in

Ndizni dritat! Përse qëndroni në errësirë si kuaj të vjedhur?

Marrim dhe me kënaqësi botojmë një shkrim që autori, Janni Luan Cajku, cilëson si “Thirrje për një Rilindje Kombëtare”

Në errësirën natyrale siç është ajo e natës, edhe në netët e stërgjata të dimrit, në mos hëna, yjet, në mos yjet, dritat e ndezura japin shenja jete. Është thjesht një ritual. Pas pak orësh qielli ndriçohet nga dielli, rrezet e tij arrijnë të ngrohin tokën dhe jeta vazhdon qetësisht. Në të gjithë botën ndodh një dukuri e tillë. Në të gjithë botën ekziston nata dhe dita (edhe atje ku mungojnë dritat elektrike).

Mëndja e njeriut, sigurisht, i ka përmbledhur në ditë, ditët në javë, javët në muaj, muajt në stinë, stinët në vite e kështu me radhë…

Po si është e mundur një gjë e tillë? Përse ekziston nata dhe dita?
“Janë punët e Perëndisë” thoshte një i moshuar, kur të vegjlit i drejtonin një pyetje të tillë. Janë punët e Zotit dhe mos u merrni me to. Mos humbni kohën me lojëra e me pyetje të kota. Shkoni e mësoni, bëni detyrat dhe lexoni. Lexoni sa më shumë, që të bëheni të ditur. Kështu gëzoni prindërit dhe na mësoni edhe ne që nuk kemi shumë shkollë.
Vendi ynë ka nevojë për njerëz të ditur e të shkolluar.
Fëmijët e përqeshnin  prapa kurrizit. E quanin plak të rrjedhur nga trutë e kokës, plak zevzek dhe injorant. Njeri që nuk e njihte shkencën dhe nuk dinte të shuante kuriozitetin e tyre.
Ishte një plak i papunë që e bezdisnin fëmijët kur luanin për një kohë të gjatë. Ishte i fiksuar me shkollën dhe me dritën. Në një moshë relativisht të madhe, kishte mësuar të shkruante dhe të lexonte. Urrente errësirën. Shtëpia e tij, atje në kodrinë, ngjasonte me një hidrocentral. Që me ditë, ndizte dritat në të gjithë shtëpinë. Justifikohej duke thënë që Partia e mbajti fjalën e dhënë, komunizmi na nxori në dritë.

Shqipëria kishte dhe ka nevojë për drita. Prandaj: Ndizni dritat! Mos i fikni dritat! Përse qëndroni në errësirë si kuaj të vjedhur?
Ai urrente politikën. Por, në njërën dorë mbante gjithmonë gazeta të ndryshme dhe në tjetrën shtrëngonte një shkop të vjetër, kujtim nga babai që e kishin vrarë në luftën me gjermanët. Ishte i fiksuar me atë shkop ku mbështeste trupin e tij të kërrusur nga pesha e viteve dhe puna e rëndë. Nuk e pranonte që tashmë ishte plakur.
Nuk e mbante veten për të tillë, por të tjerët thoshin që ishte njeri i zgjuar. Jo më kot e kishin zgjedhur të parin e vendit.
Shtëpia e tij nuk ishte kurrë bosh. Atje kishte gjithmonë vizita. Vizituesit duhet të qëndronin deri në mbrëmje vonë, pasi ai priste me padurim momentin që t’i ftonte miqtë, të dilnin në ballkonin e shtëpisë së tij. Ai mburrej para tyre, teksa me gishtin që i dridhej mundohej të numëronte dritat e ndezura në qytetin e tij.
Prapa asaj drite, thoshte plaku, qëndron një doktor, një avokat, një inxhinier, një mësues, një profesor, një gazetar… Prapa atyre dritave qëndrojnë “yjet” që do të ndriçojnë qiellin shqiptar në netët e errëta. Qëndrojnë perlat e shoqërisë shqiptare, qëndron e ardhmja e Kombit tonë.
Thoshte ai, ndërsa zgurdullonte sytë për të numëruar dritat edhe atje ku nuk ishin ndezur ende.

Sa herë që  marr “rrugën e kthimit” më duket sikur dëgjoj zërin e tij të çjerrë nëpër rrugët ku ai dikur kalonte. Zëri i tij përzihet me erën e ftohtë që më përplaset në trup dhe si një grusht hakmarrës dhe i pamëshirshëm, më rrok e më hedh tutje.
Kacavirrem në xhamat e një dyqani me emrin “Italia”. Në dritëhije lexoj listën ë çmimeve marramendëse. Ndalem tek etiketa e një kapele të rëndomtë e të shëmtuar ku shkruhej “Made in Turkey”. Dy djem, ndalin një makinë me targa TR, hapin derën dhe zbret një zonjushë me fustan të shkurtër, dy këmbë valëzonin ëmbël mbi takat e larta.
Tymi i gazit të makinës që vërsulet dhe kalon semaforin e kuq, më turbullon shikimin. Dy gjinj të mrekullueshëm po më kërkonin një cigare dhe miqësisht po më ftonin për një xhiro.
Oh për dreq! Ishte, zonjusha që po më fliste.
Ngrihem. Ndez dy cigare.
Dëgjoj zërin e saj ndërsa largohej në drejtim të kundërt. Kaloj rrugën, me sy kërkoj pishat e larta dhe lulishten ku dikur luaja me shokët. Një pallat i stërmadh më shuan çdo kureshtje. Era e ftohtë, përzihet me shiun, kthehet një furtunë kur zëri i plakut rikthehet të më torturojë përsëri.
Vë duart në kokë, mundohem që të mbyll veshët për të mos e dëgjuar. Por zëri i tij i ngjirur më gërvisht edhe shpirtin ndërsa ulërin: “Ndizni dritat! Mos i fikni dritat! Përse qëndroni në errësire si kuaj të vjedhur?”

Dëgjoj zhurmën e hapave të tij, nëpër rrugët ku kaloj. Dëgjoj trokitjet e shkopit të tij  prapa çdo dere që është e mbyllur dhe i ka dritat e fikura. Njëlloj si atëherë kur ai bridhte lart e poshtë nga mëngjesi deri në darkë vonë.
Nëse dikur, dera ku ai trokiste, hapej, ose të paktën brenda shtëpisë një dritë ndizej, sot, ulërimat e tij duken sikur bien në veshë të shurdhër. Po me mua ç’ka? Përse më persekuton me pyetje që nuk di t’u jap një përgjigje?
Ku janë “yjet”? Ku janë perlat e shoqërisë shqiptare? Ku kanë përfunduar ata fëmijë që dikur vraponin nëpër shtëpia për të bërë detyrat dhe mbanin dritën ndezur deri natën vonë.
Ku janë ata “Yje” që  nuk lodheshin duke  lexuar, të shtyrë nga një etje të madhe për të mësuar. Ku janë? Ku kanë përfunduar? Me se merren? Përse vendi është në errësirë? Ku janë “yjet”, që plakut i zgjasnin jetën kur i shikonte që studionin prapa dritave! Përse nuk i ndezin dritat? Përse këta njerëz qëndrojnë në errësirë si kuaj të vjedhur? Përse? Përse…? Përse kaq shumë errësirë?
Përse përsëri Vendi im është në terr?

Oh, për atë Perëndi!
Çfarë tmerri të shohësh Vendin të zvarritur nga njëra skëterrë në tjetrën! Oh zemër e bekuar mos më lër, mos pusho së rrahuri, ndonëse, jetojmë në një periudhë kohe jo të mirë. Në një situatë të pa imagjinuar kurrë më parë.
Një Zot (nëse ekziston) është dëshmitarë, që ne jetojmë në një realitet tepër të hidhur. Kur ne ëndërronim, meritonim lirinë dhe luftonim për demokraci, është ngritur një duhmë e zezë dhe ka mbështjellë Vendin në krahët e sajë me forcë. E zhvesh nga ajo bukuri që e karakterizon ngahera, e lë lakuriq, e lyen me katran dhe e braktis atje ku Bota mban sehir. Shqipëria ime, ndonëse relativisht e vogël, është një ndër vendet më të bukura që kam parë ndonjëherë.

Oh djall i mallkuar!
Oh Perëndi përse! Përse Shqipëria ime është kaq fatkeqe? Përse ngjan me një dasmë të çuditshme? “Aty ku nusja është pa dhëndër, krejt e veshur me të zeza. Krushqit vijnë nga të katër anët, por dasmorët nuk vallëzojnë. Ata ulërijnë. Klithmat e tyre ngjasojnë me një këngë, por në realitet, burra e gra janë në vaj”.
Ajo duhmë e zezë, me forcë, dhunon ëndrrat e të gjithëve, u helmon shpirtin deri në qelizën e fundit. Grabit hapurazi dhe pa pikë mëshire edhe shpresat e atyre pak njerëzve që kanë akoma një lidhje me Perëndinë, duke u futur të ligën deri në kockë.

Vendi është në errësirë.
Errësirë. Kudo që të shkosh errësirë, sepse “Yjet” që plaku adhuronte aq shumë janë larguar. Kanë arritur në vende të huaja, ndriçojnë një pjesë qielli që nuk i përket Vendit të tyre. Janë të hidhëruar, janë të lënduar, janë të zhgënjyer, nga ajo dasmë e shpifur dhe perverse që vazhdon të celebrohet në Vendin e tyre. Ata urrejnë errësirën, kanë nevojë për dritë për të jetuar, kanë nevojë për liri për të ushqyer shpirtin e tyre që urren izolimin.
Të tjerët janë strukur diku, për t’i shpëtuar verbërimit, për të shmangur injorimin dhe skllavërimin e mendjes së tyre, nga kjo natë vrasëse që ka mbuluar Vendin.
Jo vetëm “Yjet” por edhe një pjesë e mirë e njerëzve kanë marrë arratinë në të katër anët e botës. Duke lënë vendin në duart e çakejve, të hajdutëve dhe të lugetërve që po copëtojnë, po plaçkitin dhe kanë zënë diellin duke lënë popullin në errësirë.
Por le të mos harrojmë e t’u kujtojmë të ligëve që jo të gjitha “Yjet” kanë frikë. Kur ka qenë e nevojshme ata kanë vërtetuar që nuk tremben nga censurat e një sistemi të sëmurë, krijuar nga mendja djallëzore e pushtetarëve matrapazë që shesin interesat e popullit.
Ata janë të armatosur. Kanë një armë të vetme. Zotërojnë atë armë që prej shekujsh rrëzohen sisteme të hekurta.
Tipik ai i komunizmit shqiptar, i ndërtuar nga njerëz që lundronin në ujëra të qelbur nga morali i tyre i ndyrë. Arma çudibërëse, është “PENA” e tyre që hedh në letra mendimet e mendjeve të ndritura dhe bën botën të dridhet duke thyer çdo lloj kornize dhe çrrënjos çdo lloj sistemi autoritar.

Dikush është më i guximshëm, nuk dorëzohet, kacavirret nëpër petkun e zi të natës dhe ngjitet deri në majën më të lartë. Ndez një dritë dhe fton të tjerët ta ndjekin. Ka nevojë për mbështetje, ka nevojë për ndihmë. I vetmuar nuk ia del dot.
“Me një lule nuk vjen pranvera”, thoshte plaku që urrente errësirën. Ndodh që “yjet” të fshihen nga errësira e natës por herët a vonë ata zgjohen nga zhurma e thirrjeve të dëshpëruara të plakut “Ndizni dritat! Mos i fikni dritat! Përse qëndroni në errësirë si kuaj të vjedhur?” Ata, edhe larg Vendit ndriçojnë, komunikojnë me njëri-tjetrin, ruajnë ndjenjën e atdhetarizmit. Ndaj duan, duhet t’i kthejnë Shqipërisë së tyre atë ritualin e thjeshtë.

Ata.
Vetëm ata, munden të bëjnë të mundur që qielli natën të mos shëmtohet dhe vendi të mos dorëzohet në duart e fëlliqura të çakejve, të hajdutëve e të lugetërve. Mund të bëjnë të mundur që njerëzit natën të flenë të qetë dhe të zgjohen në mëngjes, ndërsa qielli nis të ndriçohet përsëri nga dielli. Rrezet e tij të arrijnë të ngrohin tokën dhe jeta të vazhdojë qetësisht dhe në mënyrë natyrale.

Atëherë.
Vetëm atëherë Plaku që urrente errësirën do të mund të prehet i qetë, atje, ku dritat elektrike të ndezura nuk i duhen më. Por që ka nevojë për dritën e diellit që të rriten lulet në livadhin e kodrinës ku ka zgjedhur banesën e tij të fundit.

Milano 16.01.2011
Janni Luan Cajku, www.opinionet.net

Fëmijët e Rajmonda Zefit u besohen prindërve të saj

Karta e qëndrimit: ja testi i gjuhës italiane