in

Ndonjëherë është mirë të ikësh nga Shqipëria

Nga Ilir Yzeiri

Sa herë që përgatitem të udhëtoj larg Shqipërisë provoj një ndjesi të veçantë. Kur bëhesh gati të largohesh nga vendi ku jeton, të duket sikur lirohesh nga një peshë që në mënyrë të vijueshme e mban mbi shpinë. Njeriu modern është një i burgosur virtual, sepse tek ai kryqëzohen “prangat e teknologjisë”, të medias, të marrëdhënieve pafund prej të cilave nuk shpëton dot kudo që të ndodhesh.

Karakteristikë e shoqërive të mediatizuara është se njeriu është subjekt që vuan refleksin e imazhit, të tingullit e të fjalës në të gjitha cepat ku ai ndodhet. Ndërsa në shoqërinë tonë provinciale dhe të frustruar, ligjërimi politik dhe në shumicën e rasteve monologu i Kryeministrit në të gjitha stacionet televizive dhe në të gjitha faqet e para të gazetave e ka bërë në disa raste ambientin publik aq të ndotur, sa është e pamundur të ndjehesh i lirë. Ndaj sa herë që udhëton dhe sapo avioni shkëputet dhe niset për t’u gëlltitur nga qielli pa formë, apo si tru idioti siç thotë Kadare diku në një poezi të tij, ty të duket se je çliruar nga një peshë e rëndë që mbaje në shpinë dhe gjithë ulërimat e llangosura me konotacion negativ të gjuhës së urrejtjes apo gëlbazat metaforike të triumfit mbi kundërshtarin i ke lënë atje poshtë në vendin ku natyrisht do të kthehesh pas disa ditësh. Mirëpo nëse ti në këtë kohë të tmerrshme të krizës së identitetit kulturor, të krizës së modelit, udhëton për të shkuar në një kolokuium ndërkombëtar që i kushtohet një apo disa problemeve të letërsisë, atëherë çlirimi nga e keqja është dyfish më i madh dhe kënaqësia disafish më e madhe.

Vetëm kur ti ndodhesh lart në ajër dhe ke hapur librin e Haruki Murakamit, fjala vjen, atë me titull “Pylli norvegjez” dhe vetëm kur ti sapo je zhytur në magjinë e një letërsie që e aktualizon ose e rrëfen rutinën e përditshme me një humor të zi dhe me cinizëm magjik, vetëm atëherë ti e kupton se përse kur je në vendin tënd nuk i ke kushtuar më shumë vëmendje letërsisë, nuk je marrë dhe nuk ke shkruar për librat e mrekullueshëm të Spartak Ngjelës apo librin e Andrea Stefanit, përse nuk gjen kohë që të shkruash dy radhë për librat e Pëllumb Kullës që tregojnë me sarkazëm e ironi të mrekullueshme shqiptarin e tranzicionit, jo në fakt karikaturën e tij. Rri me vështrim nga dritarja e avionit dhe kujtohesh se edhe për Fatos Kongolin flitet pak në Shqipëri, për letërsinë e tij të surealizmit postkomunist shumë pak diskutohet.

Nuk kam ndërmend të përmend të tjerë, se e di që ka edhe të tjerë autorë që meritojnë vëmendje, por ti ndodhesh lart në ajër dhe këtë ndjenjë faji e ke vetëm në një çast si ky, kur ti dhe vendi ku jeton nuk jeni më në asnjë lidhje fizike. I shkëputur nga ajo tokë, ty të duket se në ajër bashkë me ty vjen imazhi virtual i lirisë së të ndjerit dhe të vetëndjerit artistik e kulturor, një përmasë që ti e humbet sapo shkel në tokën që të detyron të hedhësh në kurriz peshën e rëndë të ligjërimit të ndotur publik në përgjithësi e politik në veçanti.

Mbërrijmë në Bukuresht dhe seancën e parë plenare të kolokuiumit ndërkombëtar me temë “Desir/Rejet de l’autre” (Pëlqimi/refuzimi i tjetrit) e drejton kolegia ime, përkthyesja, kritikja letrare gazetarja dhe pedagogia e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Mirela Kumbaro. Marrin pjesë në këtë kolokuium pedagogë e kërkues shkencorë nga e gjithë Europa. Tema e tjetrit apo ajo e tjetërsimit janë objekt i kumtesave të përgatitura dhe ti kapërcen nga Zhan Zhenet, tek Umberto Eko, pastaj dëgjon se si shenjohet në fjalë mungesa apo prania e tjetrit.

Kolegia nga Tunizia, Firdus Buaine, na mahnit të gjithëve me kumtesën e saj “Esoterisme rime avec erotisme” (Ezoterizmi rimon me erotizmin), apo tjetri në dramat e Jonescos e deri te përkthimi dhe kapërcimi i autorit origjinal i Mirela Kumbaros apo fenomenologjia e Urës te Andriç e Kadare që mbajta unë në këtë veprimtari. Vetëm brenda dy ditëve, ti arrin të kuptosh se sa banalitet mban mbi shpinë në vendin ku jeton. Si ka mundësi, thua me vete, që universitetet në vendin tënd janë kthyer në seksione politike në rastin më të keq dhe në kuvli mediokrish e plot me personazhe fantazmagorikë që nuk kanë asnjë qëllim tjetër, po vetëm të afrohen me qeverinë e radhës dhe të shërbejnë si kompani biznesi, duke shitur e mbjellë injorancë e dhunë verbale. Vetëm në universitetet tona mund të hyjë Kryeministri apo ndonjë ministër sa herë që t’i teket për të prerë shiritat dhe asnjëherë nuk ndodh që ai apo çdo sharlatan tjetër politik të ndalohen që të shkelin në një vend ku duhet të mbretërojë dija dhe debati, për ata që nuk mund ta dinë dhe ta kuptojnë të gjithë.

Mirëpo edhe Kolokuiumi mbaron dhe ti do të duhet të kthehesh atje ku je i dënuar të jetosh. Tani kam përshtypjen se dikush më pret me pranga e zinxhirë në duar dhe se sapo të zbres, do të më marrin e do të më kthejnë në qelinë nga isha shkëputur për pak ditë. Do të vazhdoj të dëgjoj të njëjtin zë, të shoh të njëjtin aktor dhe të duartrokas të njëjtën komedi. Pas pak do t’i harroj të gjitha. Do ta harroj edhe Rolan Bartin apo Paul Ricoerin. Huserlin, fenomenologjinë dhe heremneutikën, diegjezën dhe ekzegjezën, projektimin e unit dhe alteritetin. Ndoshta do të gjej rastin të shfletoj përsëri Murakamin si për t’i dhënë të drejtë atij se midis rutinës së tmerrshme të jetës dhe rutinës apo vullnetit për të ndryshuar nuk ka më asnjë hap distancë. Kufijtë janë tretur në horizontin e një bote pa formë si kjo që unë dhe të tjerët si unë janë të dënuar të shtyjnë, të tërheqin zvarrë…

Gazeta Shqip

100 vjetori i Pavarësisë. Në këmbë nga Gjilani në Vlorë, me flamur në dorë

Festimet e ambasadës italiane në Tiranë në 100 vjetor të pavarësisë