in

Moti i keq. Situatë dramatike në mbarë Shqipërinë

Gjendje kritike për gratë shtatzëna

Përkeqësimi i motit dhe bllokimi i rrugëve nga dëbora e madhe ka pasuar me shtimin e rasteve të urgjencave mjekësore, veçanërisht të grave shtatzëna. Një panoramë të këtyre rasteve e jep Ballkanweb.com.

Sipas këtij siti, vetëm gjatë të hënës janë shënuar 5 raste grash shtatzëna në vështirësi. Burime zyrtare nga Prefektura e Dibrës, bëjnë me dije se për shkak të ftohtit të madh një 22-vjeçare ka humbur fëmijën e saj, ndërsa është transportuar për në spital, pasi rrezikonte të humbte jetën nga hemoragjia.
Një 24-vjeçare shtatzënë në gjendje të rëndë shëndetësore ka mbetur më shumë se 24 ore e bllokuar në Kalanë e Dodës që prej mbrëmjes së djeshme. Ka qenë ora 11:00 e paradites kur u njoftua se 24–vjecarja shtatzënë po transportohej drejt Tiranës me helikopter. Pas disa tentativash, më në fund pilotët arritën të ulnin helikopterin në fshatin Ujmir të Kalasë së Dodës për të marrë nënën e re që rrezikonte jetën e saj dhe të fëmijës. Mësohet se gjendja e saj dhe e fëmijës është serioze.

Tre ditë më parë, një 22-vjeçare (në muaj të katërt të shtatzënisë) nga zona e Sllovës në Dibër, humbi fëmijën e saj të parë. Për shkak të bllokimit të rrugëve, gruaja ka bërë abort të pavullnetshëm në shtëpi. Me gjithë kujdesin e familjarëve, gjendja shëndetësore e të resë është përkeqësuar. Ndërsa, gruaja rrezikonte jetën nga hemoragjia, familjarët e saj kanë dhënë alarmin. Rreth 70 burra të fshatit Kall e kanë transportuar 22-vjeçaren me barelë, duke çarë për më shumë se 5 orë dëborën që arrin mbi 2 metra. Ajo është dërguar në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, ku po merr ndihmën mjekësore.

38-vjeçarja Pranvera Dokuzi, shtatzënë 7 muajshe, të hënën u transportua me barelë nga fshati Lusën deri në vendin e quajtur Qafa e Kolosjanit. Pas 6 orësh udhëtim në borë, gruaja është transportuar me një makinë ushtrie për në Spitalin Rajonal të Kukësit.

Ndërsa, një tjetër grua shtatzënë në prag të lindjes në fshatin Pistë të Komunës Malzi në Kukës është në gjendje të rënduar shëndetësore. Të afërm të Valentina Tahirajt kanë kërkuar ndihmën e administratës vendore, duke u shprehur se nuk mund ta transportojnë dot në spital, pasi bora arrin mbi dy metra.

Të hënënnjë helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë transportoi një 33-vjeçare shtatzënë nga Lekbibaj i Tropojës në Maternitetin e Ri në Tiranë.

Nisur nga situata e krijuar, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili urdhëroi marrjen e informacionit për moshën, gjendjen dhe lokalizimin e grave shtatzëna. Ai kërkoi marrjen e masave urgjente për disponibilitetin e personelit, mjekë, mami dhe transport sa më të shpejtë të grave shtatëzëna (7 muaj e sipër) në spitalin e rrethit më të afërt për t’i mbajtur nën kujdes dhe monitorim të vazhdueshëm.

Gjendet viktima e fundit e ortekut në Restelicë të Kosovës

Reshjet e reja të dëborës rëndojnë gjendjen në Shqipëri