in

Merr të birin pa dijeninë e të shoqes dhe zhduket: dënohet në mungesë

Gjykata dënon në mungesë Edmond T., 48 vjeç, me 18 muaj burg për grabitjen e të miturit. Në maj 2011, 48-vjeçari, është zhdukur nga Binasco e Milanos bashkë me të birin 9 vjeç që ka marrë me vete pa lejen e të shoqes nga e cila po ndahej. Gruaja, që vazhdon të jetojë në Binasco, pret e dëshpëruar që drejtësia t’i mundësojë kthimin e djalit

Romë, 13 dhjetor 2012 – Është dënuar me 18 muaj burg dhe 3 vjet heqje të të drejtës prindërore Edmond T., i cili që në maj të vitit të shkuar është zhdukur nga Binasco e provincës së Milanos bashkë me të birin që ka marrë me vete pa i thënë gjë të shoqes, që sot me të drejtë nuk i mjafton vendimi i gjykatës por pret me padurim dhe dëshpërim që drejtësia t’i mundësojë kthimin e të birit që nuk sheh prej mëse një viti. Procesi mbyll çështjen penale por jo atë plagën e nënës që kërkon t’i kthehet i biri.

Sipas shtypit lokal, protagonistët e kësaj historie janë një familje shqiptarësh që jetojnë prej vitesh në Binasco. Gjithçka ka nisur më 15 maj 2011, kur gruaja e sapokthyer nga një udhëtim në Shqipëri, nuk ka gjetur në shtëpi të birin 9-vjeçar, që kishte lënë nën kujdesin e të atit që të mos humbte mësimin.

Shkon e kërkon në shkollë ku i thonë se djali nuk ka shkuar prej dy ditësh, dhe prej aty menjëherë të karabinierët ku denoncon grabitjen e të miturit nga i shoqi i saj. Pasi u shpjegon Karabinierëve marrëdhëniet problematike me të shoqin prej të cilit po ndahej, nisin kërkimet. Hetuesit verifikojnë që Edmond T. është larguar drejt Shqipërisë, dy ditë para se gruaja të kthehej.

Versioni i hetuesisë, edhe pse pa prova të mirëfillta në ngarkim të babait, duket se ka bindur gjykatën: 48-vjeçari, që nuk ka kërkuar mendimin e të shoqes për të marrë të birin me vete jashtë Italisë, ka kryer veprën penale të rrëmbimit të të miturit që dënohet deri me 4 vjet burg dhe heqjen e të drejtës prindërore. Në këtë kuadër Edmond T. është dënuar me 18 muaj burg dhe 3 vjet heqje të të drejtës prindërore, gjë që sidoqoftë nuk i ka dhënë fund vuajtjes së nënës që pret të përqafojë sërish të birin.

Censusi: Shqipëria ka 8% më pak banorë se 10 vjet më parë

Shtetësia italiane. Si kërkohet? Vlen edhe për bijtë e rritur?