in

Pasaportat biometrike në konsullata. Nga 1 janari, çmimi 130 euro

Zyra konsullore e Shqipërisë në Romë ka afishuar prej disa javësh njoftimin që paralajmëron rritjen e çmimit. Para kësaj date e kanë të detyrueshme të ribëjnë pasaportat personat me vendlindje greke, që tashmë shkruhet siç është rënë dakord mes dy vendeve. dhe jo vetëm për të kursyer, por sepse marrëveshja mes ministrave të jashtëm parashikon që nga 1 janari, në kufi do të pranohen vetëm ata me pasaporta që do të kenë të shënuar saktë toponimet greke 

Romë, 3 dhjetor 2014 – Kush nuk është pajisur me pasaportën biometrike e mendon ta bëjë atë, apo kush ka të dhëna të shkruara me gabime, si bijtë e emigrantëve shqiptarë në Greqi me vendlindjen greke të shkruar shqip,  është mirë të nxitojnë. Nëse aplikojnë para datës 1 janar dhe, akoma më mirë nëse aplikojnë në Shqipëri do të mund të kursejnë ndonjë lek apo euro.

Sepse nga 1 janari 2015, në Shqipëri, kush do të kërkojë pasaportën biometrike do të nxjerrë nga xhepi jo 6.000 por 7.500 lekë, ndërsa për letërnjoftimin elektronik çmimi i ri do të jetë 1.500 lekë në vend të 1.200 lekëve që nevojiten sot. Rritja është plot 25%.

Ndërsa për emigrantët që aplikojnë në konsullata pasaporta do të kushtojë plot 130 euro, siç konfirmojnë edhe nga zyra konsullore e Ambasadës shqiptare në Romë ku prej pak javësh gjendet i afishuar njoftimi: “Referuar ligjit nr. 129/2013 i 15 majit 2013 tarifa për pasaportë për Itali (Romë e Milano) deri më 31 dhjetor 2014 do të jetë 108 euro. Nga janari 2015 o të jetë 130 euro”.

Rritja e çmimit të dokumenteve do të nisë vërtet më 1 janar, por kjo gjë është miratuar që vitin e shkuar, nga mazhoranca e mëparshme, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ka kaluar nën projektligjin “Për rafitikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitet it dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve” që është diskutuar në Komisioni për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” të Kuvendit më 16 prill 2013, më pas ka kaluar në seancë plenare dhe është miratuar më 25 prill 2013, së fundi është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 80 të 15 majit të të njëjtit vit.

U tha kur u miratua ky ligj nga qeveria e shkuar, u konfirmua edhe në tetor nga ministri Tahiri, që nga 1 janari, dokumentet e identitetit do të kenë më shumë elementë sigurie. Apo siç u tha së fundi,nga 1 janari dokumentet shqiptare do të sigurojnë “implementim të protokollit të sigurisë, teknologji të re kontrolli të avancuar, element sigurie me prekje në sipërfaqen e kartës, element sigurie nëpërmjet shenjës së gishtave, element sigurie nëpërmjet verifikimit të fytyrës”.

Pra nuk kalojnë as pesë vjet nga pajisja e detyrueshme e qytetarëve me letërnjoftime elektronike, të pajisura me çip personal të dhënash, dhe pasaporta biometrike që edhe asokohe na u shitën si më të mirat e mundshme, shqiptarët do të duhet të pajisen me dokumente të reja identifikimi.

Por një gjë duhet ditur sa më parë: a do të jenë sërish të detyruar qytetarët të ndërrojnë dokumentet me të cilat janë pajisur (e vazhdojnë të pajisen) ndërkohë? Pyetja është e frikshme, qoftë për telashet që u hapen qytetarëve, qoftë për kostot e larta që u duhet të mbulojnë. Madje këto – telashet e kostot – duhen shumëfishuar për atë pjesë të madhe të popullsisë që jeton jashtë Shqipërisë.

Në këtë aspekt, ministri Saimir Tahiri ka siguruar: “Për të shmangur keqkuptimin, dokumentet aktuale janë e do jenë plotësisht të vlefshme”. Më tej ministri sqaron: “Në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dy elementët biometrikë do të jenë në fuqi. Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga janari i vitit tjetër, do kenë në dorë një ndër dokumentet më të sigurta në Europë. Por kjo nuk do të thotë se duhen rinovuar pasaportat aktuale që janë të vlefshme, pasi qytetarëve u janë marrë të dhënat (foto dhe gjurmë gishtash) kur kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta apo letërnjoftime ID, ndërsa nga janari 2015 ato bëhen aktive në sistem”.

Por është një kategori jo e vogël qytetarësh që në të vërtetë janë të detyruar të ribëjnë pasaportat biometrike. Bëhet fjalë për shtetasit shqiptarë të lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht për ata që kanë lindur në Greqi, në pasaportat e të cilëve toponimia e vendlindjes shkruhej vetëm në gjuhën shqipe edhe kur kjo ishte e huaj. Prej nëntorit edhe kjo gjë është korrigjuar: nëse një fëmijë ka lindur në Selanik apo qytet tjetër të Greqisë në fushën vendlindja të pasaportës shkruhet GRC dhe jo Selanik, Greqi.

Për një zgjidhje të tillë u ra dakord më 12 maj 2014, kur me një deklaratë të përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë thuhej që problemi të zgjidhet njëherë e mirë duke shkruar toponimet e huaja në bazë të “katalogëve zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO [International civil Aviation Organization]”.

Në takimin e ministrave u vu edhe një afat i fundit: 1 janari 2015. Kjo do të thotë që brenda kësaj date të gjithë ata që kanë këtë lloj gabimi në pasaportën e tyre duhet ta ndërrojnë brenda dhjetorit nëse duan të kalojnë kufirin grek nga 1 janari. E duke qenë se do të paguajnë sërish për dokumentin (për gabime që nuk vareshin prej tyre), edhe nëse nuk kanë ndërmend të lëvizin rreth asaj date, nëse mund të aplikojnë në Athinë apo Selanik për pasaportë, gjithsesi bëjnë mirë të aplikojnë brenda dhjetorit, për të mos vuajtur edhe rritjen e çmimit. 

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Arrestohet Bledar Pajana, “mbreti i kokainës” në Evropë

Irma Kurti sjell dy libra të rinj për lexuesit italianë