Për herë të parë një nga çmimet e Sant’Ilario, që Komuna e Parmës jep çdo vit me rastin e patronit të qytetit, iu dha një qytetari të huaj. Një ndër gjashtë të dekoruarit ishte dhe Gentian Alimadhi, avokat e kryetari i shoqatës Scanderbeg të Parmës, i cili u vlerësua me “Benemerenza Civica” (meritë qytetare) si shembull integrimi i qytetarëve të rinj të Parmës.
Çmimi Sant’Ilario i jepet nga komuna e Parmës personave, enteve apo shoqatave të shquara në fusha të ndryshme. Mund të jepet për aktivitetin e tyre, sepse janë përpjekur të përmirësojnë jetën e bashkëqytetarëve apo të ngrenë prestigjin e qytetit, apo nëse janë shquar në fushën e artit, shkencës apo sportit.
Në fakt çmimi është një traditë e qytetit, e filluar në vitin 1987 e që atëherë janë nderuar vetëm italianë. E hyrja e avokatit shqiptar në listën e personave të nderuar me këtë çmim është tregues i një ndryshimi, i pasqyruar në kohë nga juria që ka zgjedhur fituesit. Avokati Genti Alimadhi jeton në Itali prej vitit 1993 e është një shembull i gjallë i një ëndrre të realizuar. Nga klandestin në punëtor në një fabrikë, duke vazhduar studimet deri sa pas diplomës dhe provimit të shtetit, hap studion e tij të avokaturës.
Shoqata Scanderbeg, megjithëse është krijuar vetëm pesë vjet më parë, është një ndër më të aktivet e më të vlerësuarat nga administratat lokale. Tanimë ajo ka mbi 250 anëtarë. Një shifër konsiderueshme në një qytet si Parma ku sipas statistikave më të fundit jetojnë rreth 2500 shqiptarë.
Irida Cami