in

Pasaporta e shtrenjtë e emigrantit

Sipas zëvendësministrit të brendshëm Ferdinand Poni, shërbimi i aplikimit dhe i marrjes së pasaportave pranë konsullatave e ambasadave në Greqi e Itali do të fillojë nga tetori. Por shërbimi  mund t’u kushtojë shtrenjtë emigrantëve, rreth 100-110 euro

12 korrik 2010 – Që qeveria shqiptare do t’u mundësojë emigrantëve aplikimin për letërnjoftime apo pasaporta biometrike në vendet e tyre ku banojnë, e ka pohuar dje për mediat zëvendës ministri i Brendshëm shqiptar, Ferdinand Poni.

Sipas tij, “në muajin tetor mund të vendoset një shërbim i tillë pranë ambasadave konsullore në Itali dhe në Greqi”, vende që janë përzgjedhur për shkak se vetëm në to jetojnë rreth 1,2 milion  emigrantë shqiptarë

Emigrantët tanë në Greqi dhe Itali, në tetor mund të aplikojnë pranë konsullatave e ambasadave shqiptare në Selanik, Athinë apo Romë për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike. Më në fund, qeveria kujtohet të pohojë zyrtarisht lehtësimin për emigrantët, të cilët deri tani janë detyruar që të kthehen në Shqipëri për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit, duke lënë ditë pune e duke bërë edhe radha të gjatë në pikat e aplikimit.

“Po shohim mundësinë konkrete të hapjes së pikave të aplikimit në disa nga konsullatat e shteteve fqinje, fillimisht në Itali dhe Greqi. Pas disa kohësh, rreth 3-4 muaj nga sot, qytetarët që banojnë në këto vende do të mund të aplikojnë për pasaportën edhe atje, dhe do ta marrin po atje”, – deklaron Poni.

Të njëjtën gjë kish pohuar për “Botën Shqiptare” edhe ambasadori ynë në Romë Llesh Kola rreth një muaj më parë, por kjo e djeshmja është deklarata e parë zyrtare që vjen drejtpërdrejt nga ministria e Brendshme shqiptare.

Ajo çka nuk do t’u pëlqejë aspak shqiptarëve në mërgim është çmimi i lartë i këtyre dokumenteve në rast të aplikimit në sportelet pranë përfaqësive diplomatike, thuajse dyfishi i kostos në Shqipëri. “Kostoja do të jetë pak më e shtrenjtë sepse i përgjigjet edhe kostos atje. Janë shërbime më të shtrenjta, sepse mirëmbajtja duhet vënë kastile… I takon parlamentit ta vendosë, por mund të jetë diku tek 100-110 euro”, – ka deklaruar Poni.

Ende nuk ka një vendim me shkrim e të shpallur mbi datën e nisjes së aplikimeve pranë përfaqësive, mënyrën e aplikimit, kohën e pritjes dhe as për çmimin e këtij dokumenti. Ndaj mund të shpresohet që zëvendësministri i brendshëm të gabohet mbi çmimin, pasi shifrat për të cilat flet ai u rëndojnë goxha xhepave të emigrantëve, që nëse janë në punë, e fitojnë më shumë se në Shqipëri shpenzojnë gjithashtu shumë më tepër se atje për të përballuar koston e jetesës. Gjithashtu, qeverisë sonë nuk duhet t’i shkojë nëpër mend që meqë nuk u vjel taksa këtyre shqiptarëve, mund t’u ofrojë atyre shërbime me kosto shumë të lartë. Vërtet emigrantët nuk paguajnë drejtpërdrejt taksa në Shqipëri, por në njëfarë mënyre çojnë përpara ekonominë edhe vetëm duke ndihmuar familjet e tyre. Nga ana tjetër, emigrantët nuk jetojnë në “parajsa fiskale”, paguajnë taksa, dhe jo pak, aty ku jetojnë.

Ke.Bi.

Lexo edhe: Katër pasaporta në njëzet vjet

 

 

Qeveria në pikëpyetje?

Goditje e fortë ‘Ndrangheta-s, 304 arrestime në gjithë Italinë