Politikani italian që më shumë se kushdo ka luftuar për të drejtat civile. Janë të lidhura ngushtë me të ligjet për divorcin e abortin, në Itali të ligjshme nga mesi i viteve Shtatëdhjetë.
Ka ndërruar jetë pasditen e të enjtes (19 maj) Marco Pannella, lideri historik i radikalëve, protagonist i padiskutueshëm i betejave për të drejtat e njeriut në historinë e Italisë. Vdekja e mori në moshën 86-vjeçare në një klinikë të Romës ku ishte shtruar një ditë më parë për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Pennella prej vitesh luftonte kundër dy tumoresh., një në mëlçi e një në mushkëri, sëmundje për të cilat fliste lirshëm.
Lajmi i vdekjes së tij u dha nga “Radio Radicale” nën tingujt e Requem të Mozartit.
Kryetar partie, flamurtar i të drejtave të individit, kundërshtar i pushtetit të partive dhe drejtimeve politike, mbrojtës i flaktë i kategorive më të dobëta dhe shpikës i mosbindjes civile. Pannella mishëron të gjitha këto dhe shumë të tjera.
Njeri i aftë të tërhiqte tek radikalët kontestuesit e rinj të viteve ’70 dhe, 20 vite më vonë, të bënte aleancë me Berlusconin. Por askush nuk tha se ishte një renegat. Për të ishte e rëndësishme ishte vetëm realizimi i ideve të tij.
Sigurisht që nuk ishte një politikan konvencional, të arrestohesh sepse ke pirë “bar” në publik (1975) nuk është diçka që e bëjnë të gjithë.
I gjatë e plot dhimbje mesazhi presidentit Sergio Mattarella. “Kam patur mundësinë të flas disa hetë me të kohët e fundit, edhe në këto ditë vuajtjesh. Nuk pushoi asnjëherë së menduari për të nesërmen, një të nesërme më të mirë për vendin tonë. Protagonist i politikës italiane, pa qenë asnjëherë i lidhur me pushtetin, luftoi beteja të një rëndësie të madhe, veçanërisht në fushën e të drejtave. Përfaqësoi me pasion shumë qytetarë, duke ia dalë jo rrallëherë të transformojë një status minorance në nisjen e proceseve të ndryshimit”.
“Një lider i madh politik, lideri radikal që ka shënuar historinë e këtij vendi me betejat e tij të guximshme. I bëj homazhe në emrin tim personal, të qeverisë dhe të forcës sime politike (PD) historisë së këtij luftëtari dhe luani të lirisë”, reagoi menjëherë kreyministri italian, Matteo Renzi, pas vdekjes së tij, duke ndërprerë një konferencë shtypi me kryeministrin holandez.
Emma Bonino, ish komisionere evropiane dhe ish ministre e Punëve të Jashtme, ndër personat më të afërt me Pannellan, tha në mikrofonin e “Radio Radicale” se “Marco Pannella do t’u mungojë të gjithëve, edhe kundërshtarëve të tij”, se “Pannella ishte shumë i dashur por pak i vlerësuar për meritat e tij në këtë vend që i detyrohet shumë. Mendoj se tani që nuk është më në jetë, shumëkush duhet të reflektojë mbi meritat dhe praninë e tij në historinë e këtij vendi”.
Nga Selia e Shenjtë – Marco Pannella kishte raporte personale me Papa Gjon Palin II e Papa Françeskun, por betejat politike e kishin vënë shpesh kundër kishës katolike – zëdhënësi Atë Federico Lombardi e kujtoi me këto fjalë: “Pannella është një person me të cilin jemi gjetur shpesh në të shkuarën në dy fronte të kundërta, por të cilin nuk mund të mos e vlerësoje për angazhimin e plotë dhe pa asnjë interes për kauza fisnike”.
“Të paktë janë ata që kanë promovuar dhe mbrojtur laicitetin, të drejtat civile dhe Evropën si Marco Pannella. Përshëndes një politikan të madh dhe një proevropian”, shkroi në rrjetet sociale presidenti i Parlamentit Evropian, gjermani Martin Schulz.