in

Ndryshimet për marrjen e shtetësisë italiane

Dekreti mbi sigurinë sjell edhe shtrëngime në marrjen e shtetësisë italiane, të cilave nuk u shpëtojnë as ata që kanë paraqitur kërkesat më parë dhe që presin përgjigjen e Prefekturave

Ligji nr. 94 i 15 korrikut 2009 me “Dispozita në çështjet e sigurisë publike”, i njohur ndryshe si paketa e sigurisë, ka sjellë, mes të tjerash, ndryshime thelbësore në normat mbi marrjen e shtetësisë italiane.
Para ardhjes në fuqi të këtij ligji (më 8 gusht 2009), bashkëshorti i huaj i shtetasit italian mund të paraqiste kërkesë për marrjen e shtetësisë për martesë pas gjashtë muajve rezidencë të rregullt në Itali nga data e lidhjes së martesës. Madje, nëse më pas ndodhte ndarja e bashkëshortëve, praktika për njohjen e shtetësisë shkonte përpara, pasi ishte e mjaftueshme – nga çka parashikonte ligji në fuqi – që kushtet të plotësoheshin vetëm në çastin e paraqitjes së kërkesës gjë që u jepte të interesuarve njëfarë “të drejte të fituar”.

Me ndryshimet e ardhura në fuqi më 8 gusht 2009 është zgjatur koha e martesës pas së cilës shtetasi i huaj mund të paraqesë kërkesë për shtetësi për martesë me shtetas italian. Nga gjashtë muaj kalohet në dy vjet rezidencë, por ky afat përgjysmohet në rast se çifti bëhet me fëmijë, qofshin këta edhe të adoptuar. Nëse pas paraqitjes së kërkesës në Prefekturë për njohjen e shtetësisë italiane ndodh ndarja apo zgjidhja e martesës, praktika e shtetësisë hidhet poshtë, pasi normat e reja përcaktojnë – dhe kjo është risia më e rëndësishme – që martesa duhet të jetë e tillë deri në çastin e njohjes së shtetësisë nga Ministria e Brendshme.

Një risi tjetër është edhe fakti që nuk do të mund të vetëcertifikohet më statusi familjar, rezidenca, apo të tjera kushte, por i duhen bashkangjitur kërkesës dokumentacioni i nevojshëm (certifikata të zyrave të Gjendjes civile) që dëshmon këto fakte. Në rast se ky dokumentacion nuk paraqitet, kërkesa nuk do të pranohet (kjo vlen edhe për shtetasit komunitarë). Vetëcertifikimet nuk do të pranohen më qoftë për kërkesat e shtetësisë për martesë qoftë për ato për natyralizim.

Me normën e re parashikohet gjithashtu edhe kontributi prej 200 eurosh për të gjitha kërkesat për shtetësi (për cilindo motiv qofshin) që paraqiten nga 8 gushti 2009 e këtej. Meqë ministria e Brendshme ende nuk ka përcaktuar mënyrat e kryerjes së derdhjes së shumës, kërkesat e shtetësisë po pranohen “me rezervë”, që do të thotë se të gjithë ata që po dorëzojnë kërkesat për shtetësi do të mund ta bëjnë normalisht këtë gjë, por do të njoftohen më pas se si e kur të paguajnë 200 eurot.

Po kërkesat e vjetra?
Nuk mund të mendojë se ka shpëtuar kush ka paraqitur kërkesë për shtetësinë para ardhjes në fuqi të ligjit 94/2009. Surpriza aspak të mira ka edhe për ata që janë në pritje të një përgjigjeje nga Prefektura prej shumë kohësh.

Këtë herë, ministria e Brendshme është treguar shumë e shkathët. Madje dy ditë para ardhjes në fuqi të normave të reja ajo u ka lëshuar një qarkore (më datë 6 gusht 2009) të gjitha Prefekturave ku sqaron se si duhet vepruar me praktikat e paraqitura përpara dhe me ato të paraqitura pas datës 8 gusht 2009.

Praktikat e paraqitura prej mëse dy vjetësh (që është edhe afati ligjor për përmbylljen e praktikës së shtetësisë), duhet të vazhdojnë t’i nënshtrohen normave të vjetra, në fuqi kur janë paraqitur këto praktika. Madje në rastin e praktikave të shtetësisë për martesë, ministria sqaron se ato duhet të mbyllen “me dekretin e njohjes së shtetësisë italiane pasi, pas dy vjetëve, bashkëshorti i huaj ka fituar të drejtë të plotë subjektive të shtetësisë dhe kjo nuk mund t’u mohohet më (sipas nenit 6 të ligjit nr. 91/1992)”.

Ndërsa për praktikat e paraqitura gjatë dy vjetëve të fundit para ardhjes në fuqi të normave të reja (nga 8 gusht 2007 deri më 7 gusht 2009) duhet të aplikohen normat e reja. Në rastin e shtetësisë për martesë, duhet të verifikohet nëse në datën e ardhjes në fuqi të ligjit kërkuesi përmbush kushtin e dy vjetëve rezidencë në Itali pas datës së martesës si dhe, më pas, fakti që martesa është ende e vlefshme në çastin e njohjes së shtetësisë (me anë të një certifikate të re martese).

Për më tepër kërkuesit e shtetësisë për martesë që kanë paraqitur kërkesën dy vjetët e fundit para ardhjes në fuqi të normave të reja duhet të paraqesin edhe të gjithë dokumentacionin në origjinal që kanë vetëcertifikuar në çastin e paraqitjes së kërkesës (certifikatë rezidence, të çështjeve penale hapura dhe të kartotekës së gjykatës etj.).

Gjithashtu ministria ka nxjerrë edhe modularët e rinj që duhen përdorur këtej e tutje për paraqitjen e kërkesave të shtetësisë. Janë të ngjashëm me të mëparshmit, por mes dokumenteve që i duhen bashkëngjitur kërkesës numërohen të gjitha ato që më parë mund edhe të vetëcertifikoheshin si dhe dëshmia e derdhjes së 200 eurove. Këta formularë mund t’i gjeni edhe në faqet internet të gazetës www.shqiptariiitalise.com.
Avv. Mascia Salvatore

Quando i romeni eravamo noi

Jozefina Topalli, çmim ndërkombëtar në Capri