Qeveria kroate ka vendosur të shtyjë deri në fund të vitit regjimin e hyrjes pa viza për shqiptarët. Në qershor Kroacia kishte vendosur heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë për periudhën korrik – tetor 2010
Tiranë, 24 Shtator 2010 – Kroacia do të zgjasë regjimin e hyrjes pa viza deri në fund të këtij viti, pas aplikimit të këtij regjimi për qytetarët shqiptarë gjatë sezonit turistik. E konfirmoi ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Jadrokoviç në takim me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto në Nju Jork.
Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në takim, u ritheksua niveli i marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Kroacisë dhe u ra dakord, që ato të konkretizohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, u përmendën projektet me interes të përbashkët si vazhdimi i ndërtimit të autostradës së Adriatikut si një urë lidhjeje e ngushtë mes vendeve dhe popujve të rajonit, nga Sllovenia, në Greqi.
Vendimi për vazhdimin e regjimit të heqjes së vizave, edhe gjatë sezonin turistik dimëror, i shërben të gjithë qytetarëve shqiptare, që dëshirojnë të kalojnë pushimet në Kroaci, apo të zhvillojnë veprimtari të ndryshme tregtare me Kroacinë. Por ky vendim është veçanërisht i dobishëm për emigrantët shqiptarë në veri të Italisë e vende të tjera të Europës qendrore e veriore, që për të shkuar në Shqipëri me familjet e tyre zgjedhin, për arsye të ndryshme të kalojnë transit përmes Kroacisë.