Procedim penal për dy të rinj vlonjatë për një parullë kundër regjistrimit të popullsisë
Policia e Vlorës nisi më 7 korrik procedimin penal për dy të rinj, të cilët, sipas saj, vendosën parulla fyese për regjistrimin e popullsisë në stadiumin e këtij qyteti, në takimin e një ditë më parë mes “Flamurtarit” dhe skuadrës së Malit të Zi, “Buduçnost”.
Sipas policisë, Vasil Alilaj, 39 vjeç dhe Nasip Habili, 19 vjeç, do të hetohen në gjendje të lirë për shkak se kanë vendosur në mjediset e stadiumit të futbollit parrulla me mbishkrime me përmbajtje fyese ndaj regjistrimit të popullsisë. Uniformat blu kanë ndërhyrë për heqjen e këtyre parrullave, duke shoqëruar njëkohësisht dy të rinjtë në komisariat ku, pas përfundimit të procedurave ata janë lënë të lirë. Alilaj dhe Habili akuzohen për veprën penale të fyerjes, të parashikuar nga neni 119 i Kodit Penal.
Parulla në fjalë është ajo që shihni në foto. Tifozë vlonjatë dhe anëtarë të Aleancës Kuq e Zi, reaguan ndaj qëndrimit të ministrit Genc Pollo ndaj ligjit për regjistrimin e popullsisë. Aleanca Kuq e Zi, shfrytëzoi takimin sportiv për të shpalosur një parullë me mbishkrimin “Pro Popullit – Kundër Pollos”. Pikërisht, kjo parullë është bërë shkas i ndalimit të dy të rinjve.