in

Nis Mos Maiorum, gjuetia migrantëve dhe refugjatëve në mbarë Evropën

Arci dhe Cir kundër aksionit të nisur nga policitë evropiane. “Një fushatë e gjerë raciste”, “Edhe kjo u mungonte të mbijetuarve të Mesdheut”

Romë, 14 tetor 2014 – Ka nisur të hënën, më 13 tetor, e do të vazhdojë deri më 26, aksioni “Mos Maiorum”. Tetëmbëdhjetë mijë agjentë policie po kërkojnë migrantët e parregullt për të mbledhur – ky është qëllimi zyrtar – informacione të dobishme për të luftuar trafikantët e njerëzve.

Janë të shumta shoqatat që punojnë përkrah migrantëve dhe refugjatëve që shprehen kundër aksionit. Sipas Arci-t, për shembull, aksioni është “persekutor dhe racist”. “Dhjetë ditë pas përkujtimit të mbytjes tragjike në ujërat e Lampedusas të 2013-tës, ka nisur një “gjueti e mirëfilltë  e migrantëve” e koordinuar nga Ministria e Brendshme Italiane me mbështetjen e Frontex-it dhe Europol-it”.

Arci flet për “një fushatë ndalimesh të shtrirë në shkallë evropiane që ka për qëllim mbledhjen e të dhënave personale të personave me dokumente të rreme, të kërkuesve të azilit të cilëve u është hedhur poshtë kërkesa dhe të trafikantëve” dhe kërkon më shumë transparencë. “Përveç këtij fakti, të rëndë, që Parlamenti Evropian duket se nuk arrin të dallojë në këtë projekt, – shton – ngrenë probleme qoftë mungesa e qartësisë mbi bazat ligjore të këtyre kontrolleve qoftë realizimi i gjithë këtij operacioni. Asnjë informacion nuk është dhënë se si do të përdoren të dhënat e mbledhura me marrjen në pyetje të të ndaluarve apo nëse do të ketë aksione të përbashkëta riatdhesimesh”.

Të mbijetuarit e anijeve të mbytura vetëm këtë kishin mangut” komenton Këshilli Italian për Refugjatët (Cir). “Jo vetëm që nuk mund të mbërrijnë në mënyrë normale e të sigurt në Evropë, jo vetëm që u duhet të paguajnë trafikantët e të rrezikojnë jetën për të kërkuar azil në këtë kontinent, jo vetëm që, pasi mbërrijnë në një vend çfarëdo evropian, nuk të shkojnë në mënyrë të rregullt në vendin e destinacionit ku kanë një rrjet familjar e miqsh që i pret, tani u duhet edhe të fshihen për t’u shpëtuar forcave të policive të cilat nga 13 tetori është vënë në kërkim të tyre”.

“Fatkeqësisht – shkruan drejtori i Cir-it Christopher Hein – e gjithë kjo ka vetëm një kuptim: një pjesë e politikës evropiane, ajo që komandon sistemin e sigurisë, dëshiron të japë një sinjal shumë të qartë në kundërshtim të plotë me deklaratat e bëra dhjetë ditë më parë në Lampedusa edhe nga kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Shultz, e kryetarja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini, mbi nevojën e ngritjes së kanaleve humanitare që të mund të përdoren nga refugjatët për të mbërritur në Evropë, e promovimit të një solidariteti më të madh mes Vendeve Anëtare e të vazhdimit të veprimtarive të shpëtimit në det në kuadrin e Mare Nostrum apo të një operacioni të ngjashëm me të”.

“Mbi kurrizin e refugjatëve dhe të azilkërkuesve – shton Hein – po luhet një luftë politike mbi orientimet e ardhshme të BE-së dhe të secilit Vend Anëtar në lidhje me temat kyçe si mbrojtja ndërkombëtare, e drejta e azilit dhe respektimi i të drejtave të individit”. 

“Njoh vrasësit e Artan Santos”. Sa i besueshëm është dëshmitari?

Ambasadori gjerman: Rritja e kërkesave për azil vë në rrezik lëvizjen e lirë në Schengen