Poeti është gjetur i vdekur në Francë disa ditë më parë ku po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée” në qytetin e Lodève. Sipas raportit paraprak mjeko-ligjor të kryer nga autoritetet franceze, mbi të nuk është ushtruar dhunë, por mendohet se duke humbur orientimin në pyll, të ketë vdekur si pasojë e dehidratimit
Prishtinë, 25 korrik 2012 – Trupi i poetit Podrimja pritet të mbërrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nesër në ora 8:55 në mëngjes, nga Gjeneva.
Homazhet në nderim të jetës dhe veprës së akademik Podrimjes mbahen në mjediset e Akademisë po më 26 korrik, prej orës 12:00-14:00.
Kortezhi me trupin e pajetë të akademik Podrimjes niset për në banesën e tij të fundit nga selia e Akademisë në orën 14:00.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës bëri të ditur sot se ka marrë të gjitha masat dhe ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme për të sjellë në Kosovë trupin e poetit të madh kosovar, Ali Podrimja, i cili u gjet i vdekur të shtunën, në afërsi të qytetit Lodève të Francës, ku kishte shkuar në festivalin e poezisë “Voix de la Méditerranée”.
Me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Ministria e Jashtme, përmes Ambasadës së Kosovës në Paris, përveç angazhimit maksimal për gjetjen e poetit Podrimja, tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme dhe ka aranzhuar plotësisht transportin e trupit të poetit Podrimja në atdhe.
Ambasada e Kosovës në Francë gjatë të premtes në Paris, do të mbajë një akademi përkujtimore për nder të jetës dhe veprës së poetit Podrimja, ku pritet të marrin pjesë trupi diplomatik i akredituar në Paris, përfaqësues të institucioneve franceze, poetë, shkrimtarë e intelektualë francezë si dhe qytetarë të tjerë. (ATSh)