Ministria e turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve ka bërë publike shifrat e frekuentimit të Shqipërisë nga turistët.
Tiranë 8 korrik 2011 – Sipas ministres Suzana Turku, për periudhën janar – qershor numri i vizitorëve me shtetësi të huaj dhe shqiptare është 1,2 milion. Numri i vizitorëve me shtetësi të huaj është 764.539 persona ose 39,2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2010 kur numri i vizitorëve të huaj ishte 549.105. Turistët europianë përbëjnë 94%, amerikane 3%, aziatike 2% dhe të tjerë 1%. Vizitorët më të shumtë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti kanë qenë kosovarët me 34%, maqedonasit 16%, malazezët 10%, grekët 8%, italianët 6%, gjermanë 3% etj.
Hyjnë nga kufiri tokësor 80% e turistëve, 15% e tyre vijnë nga aeroporti dhe pjesa tjetër nga deti. Pika hyrëse tokësore me fluks më të madh është Morina nga e cila kalojnë më shumë se 30% e vizitorëve, e ndjekur nga Muriqani dhe Qafëthana, secila me mbi 10% të hyrjeve.
Nga pikëpamja e kohëqëndrimit, 60% kanë shpenzuar deri në 5 ditë në Shqipëri, ndërsa rreth 16% shpenzojnë deri në 10 ditë.
Nga pikëpamja e moshës, 64% e turistëve i përkasin grupmoshës 20-50 vjeç, 25 % të grupmoshës mbi 50 vjeç dhe 10% janë nën moshën 20 vjeçare.
Sipas ministres, të ardhurat nga turizmi gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 janë 174,8 milionë euro kundrejt 161,3 milion eurove të të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, e thënë ndryshe, 8,5% më shumë.
Pak ditë më parë Top Channel ka nisur transmetimin e një spot-i televiziv me titull “Shqipëria ime – Eja edhe ti” që fton të gjithë të kalojnë pushimet verore pranë bregdetit shqiptar.
http://www.youtube.com/watch?v=YYT3RQaQOoc