Del në pension Bertolaso e vendin e tij e merr Franco Gabrielli. Që menjëherë do të ketë të bëjë sërish me plehrat në Napoli dhe përmbytjet në Veneto
Guido Bertolaso del në pension pas thuajse dhjetë vjetësh në krye të Mbrojtjes Civile, organizëm që merret me parandalimin dhe administrimin e emergjencave. Gjatë këtyre viteve, Mbrojtja Civile ka ndërhyrë, për shembull, për heqjen e plehrave në Campania, apo për ndihmën e parë dhe rindërtimin pas tërmetit në Abruzzo.
Ndërkohë Mbrojtja Civile ka zgjeruar kompetencat e saj duke përfshirë edhe Ngjarjet e Mëdha, për të cilat ligji parashikon procedura të thjeshtëzuara dhe më pak kontrolle mbi përdorimin e fondeve publike. Janë futur në këtë kategori evenimente nga më të ndryshmet, si varrimi i Papës Gjon Pali II, Kampionati Botëror i Notit dhe disa samite ndërkombëtare. Pikërisht për administrimin e fondeve te disa Ngjarjeve të Mëdha, Bertolaso ka përfunduar në qendër të hetimeve sipas të cilave duket se u ka besuar punimet sipërmarrësve miq kundrejt favoresh ekonomike dhe seksuale.
Kreu i ri i Mbrojtjes Civile është Franco Gabrielli, e për fat të keq puna nuk do t’i mungojë, duke filluar nga ndërhyrjet për përmbytjet që kanë gjunjëzuar Veneton ditët e para të nëntorit.