Në vendin tonë kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
…dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Aty këtu në hijet
e flamujve
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plas diellin e gazit,
nsa prej marazit
pëlcasim.
Ne prakun e çdo banese
ku ka ndonj shenj jetesë
valon nga një flamur
melankolie të trishtueshme.
Më rikthehen këto vargje tek shikoj flamujt tanë anekënd Shqipërisë, në ballkonet jashtë kufijve, në statuset tona të zemrave. Vallë është vargu i Migjenit që ka forcë të pakushtëzuar në kohë dhe në situatë, apo ne vazhdojmë të risjellim vargun e tij në melankolinë e fytyrave të lypsave rrugëve të bukura të Tiranës.
Ai është i ulur në një qoshe dhe mendohet jo më të shesë shkrepse por të krijojë diçka për të mbijetuar dhe flamujtë e shikojnë nga lart me krenari kombi të papërfillshëm. Se sot është festë por nesër jeta vazhdon. Dhe nëse flamujt do t’i heqin rrugëve, me gjithë shpenzimet e pallogaritura që janë bërë për t’u ndier të pranishëm në festë, atë nuk e heq kush nga rruga për t’u ndier i pranishëm në jetën e të vobektit. Do të qëndrojë aty gjatë me sytë e ngulur rrugës me zhurmë makinash luksoze, do të qëndrojë aty gjatë duke parë dritat e qytetit si fiken një nga një pas festës dhe pa kuptuar do të shtrihet me dorën gjysmë të hapur të kërkojë lëmoshë.
Është vallë kjo që deshëm të ndërtonim për 100 vjet pamvarësi. Nga ç’gjëmë u çliruam se njerëzit vazhdojnë të mbijetojnë dhe flamujt valviten hareshëm sikur asgjë nuk po ndodh sikur çdogjë shkon si sahat. Kohë e mbushur me gjëma dhe kohë e ndaluar nën ndriçimin e shkëlqimit të rremë.
Anila Kadija