in

Motrat e Nënë Terezës në Shqipëri. Misioni vazhdon

Në një nga rrugicat pranë rrugës së Kavajës në Tiranë, që dikur njihej si Parku i Autobusëve, gjendet një shtëpi e madhe. Është e thjeshtë, por e mbushur me shumë dhembshuri e dashuri. Atje qytetarët në nevojë, të pastrehët, sëmurët, apo të vetmuarit gjejnë përkujdesjen human.

Të gjithë e njohin si shtëpia e motrave të Nënë Terezës, Nobelistes me origjinë shqiptare. Nëse pyet përgjatë rrugës, të gjithë e dinë ku ndodhet dera e hapur e kësaj shtëpie të madhe, ku në heshtje motrat ndihmojnë njerëzit në nevojë.

Kjo është shtëpia e parë që Nënë Tereza, e njohur botërisht si simboli i dashurisë ndaj tjetrit, themeloi më 1991 në tokën shqiptare. Misionin e saj e përjetësojnë sot gjithsej shtatë shtëpi dhe një tjetër në Kosovë.

Përpjekjet e Nënë Terezës për t’i ofruar dashuri popullit të saj, shqiptarëve, nisën në fundin e viteve ’80, tha në një intervistë për ATSh-në, zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Don Gjergj Meta, duke kujtuar se “që me vizitën e saj të parë në Tiranën e 1989-s, kërkoi nga regjimi i kohës hapjen e një shtëpie motrash “Misionare të Dashurisë”.

“Dëshiroj të hap një shtëpi këtu në Shqipëri, ku motrat e mia të mund të jenë një vegël e dashurisë së Zotit për popullin”, tha Nënë Tereza në atë vizitë të parë në Shqipërinë komuniste. Por kjo nuk u mundësua nga regjimi i atëhershëm.

Pas një viti, kur Nënë Tereza u rikthye në Shqipëri i kërkoi sërish kryetarit të Shtetit hapjen e një shtëpie motrash. Përgjigja që ajo mori ishte: “nuk e lejon ligji”. Por përgjigja e Nënë Terezës, tregon Don Gjergj Meta, ishte befasuese. “Atëherë ndryshoje ligjin. Vetëm t’i mund ta bësh këtë”.

Të nesërmen e asaj dite, Nënë Tereza mori premtimin se kërkesa e saj do të ishte e mundur në fillim të pranverës së vitit 1991.

“Dhe ashtu ndodhi! Fillimi i asaj pranvere do të ishte dhe fundi i dimrit të madh komunist”, tregoi Don Gjergj Meta, duke cilësuar se “kjo ishte koha kur u instalua kongregata e parë në Shqipëri”.

Dy shtëpitë e para bamirëse të Nënë Terezës u krijuan në Tiranë që në atë vit. Shtëpia e quajtur “Tirana 1” në rrugën e Kavajës dhe një shtëpi tjetër, ku Nënë Tereza vendosi të moshuarat.

Shumë shpejt, një tjetër shtëpi u ngrit në Shkodër, që edhe sot i shërben fëmijëve me aftësi të kufizuara. Në korrikun e 1991, Nënë Tereza u kthye përsëri në Shqipëri me një grup mjekësh amerikanë dhe pasi vizitoi zonat e ndryshme të vendit krijoi shtëpinë e Misionareve të Dashurisë në Durrës. E më pas u çelën shtëpitë e tjera në Elbasan, Pukë dhe Korçë.

Çfarë bëjnë motrat e Nënë Terezës në Shqipëri?

Një motër ndjek përshpirtërinë e themelueses, Nënë Terezës, ajo që jetoi për përkujdesin e më të varfrit ndërmjet të varfërve.

“Motrat sigurisht nuk mund të zgjidhin problemin e varfërisë, që është detyrë e strukturave të tjera, por në shtëpinë e tyre të varfrit gjejnë pak më shumë dinjitet dhe njerëzi”, tha Don Gjergj Meta, duke shtuar se njerëzit në nevojë gjejnë gjithmonë një strehë, një mundësi kur i afrohen shtëpive të Misionareve të Dashurisë.

Pa marrë parasysh besimin, ngjyrën, moshën, idetë, motrat janë të gatshme të ndihmojnë çdo të varfër me dashuri, duke përgjurmuar misionin e Nënë Terezës ndaj njerëzimit.

“…E nuk ka rëndësi sa shumë gjëra bëjmë, por me sa dashuri veprojmë…”, është një prej porosive të Nënë Terezës për Misionaret e Dashurisë.

Në Shqipëri, motrave të Nënë Terezës iu kërkua që përveç punës me të varfrit, të merreshin edhe me disa aspekte të jetës kishtare. Sipas Don Gjergj Meta, në fillim të viteve ’90 aspektet e jetës kishtare ishin të nevojshme për Kishën Katolike në Shqipëri. Ishte koha kur etja për të ditur ishte e madhe e njerëz kishte pak. Motrat vazhdojnë të merren edhe me mësimin e besimit për fëmijë dhe të rritur, duke i përgatitur ata me të vërtetat e besimit të krishterë katolik.

Don Gjergj Meta tregoi se në mënyrë të veçantë Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj është përpjekur me të gjitha forcat në mbrojtje të jetës: nga ngjizja deri në vdekje. Ajo ka folur pa frikë kundër abortit para udhëheqës shtetesh e organizatave botërore. “Sot aborti është shkatërrimi më i madh i paqes dhe i dashurisë”, ka thënë ajo.

Të njëjtën gjë vazhdojnë sot motrat e saj në Shqipëri e kudo. Jo rrallëherë motrat janë pranë materniteteve për t’i thënë nënave që duan të abortojnë: “linde fëmijën, nëse nuk mund ta mbash ne të ndihmojmë”.

Mes 5 mijë motrave që ndjekin gjurmët e Nënë Terezës në 766 shtëpi në gjithë botën, 25 prej tyre janë shqiptare. Ato sot janë të shpërndara, aty ku thërret nevoja, janë anëtare të Kongregatës së Misionareve të Dashurisë, të cilat u shërbejnë njerëzve në vende të tjera.

Motrat e Nënë Terezës, tha Don Gjergj Meta, janë një shenjë që tregon se puna dhe vepra e saj vjen nga Zoti, duke pasur vazhdimësinë si kriter autenciteti e jo nga kryeneçësia njerëzore.

Në vitin 1997, Nënë Tereza kishte 4 mijë motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997, Nënë Tereza bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapozgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Pasi pati takuar Papa Gjon Pali II për herë të fundit, u rikthye në Kalkutë, ku kaloi javët e fundit të jetës, duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave.

Imzot Gjergj Lusha: “Nënë Tereza, dashuri e pastër në veprim”

Ekskluzive! Udhëzuesi i Censimentit në gjuhën shqipe