Rama: “Do të kërkojmë ekspertizë të huaj”
Të shtunën, në konferencën e tij të shtypit kreu i PS-së, Edi Rama, kundërshtoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor
Edi Rama, në një konferencë për shtyp në selinë e PS-së, të shtunën u shpreh që “Kolegji Zgjedhor ka bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë duke sfiduar sovranitetin e popullit, kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, opinionet e shqetësimet publike të misionit të ODIHR-it, si dhe të të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë”.
Sipas tij, vendimmarrja e një nate më parë e Kolegjit ka dëshmuar edhe një herë se fjala drejtësi në Shqipëri është zbrazur.
“Fjala e fundit në këtë betejë për drejtësinë s’është thënë ende”, u shpreh Rama, i cili shtoi se, “vendimi na shton fuqinë për të luftuar deri në fund që e drejta të shkojë në vendin e vet”.
Sipas Ramës, ekspertiza e ndërkombëtarëve është e vetmja shpresë për të hedhur dritë në mënyrë ligjore: “Dua t’u drejtohem miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, duke u thënë se për ne vendimi i 3 qershorit është kambana më e fortë e alarmit për humnerën ku mund të rrëshqasë ky vend”.
Duke iu drejtuar socialistëve tha “do të vazhdojmë betejën duke besuar fort tek e vërteta, duke luftuar hap pas hapi për të drejtën dhe duke u përgatitur ditë pas dite për rezistencën e pashembullt që na takon të bëjmë në rast se e drejta merret përkohësisht peng me vulë gjykate”.