Të ardhurat nga shitja e biletave do t’i jepen qytetit që këto ditë po lufton me ujin e baltën. PianetaGenoa1893.net: “A nuk do të ishte më e udhës që ndeshja të bëhej në një qytet tjetër, pse jo me stadium më të madh, në mënyrë që solidaritetin të mos e paguanin po vetë banorët e Genovas?”
Federata italiane e futbollit ka vendosur të ndërmarrë një sërë iniciativash në mbështetje të banorëve të Genovës, qyteti që bashkë me komuna të tjera të krahinës së Ligurias, ashtu si tre vjet të shkuar, është në gjunjë për shkak të përmbytjeve. Një nga këto nisma është edhe organizimi në stadiumin Luigi Ferraris i ndeshjes miqësore mes Italisë e Shqipërisë e datës 18 nëntor.
“Duam të japim ndihmesën tonë në rindërtim, ndaj miqësorja e kombëtares italiane e 18 nëntorit do të luhet në Genova. – komenton sot Tavecchio, president i federatës – Futbolli duhet të jetë gjithnjë i ndjeshëm ndaj dramave që plagosin mbarë vendin. Jemi të vetëdijshëm për rolin social që kemi e për këtë arsye ofrojmë kontributin tonë konkret e mbështetjen që të Kaltërit e mbarë bota e futbollit do të dijë t’u japë njerëzve të Ligurias”.
Kanë dhënë pëlqimin e tyre për këtë nismë presidentët e Genoas dhe të Sampdorias si edhe e ka pranuar këtë vendim të Federatës edhe presidenti i Parmës, qytet ku ish vendosur fillimisht të luhej miqësorja. I gjithë fitimi nga shitja e biletave të kësaj ndeshjeje do të shkojë në favor të banorëve që Genovës.
Qëllimi është i lartë, por zgjidhja e federatës ka ngjallur edhe kritika. “Miqësore në Ferraris? Jo, faleminderit” titullon sot një shkrim i PianetaGenoa1893.net në brendësi të të cilit vërehet se do të ishte e udhës që ndeshja të luhet diku tjetër, pasi duke u zhvilluar në Genova biletat më të shumta do të blihen nga vendasit e kështu do të jenë po ata që do të paguajnë solidaritetin e botës së futbollit ndaj qytetit. Madje do të ishte mirë që miqësorja të luhet në një stadium të madh si ai i Romës, Milanos apo Torinos në mënyrë që të mund të shiten më shumë bileta e të mblidhen më shumë para. Portali i klubit të futbollit vëren gjithashtu që nëse federata dëshiron vërtet të kontribuojë sa më shumë për njerëzit e Ligurias, duhet të zgjidhte për këtë rast “një kundërshtar me prestigj: për shembull Gjermaninë, kampione e botës” duke lënë të kuptohet se ndeshja me Shqipërinë nuk ka të njëjtin appeal që ka një miqësore Itali-Gjermani.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)