in

“Njoh vrasësit e Artan Santos”. Sa i besueshëm është dëshmitari?

Tre muaj e gjysmë nga vrasja mafioze e bankierit Artan Santo, një qytetar ka dëshmuar në News24 (media që ka pasur mes pronarëve edhe të ndjerin) rreth të dhënave të rëndësishme që sipas tij ka kallëzuar në polici për personat e përfshirë në atentat.

Në intervistën e dhënë gazetarit Artur Çani, dëshmitari – identiteti i të cilit nuk bëhet publik për arsye sigurie – tregon se më 25 gusht ka komunikuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, për t’i rrëfyer faktet e shumta që njeh, madje edhe emrat e autorëve të vrasjes së bankierit, dhe se drejtori Didi nuk ka marrë parasysh versionin e tij.

Dëshminë e plotë mund ta lexoni vetë këtu në fund apo ta ndiqni në video, por janë të shumta dyshimet që lindin mbi vërtetësinë e saj. Në të vërtetë, kallëzuesi nuk jep as emra, as ndonjë fakt të mirëfilltë të verifikueshëm. Ato që tregon ai në News24 duken si historira kafenesh: “Dëgjova një bisedë familjare, gjatë të cilës gruaja e një zotërie që ka motorin i thonte të ëmës se i shoqi kish vrarë bankierin për 300 mijë euro borxh…”. E vetmja gjë që e shqetëson është fakti që nuk i janë dhënë 100 mijë eurot e premtuara nga policia për këdo që do të jepte të dhëna mbi vrasjen e Santos. Thotë që policia nuk ka luajtur as gishtin pas dëshmisë së dhënë prej tij. Pse? Nuk ka dashur t’i japë 100 mijë eurot? Apo nuk e ka besuar? E pra policia është prej kohësh nën presion për atë atentat në zemër të Tiranës, e duhet të mos kish lënë gur pa lëvizur nëse pista e dëshmitarit do të ishte sado pak e besueshme.

I çuditshëm edhe qëndrimi i gazetarit që nuk kërkon të hyjë më në hollësi të rrëfimit. Janë të shumta pyetjet që lindin: meqë rrëfyesi thotë se ka dëgjuar bisedën familjare, a nuk i zuri veshi për shembull, edhe pse i ishin dashur 300 mijë euro Santos? E meqë identiteti i rrëfyesit është sidoqoftë i fshehur, pra ai nuk mund të njihet nga vrasësit e Artan Santos, nuk do t’ia vlente një përpjekje për të mësuar nga rrëfyesi më shumë rreth këtyre vrasësve?

Të mbetet shija e hidhur se kjo intervistë e News24 më shumë se të japë ndonjë detaj të vlefshëm mbi vrasjen e Santos, ka për qëllim tjetër gjë. Çfarë? Thjesht të bëjë pak zhurmë në publik e të mbajë vëmendjen mbi veten për ca orë?

Sonte një rezultat e dha: rindezi polemikën mes PD-së dhe ministrisë së Brendshme.
Deputeti demokrat Arben Ristani përmes një deklarate për mediat thekson se dëshmia tronditëse është një akuzë e rëndë për Policinë e Shtetit, dhe forcon dyshimet se pas ekzekutimit mizor të financierit dhe botuesit të njohur, qëndrojnë segmente të qeverisë. “Qytetari denoncon publikisht se ka pasur prova dhe emra të vrasësve, dhe ia ka dhënë ato Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Por qytetari është shpërfillur nga policia pasi ndihma që ai ka dhënë për zbardhjen e ngjarjes nuk është marrë në konsideratë. Informacionet që ka dhënë ai, janë hedhur në kosh. Qytetari i është përgjigjur thirrjes publike të autoriteteve, për të dhënë informacion, por ai është përballur me heshtjen dhe

indiferencën e policisë. Shpërfillja, lënia në rrugë e dëshmitarit, për raste të rënda kriminale, ku qeveria ka interesa, është kthyer tashmë në fenomen” pohon Ristani.

Ministria e Brendshme përgjigjet duke hedhur poshtë me neveri akuzat tërësisht politike të Partisë Demokratike. “Policia e Shtetit ka konsideruar maksimalisht çdo informacion të ardhur në adresë të saj dhe që ka pasur të dhëna të nevojshme për zbardhjen e ngjarjeve kriminale si dhe zbulimin e autorëve të tyre.  Edhe në rastin e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos, policia ka administruar me seriozitetin e duhur çdo informacion që është dhënë nga qytetarë të ndryshëm, duke verifikuar çdo të dhënë, edhe kur janë paraqitur nga persona anonim” thuhet në deklaratën për mediat.

Sa për intervistën e News24 thotë:“Ministria e Punëve të Brendshme shpreh keqardhje për mungesën e profesionalizmit të treguar nga ana e televizionit “News 24”, i cili është përpjekur të hedhë baltë mbi punën e policisë duke ngritur hije dyshimi pa asnjë bazë faktike, por vetëm duke u nisur nga hamendësime dhe deklarime anonime. Hapja e ekranit të TV për çdo njeri që pretendon se di rrethana dhe publikimi i tyre pa asnjë verifikim dhe filtër etik, profesional dhe institucional, cënon procesin hetimor. Pa dashur të insinuojmë se është pikërisht ky qëllimi i “News24” lidhur me vrasjen e z. Santo, Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje për profesionalizëm dhe etikë, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbështetjen e luftës kundër krimit të organizuar”.

Dëshmia e dhënë në News24:

Gazetari: Kur je vënë në dijeni të kësaj çështjeje ti? 

Rrëfyesi: Kam shkuar dhe përqark dhe kam parë disa herë. Ditën që u bë vrasja shkova të shikoja ku parkohej ditë për ditë dhe nuk ishte. Shkova ditë për ditë atje dhe në krye të 14 ditëve ka dalë motori i modifikuar.

Çfarë modifikimi i kishin bërë motorit?

Para vrasjes motori pjesën e parme dhe të pasme e ka pasur të bardhë, pas vrasjes e kanë bërë të zezë dhe disa modifikime të tjera të vogla që nuk i dallon. Aty u vura në dyshim. Më pas shkova te një miku im në Tiranë për darkë. Atje ku kam dëgjuar një bisedë familjare, që gruaja e këtij zotërisë që ka motorin i ka thënë nënës së vet që bankierin e ka vrarë sepse më ka marrë 300 mijë euro. Po për këtë nuk kam prova që ta vërtetoj që gruaja e shoferit i ka thënë nënës së vetë. Më pas aty u sigurova më shumë dhe lajmërova policinë, e kam marrë në telefon Artan Didin dhe i thashë kam zbuluar vrasësit e Artan Santos në këmbim të 100 mijë eurove. Ai pranoi, më tha më jep emrat. I dhashë emrat, më pas ai kërkonte prova të tjera. Kështu që unë vazhdova, pasi unë nihja një mikun e tyre (të autorëve) më pas e kam konfirmuar me miqtë e tij. Njoha një mikun e tyre, mikun e vrasësve edhe i thashë që për mua 99% ata janë. Ai ma konfirmoi duke thënë se ata janë vrasësit dhe se për arsyet e mija personale nuk bashkëpunoj, nuk i denoncoj. Ia tregova dhe këtë Artan Didit që miku i tyre e konfirmon që janë ata, dhe më pas ai kërkoi sërish prova. Nëpërmjet një mikut tim i kam dërguar emrat dhe mbiemrat. E kam parë motorin më datë 16 qershor edhe motorin me targë edhe ata pa kokore, kemi bërë marrëveshje që s’do i zbuloja askujt. Më tha mos heq dorë, ata janë por që do e kem të vështirë se policia nuk ka dëshirë ta zbardhë.

Gazetari: Kontakte me njerëz të tjerë?

Unë me Artan Didin kam vënë kontakte. Ia kam dhënë emrat. Nuk kanë interes. Po të kishte interes për 24 orë me prova të që kam dhënë unë duhet t’i kishte kapur. Nuk ka interes.

Gazetari: Po Pse iu drejtove mediave?

Më vjen inat, e kam bërë marrëveshjen me policinë që këta janë emrat dhe do të japë në këmbim 100 mijë euro, as nuk më thotë që këta janë, do ta mbajë një farë kohe këtë muhabet dhe pastaj ta humbi, prandaj i jam drejtuar shtypit që të konfirmohet është apo jo. Unë për veten time jam i sigurt tre herë.

Gazetari: E ke takuar ndonjëherë Didin?

Më ka kërkuar dy herë të takohet ai, por miku im nuk më ka lejuar, pasi ne e kemi hedhur hapin e parë kemi treguar emrat, ai duhet të hedhi hapin e vet e të bëjë arrestimet, pastaj të takohemi. Duhet të jetë reciproke, nëse nuk bashkëpunon ai përse duhe të takohemi.

Gazetari: Ke frikë të takosh Didin?

Frikë nuk kam por nuk kam dhe arsye, unë i jap emrat dhe ai nuk bën punën. Për çfarë ta takoj? Nuk kam besim.

Futboll. Në pritje të sfidës me Serbinë

Nis Mos Maiorum, gjuetia migrantëve dhe refugjatëve në mbarë Evropën