Përfundojnë në pranga Vincenzo Soddu, i biri dhe tetë të tjerë për falimentimin me qëllim mashtrimi të kompanisë ajrore My Air dhe për mashtrim ndaj shtetit. Soddu fshihej edhe pas Star Airways, kompania ajrore shqiptare më jetëshkurtër
15 dhjetor 2010 – Gjashtë vjet pas arrestimit të parë për rrënimin e kompanisë ajrore Volare, komandanti Vincenzo Soddu, emri i fshehtë pas shoqërisë italo-shqiptare Star Airways, është arrestuar për fundosjen e My Air, që falimentoi me një humbje prej 215 milionë eurove, dhe duke lënë në rrugë rreth 600 punonjës.
Të mërkurën në mëngjes më 15 dhjetor, Guardia di Finanza ka trokitur në dyert e dhjetë ish administratorëve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të My Air duke i vënë prangat Soddut, të birit Luca Soddu, ish anëtar i bordit të My Air dhe tetë të tjerë.
Vendimtare që gjykatësi të vendoste për arrestimin e Soddu-t, ishte dyshimi i Prokurorisë se themeluesi i My Air mund të përsëriste veprat penale për të cilat akuzohet, pas krijimit në Shqipëri të Star Airways. E mesa duket kështu ka ndodhur vërtet, janë ende të freskëta telashet që këtë verë përjetuan qindra udhëtarë shqiptarë të mbetur aeroporteve me një biletë Star Airways në dorë në pritje të një avioni që nuk arriti kurrë.
Siç ishte nxjerrë në pah në një artikull hulumtues të “Botës Shqiptare” të shtatorit të kaluar, karriera rokamboleske e e Soddut, ish pilot solist i Frecce Ttricolori, flota akrobatike e Aeronautica Militare Italiana, nisi kur ai la avionin si pilot, për t’i hyrë biznesit si sipërmarrës shoqërish ajrore: është ndër themeluesit e Alpi Eagles, së cilës i hiqet licenca nga Enac, enti i aviacionit civil italian. Në vitin 1997 bëhet aksionist administrator i përgjithshëm i Volare. Pas shumë vonesash, mospagime taksash e parregullsi në bilanc shoqëria merr pikiatën drejt falimentimit dhe Soddu arrestohet. Pikërisht ndërsa Volare përplaset përfundimisht duke lënë pas miliona borxhe, lind një tjetër shoqëri që do të plandoset edhe ajo me zhurmë, MyAir. Edhe MyWay shkon drejt falimentimit: mbetet në tokë përfundimisht më 21 korrik 2009 duke lënë me gisht në gojë mijëra pasagjerë që kishin prenotuar pushimet e në kaos gjysmën e aeroporteve italiane. MyWay falimenton duke lënë pas një borxh prej 150 milionë eurosh.
E nxjerrë në ankand, oferta me e veçantë që mbërrin në Gjykatën e Vicenzas për të blerë shoqërinë e falimentuar My Air vjen nga një shoqëri shqiptare, Star Airways. Me një fidejuksion bankar prej 22 milionë eurosh, shoqëria shqiptare kërkon të blejë My Air-n. Por Gjykatësi e hedh poshtë kërkesën duke e konsideruar të pamjaftueshme shifrën përballë borxhit të krijuar. Star Airways atëherë kërkon vetëm të marrë me qera operacionet dhe mjete. Duke ofruar 9 milionë euro. Por edhe këtë gjykatësi e hedh poshtë.
Star Airways, dalë nga hiçi, e formuar veç në qershor 2008, ka emrin e një kompanie ajrore, dhe licencën në marrje e sipër, por asnjë mjet, asnjë personel, e asnjë kontratë me aeroportet twrheq vwmendjen e shtypit italian i cili fillon të hetojë dhe gjen pa vështirësi që pas saj fshihet i njëjti emër, Vincenzo Soddu. Një artikull i Corriere della Sera i 3 shkurtit të kaluar gjen me lehtësi se pas shoqërisë që kishte dashur të blinte My Air-in e Soddut fshihet vetë Soddu i cili asokohe gjendej në Shqipëri. StarAirways do të përfundojë karrierën e vet të shkurtër në të njëjtën formë si të tjerat shoqëri të Soddu-t, duke lënë në tokë mijëra pasagjerë, e një borxh falimentimi që ende nuk e njohim. Ndonëse Star Airways nuk ka shpallur ende formalisht falemintimin, ka pezulluar që në shtator fluturimet. Dhe siç vënë në dukje gjykatësit në urdhërarrestin ndaj Soddu-t, dyshimi se mos ky ka qenë duke luajtur edhe tani një lojë fiskale borxhesh të StarAirways ka sjellë edhe arrestimin e tij.
Star Airways, me sa deklarojnë deri më tani hetuesit italianë, nuk është përfshirë në hetime, por mekanizmi i mashtrimit i ngritur nga Soddu mbështetet edhe në shoqrinë ajrore jetëshkurtër shqiptare e cila sipa hetuesve i ka shërbyer si tenativë për të mbetur në treg e për të vijuar punën nëprmjet një sistemi të ndërlikuar falimentimesh të shoqërive të tjera ajrore që merrnin fonde publike (48 milionë euro pat marrë My Air nga Regione Puglia pasi pat premtuar linja fluturimi drejt Barit e Brindisit) për t’i përcjellë pastaj këto fonde në shoqëri të tjera matrioshka që falimentonin me radhë, e financimet publike zhdukeshin kështu pa lënë gjurmë.
ro.se.
Lexo edhe: Ylli i shuar Star Airways