in

Ngjarjet që i dhanë tonin vitit 2011 në Shqipëri

Zgjedhjet e 8 majit

Ngjarjet e 21 Janarit vetëm sa e rënduan situatën që I paraprinte zgjedhjeve vendore. Socialistët këmbëngulnin se nuk mund të bëhej fjalë për zgjedhje në një situatë të tillë duke kërkuar si zgjidhje zgjedhjet e parakohshme. Një ide e cila nuk u mbështet nga ndërkombëtarët të angazhuar në ndërmjetësimin e krizës. Madje zgjedhjet e 8 majit u panë si një mundësi që vendi të kthente faqe
Ndërsa për një reformë zgjedhore as që bëhej fjalë, socialistët për një kohë të gjatë luajtën me një qëndrim të dyzuar: “Bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës është një ëndërr që Saliu Ilir dhe kusarët me radhë është një ëndërr që e shohin prej kohësh, por nuk do të bëhet realitet. Ne e kemi bërë të qartë se në këto kushte zgjedhjet nuk mund të zhvillohen”, deklaroi më 1 mars kryetari socialist.

Mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve gjithashtu ishte një variant që nuk u përkrah nga ndërkombëtarët, ndërsa shumica ishte kategorikisht kundër. “Zgjedhjet do të bëhen më 8 maj dhe nuk do të ketë forcë që do mundë t’i zhvendosë ato”, përsëriti disa herë kryeministri Berisha.

Data e zgjedhjeve do të afrohet mes vështirësive të shumta. Komisioni qendror prej kohësh ishte pa tre anëtarët që përfaqësonin opozitën, vonesa pati në regjistrime, dhe akuzat për manipulime nuk munguan.  “Zgjedhjet e 8 majit janë plotësisht në rrezik”, paralajmëroi zoti Rama më 22 mars.

Socialistët u përpoqën të merrnin disa garanci duke kërkuar të kishin listat e votuesve në dispozicion, mundësi për verifikimin e kartave të identitetit apo të drejtën e çdo partie për hetimin e kutive pas zgjedhjeve. Edhe një tryezë mes dy kampeve dështoi pikërisht prej kërkesës për këto garanci.

Trysnia ndërkombëtare gjatë gjithë kohës ka qenë shumë e lartë, veçanërisht nga Brukseli i cili përsëriste rëndësinë e procesit zgjedhor për integrimin.

Me gjithë peripecitë,  fushata zgjedhore  do të nisë. Ajo do të paraprihet nga situata të shumta tensioni në zona të ndryshme të vendit. Në qendër do të mbetet dueli i madh për Tiranën. Demokratët e kishin shpallur prej kohësh kandidatin e tyre Lulëzim Basha dhe e zyrtarizuan atë më 25 mars. Gjatë gjithë fushatës kryeministri nuk do shfaqet asnjëherë në Tiranë. Zoti Basha shmangu debatin politik: “Zgjidhni alternativën që ju vendos ju të parët, Tiranën të parën”, do të ftonte votuesit ai në hapje të fushatës. Publikisht zhvillon një fushatë larg eksponentëve të partisë e strukturave të saj, të cilat megjithatë i dhanë mbështetjen më të madhe që kish pasur më parë ndonjë kandidat tjetër.

Zoti Rama e mori vendimin në fund të marsit, për të rikandiduar për herë të katërt dhe do të ndërtojë fushatën me një theks të fortë politik, jo vetëm në Tiranë: “Një lëvizje të re demokratike që do ta udhëheqim pa asnjë ngurrim duke i bërë thirrje popullit, hapur, qartë, troç, që të dëbojë qeverinë njësoj si regjimet që pengojnë demokracinë të bëjë punën e saj”, tha zoti Rama në takimin hapës së fushatës.
Në fillim ai do të përpiqet ta injorojë rivalin e tij, por më pas dhe ai do të hyjë në betejën e premtimeve dhe projekteve. Socialistët do të ofrojnë një pakt më qytetarët

8 Maji kaloi përgjithësisht qetë dhe vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtarë do të ishte se “zgjedhjet u  zhvilluan në mënyrë transparente dhe konkurruese”. Socialistët regjistrojnë fitore në qytetet kryesore të vendit madje dhe në bastione demokrate.

Por beteja e Tiranës do të shfaqej tepër e komplikuar. Numërimi do të zgjasë. Avantazhi i ditëve të para i zotit Rama do të tkurret dhe deri në fund të garës zoti Basha do të jetë në epërsi, e cila vjen e zbehet duke u ngushtuar në pak vota. Gjithçka do të vendoset në kutinë e fundit në njësinë 5 më 14 maj, pas orësh nervash e tensioni. Zoti Rama rezulton me 10 vota diferencë dhe shpall fitoren. “Për mua ishin vetëm 10 vota, për të gjithë ata që luftuan me mua ishte nota 10”, tha zoti Rama para mbështetësve të tij në selinë e partisë socialiste.

Për zotin Basha loja nuk mund të quhet e mbyllur: “KQZ po përllogarit rezultatin final dhe akoma nuk e dimë se kush është fituesi”.

Në të vërtetë gara do të rihapet pas këtij momenti. Mbrëmjen e asaj dite, ndërsa vazhdonte numërimi për minibashkitë, përfaqësuesit demokratë nisën të kërkonin që votat e hedhura në kutitë e gabuara, të cilat deri atëherë, sipas raportit të Odihr, ishin vlerësuar të pavlefshme, të mos konsideroheshin më të tilla. Kjo do të kthehej në një kërkesë zyrtare dhe për komisionin qendror, kryetari i të cilit propozon më 17 maj një projektvendim për këtë.  Për vëzhguesit ndërkombëtar projektvendimi i cili nuk ju bë publik palëve nuk kishte një bazë të qartë ligjore. Më 18 maj “Komisioni filloi hapjen e kutive të votimit menjëherë pas votimit të vendimit në parim çka tregon se kutitë ishin sjellë që më parë në ambientet e KQZ” do vlerësonte më pas misioni i vëzhguesve.

Socialistët protestojnë ashpër.  “Kurrë, askush nuk und ta përmbysë rezultatin në tavolinë përmes rrugësh qorre që vetëm do fusnin vendin në një tatëpjetë shumë të rrezikshme”, reagon zoti Rama.

Hija e një kthimi të rrezikshëm pas mbretëron. Deputetët socialistë janë në krye të protestave përpara Komisionit qendror, ndërsa në qytete të ndryshme të vendit bllokohen akset rrugore.
Ndërkombëtarët ndërhyjnë sërish. Opozita do të tërhiqet, por procesi i nisur nga komisioni qendror i zgjedhjeve vazhdon në rrjedhën e nisur. Me gjithë kundërshtitë e shumta, më 23 maj KQZ shpalli rezultatet zyrtare të garës, ku zoti Basha kishte një avantazh prej 81 votash dhe shpallet fitues.

“Turp, nuk ka më turp” u shpreh zoti Rama. Ndërsa rivali i tij, zoti Basha, deklaron se “unë do të pres deri në përfundimin e procesit”.

Procesi do të zgjasë edhe disa javë. Socialistët bëjnë një seri ankimesh. E para do të rrëzohet më 3 Qershor. Kolegji do të urdhërojë më 13 qershor, pas ankimit të dytë, rinumërimin e të gjithë kutive. Shifrat do të ndryshojnë me pak. Zoti Basha merr edhe disa vota të tjera. Ndërsa ankimimi i tretë për diferencat në shifra ku rezultonin 870 vota më shumë se votues rrëzohet më 8 korrik dhe çështja nuk u gjykua në themel “për shkak të kalimit të afatit ligjor të padisë me objekt pavlefshmërinë”. Për kryetarin socialist Rama “drejtësia në Shqipëri ka vdekur”.

Vlerësimi i vëzhguesve ndërkombëtar për këtë fazë të procesit do të jetë kritik si ndaj KQZ ashtu dhe ndaj Kolegjit.

Në mbrëmje në selinë e PD do të shpërthejnë fishekzjarrët. Demokratët kanë fituar shumicën e minibashkive në kryeqytet, ndërkohë që i gëzohen diferencës së thellë në numër votash në rang vendi si koalicion. Më 25 korrik Zoti Basha hyri në Bashki dhe bëri betimin si drejtuesi i ri i kryeqytetit.

100 telefonata ish të dashurës natën e Vitit të Ri. Arrestohet për stalking

Udhëtimi me avion. Asnjëherë më i sigurt se në vitin 2011