I është besuar kompanisë italiane Alitalia udhëtimi i Papës për në Shqipëri. Në Shqipëri ka mbërritur nga Vatikani edhe makina e hapur me të cilën Ati i Shenjtë do të lëvizë në Tiranë.
Një komunikatë e kompanisë Alitalia njofton se ajo ka vënë në dispozicion të Atit të Shenjtë një Airbus A321 që do të niset mëngjesin e të dielës në orën 7.30 nga Fiumicino për të zbritur në aeroportin Nënë Tereza në orën 9.00. I njëjti avion do të presë në Rinas deri në orën 20.00 kur do të niset për të sjellë Papën në Romë, këtë herë në aeroportin Ciampino ku do të mbërrijë në 21.30.
Me Atin e Shenjtë do të udhëtojnë edhe një delegacion shoqërues i Vatikanit dhe përfaqësues të mediave italiane dhe ndërkombëtar.
Alitalia njofton gjithashtu se, për këtë “fluturim papnor”, në bordin e avionit do të operojë edhe një ekip special të kompanisë italiane.
Të premten ka mbërritur në portin e Durrësit edhe makina me të cilën do të lëvizë Papa Françesku gjatë vizitës në Tiranë. Automjeti është një Mercedez “G Class”, i pambuluar, me ngjyrë të bardhë, i modifikuar për Atin e Shenjtë. Makina është transportuar në Tiranë, nën shoqërimin e Gardës së Republikës dhe është vendosur në ambientet e Presidencës, aty ku Papa Françesku do të ketë edhe takimet e para zyrtare.