Më 10 korrik, lihet i lirë Muharrem Gashi, i arrestuar padrejtësisht në Itali sipas një urdhër-arresti serb. Nuk u lirua si i pafajshëm por për përfundim të afatit të mbajtjes në burg, por të paktën nuk iu dha fleta e dëbimit por iu njoh strehimi politik
Përfundoi më në fund historia e gjatë dhe e dhimbshme e Muharrem Gashit, komandantit të UÇK-së, i ndjekur si prej një hijeje, gjatë viteve të fundit, nga një akuzë e rëndë vrasjeje, që e kish detyruar në vitin 2004 të kërkonte, pa ia dalë mbanë, strehim politik në Itali dhe në vitin 2009, për rrjedhojë të kërkesës për ekstradim nga Serbia, të arrestohej, e të mbahej për plot një vit në burg, edhe pse i pafajshëm.
Të shtunën, më 10 korrik, Remo, siç e thërrasin në familje, ka dalë nga burgu i Bolonjës për përfundim të afatit, sepse shteti nuk mund ta mbante më gjatë brenda, jo me një dekret dëbimi, siç trembeshin të gjithë se mund të ndodhte, por me dhënien e strehimit politik.
Azili politik, praktikisht i vë kapak të gjithave, me një zgjidhje all’italiana: në fakt mbetet e pakuptueshme nëse qëllimi është të mbulohet një ngatërresë politike e diplomatike lidhur me çështjen Gashi, apo ndonjë burokrat ‘sypatrembur’, që sidoqoftë i vodhi një të pafajshmi plot një vit jetë.
Hapin e fundit duhet ta hedhë tashmë avokati Giampaolo Cristofori duke kërkuar dëmshpërblimin, ashtu siç parashikon ligji.
Në këtë histori u përfshinë dhe u lakuan në terma privatë të gjitha elementet që shpesh karakterizojnë emigrimet: lufta, arratisja, largimi i papritur nga të dashurit, vetmia, humbja e lirisë, çorientimi kërkimi i dëshpëruar e një rrugëdaljeje, por edhe solidariteti i personave të ndryshëm që me ndihmesën e tyre, të vyer e diskrete, kanë mbajtur gjallë flakën e dobët të shpresës për një të ardhme të qetë.
Jashtë burgut prisnin Remon, e shoqja Xheva dhe e bija Floriana, shkruesi i këtyre rreshtave me një ndihmë të menjëhershme dhe konkrete në parà të shoqatës Skanderbeg të Bolonjës dhe pak miq të tjerë.
Mendojmë se është e udhës të hidhen në letër këto rreshta për të dhënë një profil të shkurtër por domethënës të familjes së re Gashi që të ngjall simpati të menjëhershme dhe të përvojës që, fatkeqësisht për të, ka përjetuar gjatë vitit të fundit.
Muharremi, shkurt Remo, është njeri i shkolluar, njeh mirë të paktën gjashtë gjuhë, i lartë një metër e nëntëdhjetë, tip sportiv, me pak mjekër të mirëmbajtur. Është pak i mbyllur dhe i rezervuar, por i gatshëm të të flasë shtruar kur nis biseda.
Tek shokët e qelisë ka lënë një boshllëk të ndjeshëm sepse, si njeri i përpiktë dhe organizues që është, si e si të mbante në rregull ambientin e ngushtë – pesë vetë në një qeli pesë metra të gjatë dhe dy metra të gjerë, – ku u detyrua të jetonte për një vit, gjithnjë pastronte me kujdes të dhjetë metrat katrorë dhe sistemonte rrobat, jo vetëm të vetat, me rregull e përpikëri. Stërvitej goxha në burg: të hënën luante me top, të shtunën bënte vrap, për të mbajtur trupin në formë, për të qenë i gatshëm në çdo moment për të rifilluar punën e tij të vjetër si autotransportues.
I sapodalë nga burgu, pas përshëndetjeve, puthjeve e përqafimeve të shoqes dhe shpërthimit të papërmbajtshëm të lumturisë së Florianës së vogël në takimin me të atin, me gjakftohtësi dhe kthjelltësi, Remo pohoi se në burg njeriu nuk është tjetër veçse një molekulë e një organizmi tjetër; që burgu është një botë çnjerëzore që të bën të harrosh përvojën e jetës së mëparshme.
E shoqja e Remos, Xheva Kelmendi, është një zonjë grua me karakter të fortë dhe shumë dinjitet, e drejtpërdrejtë dhe e përpiktë, e shoqërueshme dhe diellore, që flet italishte shumë të mirë, ka përjetuar një vit me njëqind vështirësi, ka rritur të bijën, ka shkuar në punë, ka përballuar sëmundjen e saj, ka ndjekur çështjen e Remos së saj. Shprehu keqardhjen për miqtë e rremë që u zhdukën si bora në diell në çastin kur kish nevojë për ta, dhe megjithëse pranoi që Ambasadori i Kosovës në fillim e Konsulli më pas kanë vizituar Remon në burg, shprehu hidhërimin për faktin që në një vit mori prej tyre vetëm një telefonatë ndërsa të gjitha telefonatave të saj nuk u janë përgjigjur.
Remo, lidhur me karakterin e fortë të së shoqes tha me shumë thjeshtësi e sinqeritet: “Herë pas here duhet të bëj një hap pas, për t’i dhënë hapësirë, e po të mos ish kështu nuk do të isha martuar me të”.
Mes miqve të paktë që zonja Xheva ka gjetur në çastin e nevojës duhet të kujtojmë padyshim një familje për të gjitha, familjen Lombardi, pronaren e shtëpisë me qira ku jeton. Ndaj të cilës Xheva ushqen mirënjohje të thellë, sepse i ka gjetur punë, e ka ndihmuar, e ka ngushëlluar dhe e ka mbajtur pranë në çastet më të vështira. Dhe duam ta falënderojmë këtu, sepse ndryshe nga burokratizmi i mbrapshtë pas të cilit u fshehën njerëzit e plogësht të institucioneve lokale e kombëtare, ata që nuk vunë një dorë në zemër, apo më keq akoma që u munduan të përfitonin personalisht nga fatkeqësia e tjetrit, familja Lombardi ishte gjithnjë e pranishme e solidare me Xhevën e çështjen e Remos, në heshtje, me modesti, pa bujë, që e nderon, e që me bindje mund të shkruajmë se shpreh pjesën më të lartë e më fisnike të popullit italian; familja Lombardi dëshmon që solidariteti nuk njeh barriera etnike dhe që vullneti për të mirën ka forcë tërheqëse që kapërcen kontaminimin që buron nga kurnacëria e egoistit dhe nga paragjykimi i marrë që duket se dëshiron të mbizotërojë këtë shoqëri tashmë në rënie.
Giuseppe Chimisso
Shënim i redaksisë: Autori i këtyre rreshtave, Giuseppe Chimisso, është ndër themeluesit dhe aktivist i shoqatës Skanderbeg të Bolonjës. Është ndër ata që, në hije e pa bujë, ka ndjekur nga afër çështjen Gashi e ka bërë çmos për të sensibilizuar publikun e gjerë
Artikulli i plotë në numrin 240 të Botës shqiptare
Lexo edhe: Thirrje për lirimin e Muharrem Gashit
Ngatërresë diplomatike, e kosovari nuk nxirret nga burgu