. Kemi një ide për të ngritur një rrjet të rinisë, ku të bashkëpunojë rinia”.

“Kemi folur dhe e kemi bërë të qartë se ne dëshirojmë që procesi i integrimit të ecë më shpejt, që këto vende të integrohen. Kroacia dhe Sllovenia janë anëtare të BE. Vendet të tjera kanë bërë përparime, disa kanë marrë statusin e vendit kandidat. Ne mendojmë ta nisim dhe ta shtyjmë më tej këtë proces, por kjo është në dorën e vendeve përkatëse. Unë kam dëgjuar nga zoti Barroso që KE është i gatshëm të ndihmojë. Komisioneri i energjisë Öettinger ka folur me ministrat e ekonomisë dhe ka ofruar gatishmërinë  tij. Po ashtu edhe Komisioneri Fyle” k mbyllur fjalën e saj kancelarja.

“Duam t’i shohim vendet e Ballkanit Perëndimor së fundmi, të jenë anëtarë të Bashkimit Europian. Ky është synimi ynë i jashtëzakonshëm politik, ekonomik e gjeostrategjik, është udha e duhur për të mbrojtur prosperitetin e të gjithë qytetarëve të BE-së, të mbrojmë gjithashtu, stabilitetin e Bashkimit Europian” u shpreh edhe presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.

“Anëtarësimi i mëtejshëm do të varet nga shpejtësia e reformave të këtyre vendeve. Së fundi, unë isha i pranishëm edhe në Shqipëri dhe e kam parë drejtpërdrejt në vend sesa të rëndësishme janë aspiratat europiane për ata qytetarë. Unë besoj se një proces i administruar me kujdes dhe i ngritur mbi kërkesa të forta e qarta anëtarësimi, dialog të afërt e mbështetje, është ai proces që mund të sigurojë që partnerët e miqtë tanë do të bëjnë atë çka është  e nevojshme për t’u  përgatitur për anëtarësim në BE” ka shtuar Barroso.

Së fundi ka deklaruar se “BE-ja do të luajë rolin e vet udhëheqës nëpërmjet ndihmës së vet dhe të mbështetjes nëpërmjet instrumentit të paraanëtarësimit, me një shumë prej 12 miliardë euro, parashikuar për periudhën 2014-2020. Këto nuk janë vetëm qëllime të mira, është diçka më tepër sesa thjesht një qëllim i mirë.  Të paktën 20% e këtij financimi do të shkojë për projekte rajonale, por, më thelbësisht, vetëm fakti që ne i kemi mbajtur angazhimet tona financiare në nivele të larta, edhe në kohë të një krize financiare në Europë, është një dëshmi e mirë e përkushtimit të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare, për këtë rajon”.

Kryeministri Rama foli për katër fusha kryesoreku do të përqendrohen nisma të përbashkëta në shkallë të gjerë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor:projektet e infrastrukturës; sigurimi i energjisë; mbështetje për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, financimin dhe edukimin e kapitalit njerëzor; projektet turistike rajonale. Sepse “duke punuar mbi këto nisma, ne do të përmirësojmë gjendjen e ekonomive tona dhe do të bëhemi më konkurrues e më të gatshëm për t’u bërë anëtarë produktivë të BE-së. – është shprehur Rama – Këto nisma do të jetë me dobi të ndërsjellë dhe unë jam entuziast që kemi ndërmarrë hapat e parë në këtë rrugë bashkëpunimi të madh ekonomik, edhe pse të vetëdijshëm se puna e vështirë për ta bërë realitet fillon tani”.

(Përmbajtjen e diskutimeve në konferencën e përbashkët për shtyp e gjeni këtu)

Lexo edhe:
Konferenca e Berlinit. Vendet ballkanike premtojnë bashkëpunim në rrugën drejt Evropës
Merkel u tërheq veshin krerëve të Ballkanit: Qytetarët tuaj të mërzitur nga korrupsioni

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Konferenca e Berlinit. Vendet ballkanike premtojnë bashkëpunim në rrugën drejt Evropës

Pasaportat biometrike. Hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit të toponimive