in

Olen Cesari: “Lucio Dalla, një mik i shtrenjtë”

Shuhet kantautori italian Lucio Dalla. Violinisti Olen Cesari e ka njohur nga afër e sot i dërrmuar thotë: “Jam i dëshpëruar. Nuk arrij ta besoj!”

Romë, 1 mars 2012 – Një lajm i hidhur ka tronditur Italinë sot rreth mesditës kur agjencitë e shtypit kanë lajmëruar vdekjen e papritur të kantautorit të njohur italian, Lucio Dalla. Është shuar papritur në mëngjes për shkak të një infarkti në Zvicër,  ku ndodhej për një sërë koncertesh. Pas pak ditësh, më 4 mars, do të mbushte 69 vjeç. Shfaqja e fundit e artistit përpara publikut italian ishte Festivali i Sanremos vetëm pak ditë më parë, kur shoqëroi  në piano Pierdavide Caronen që interpretoi këngën “Nanì”.

Violinisti Olen Cesari është një prej atyre që e ka njohur nga afër. I kontaktuar nga “Shqiptari i Italise” menjehere pas lajmit, Oleni është i dërrmuar: “Një dëshpërim i papërballueshëm. Nuk arrij ta besoj”.

Ka bashkëpunuar gjatë me “Lucion”, siç e thërret ai. “Karriera ime në Itali “shpërtheu” me një koncert të Lucio Dallës.  – kujton Oleni – Unë shkova ta dëgjoj një koncert të tijin, e kur shfaqja mbaroi, shkova tek dhoma e tij prapa skenës. E Lucio më tha: “Ah, ti je Cesari, kam dëgjuar të flasin mirë për ty, ma trego!”. Thashë: “Hë pra, më thërrit pra”. Më thotë  “A vjen nesër, merr me vete edhe violinën”. Unë s’prita të ma thoshte dy herë, shkova me violinë e i bie një këngë në koncertin e tij në Teatro Olimpico. Mbaroj, përshëndes e bëhem gati të iki, kur ai më kap për krahu: “Jo jo jo, rri këtu”. Bëra gjithë koncertin e të nesërmen më thotë: “Pse nuk vjen me mua në world tour?”. E ndodhi kështu që për një vit e gjysmë kemi bredhur nëpër botë pa u kthyer në shtëpi. Kështu pra, gati rastësisht, ka lindur bashkëpunimi me Lucio Dalla”.

E nga bashkëpunimi ka lindur një miqësi e fortë mes dy artistëve. Sa kur përgatiti diskun e tij të parë, “Unxpected” Oleni thirri, veç të tjerëve edhe Lucio Dallan për të interpretuar së bashku Anema e Core. Dhe Lucio nuk u tërhoq mbrapsht, interpretoi këngën napolitane për mikun e tij. “Jemi dëfryer shumë me Lucion. Ishte artist i madh e njeri akoma më i madh. Një mik i shtrenjtë që do të mbetet përjetë në zemrën time”. (k.bicoku)

 

1 mars: pa pasaportë biometrike jo vetem nuk hyn, por as nuk del dot nga Italia

L’Albania, il Paese di fronte, ti aspetta