Romë, 11 janar 2011 – Edicioni i 11-të i emisionit Grande Fratello shton numrin e konkurentëve e mes tyre është dhe një e re shqiptare. Quhet Erinela Bitri e ka lindur më 23 tetor të vitit 1986 në Berat. E ardhur me familjen në Itali përpara 20 vjetësh, Erinela ka mbaruar shkollën e mesme për specialiste në fushën e turizmit dhe punon si shitëse në Bologna.
Në prezantimin e bërë në emision ajo e përcakton veten si “shumë e gjallë, pozitive, optimiste dhe pak mendjemadhe”.
Vajza shqiptare pranon se nuk ka karakter të lehtë, se nuk duron hipokrizinë dhe se nuk i druhet përballjeve që mund të ketë në shtëpinë më të vëzhguar në Itali. Erinela nuk harroi të përmendë familjen me të cilën është shumë e lidhur e të vëllanë që është një prej njerëzve më të rëndësishëm për të.
Siç i përshtatet një konkurrenteje të këtij emisioni, edhe Erinela ndjek shumë modën dhe kujdeset së tepërmi për pamjen e jashtme. Por me kalimin e ditëve ajo do të ketë mundësi të tregojë edhe karakterin e kulturën e saj.