in

Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%

Vendimin e ka marrë mazhoranca e shkuar vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kur vendosi t’i shtyjë me 10 vjet kohëzgjatjen e marrëveshjes për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve

Romë, 31 korrik 2014 – Nga 1 janari 2015, në Shqipëri, kush do të kërkojë pasaportën biometrike do të nxjerrë nga xhepi jo 6.000 por 7.500 lekë, ndërsa për letërnjoftimin elektronik çmimi i ri do të jetë 1.500 lekë në vend të 1.200 lekëve që nevojiten sot. Rritja është plot 25%.

E nëse rritja në përqindje që do të aplikohet edhe kur dokumentet kërkohen jashtë Shqipërisë, do të jetë siç parashikohet nga 20% deri në 25%, kjo do të thotë se në vend të 108 eurove të tanishme, në Romë e Milano do të nevojiten 130-135 euro për pasaportën dhe 12-12,5 për letërnjoftimin, që sot është 10 euro.

E pra kush, akoma nuk është pajisur me këto dokumente, bën mirë t’i bëjë sa më shpejt. Madje emigrantët që dëshirojnë të kenë në xhep këto dokumente – veçanërisht ata që kanë një shtetësi tjetër e që e kanë shtyrë deri më sot pajisjen me këto dokumente shqiptare – është e këshillueshme të shfrytëzojnë ndonjë udhëtim të mundshëm në Shqipëri gjatë verës për t’u pajisur me to.

Rritja e çmimit të dokumenteve do të nisë vërtet më 1 janar, por kjo gjë është miratuar që vitin e shkuar, nga mazhoranca e mëparshme, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ka kaluar nën projektligjin “Për rafitikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitet it dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve” që është diskutuar në Komisioni për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” të Kuvendit më 16 prill 2013, më pas ka kaluar në seancë plenare dhe është miratuar më 25 prill 2013, së fundi është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 80 të 15 majit të të njëjtit vit. Mëkat që botohet vetëm:

“Neni 1
Ratifikohet kontrata për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”

e nuk gjendet gjëkundi teksti “që i bashkëlidhet këtij ligji” që duhet të shpjegojë se ç’përmban.

Për të mësuar se për çfarë flet ky ligj, nevojitet të shihet procesverbali i Kuvendit kur ligji është miratuar e aty kupton diçka (Seanca e ditës së enjte, 25 pril 2013, nga faqja 49 nis diskutimi për ligjin në fjalë).

Nga sa shihet në verbalin e seancës, rritja kohëzgjatjes së kontratës mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve, është debatuar fort në disa pika. Opozita e asaj kohe kontestonte miratimin e kësaj zgjatjeje të kontratës pikërisht javët e fundit para zgjedhjeve, gjë që shpjegohej nga mazhoranca si e domosdoshme për shkak se kontrata në fuqi skadonte më 25 korrik 2013.

Edhe çmimi i ri që do të kenë pasaportat nga 1 janari 2015 ishte një tjetër pikë e debatuar në Kuvend. Ministri i Brendshëm Flamur Noka justifikohej: “Për sa i përket problemit të çmimit dua të them se deri në vitin 2015 nuk ndryshon. Pra, do të ketë këtë teknologji dhe standard deri në vitin 2015. Në vitin 2015 do të ketë ndryshim të çmimit. – Dhe ja si e shpjegon ai arsyen e ngritjes së çmimit – Sepse në vitin 2015 ne do të mundësojmë që çipi të zmadhohet nga 72 kb, që është sot, do të bëhet 100 kb; do të pranojë të dhënat për bankën, për sigurimet shoqërore, për kujdesin shëndetësor dhe shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të mbajnë dosje letrash. Pra, kjo është një arritje e madhe e teknologjisë… Brenda çipit do të jetë edhe njohja e fytyrës. Pra, të gjitha këto kanë një kosto. Pra, në vitin 2015 kur të futen këto elemente do të ketë rritje të kostos dhe të çmimit”.

Asokohe në opozitë, deputeti Erion Braçe kërkonte të dinte kostot për kompaninë që prodhonte pasaportat, për të parë edhe fitimin që ajo kishte nga ky koncesion që qeveria Berisha i zgjati deri më 31 korrik 2023: “Pak më parë unë pyeta se cila është kostoja e prodhimit të kartës së identitetit dhe e pasaportës. Nuk mora asnjë përgjigje. Pyeta nisur nga problemi social që ka shpërndarja e kartave të identitetit dhe e pasaportave. Gjithashtu, pyeta edhe për një element tjetër: Cila është norma e fitimit e të gjithë këtyre kompanive, që ne po u japim shërbime ekskluzive dhe që përkundrejt të cilave qytetari shqiptar është i detyruar të shkojë ta marrë?”. Sepse që në fillim çmimet i dukeshin të kripura: “Që kur u nënshkrua kjo kontratë edhe për dokumentet aktuale të identifikimit, çmimi ishte i shtrenjtë. E kemi bërë këtë debat në sallën e Kuvendit dhe kemi pranuar se çmimi është rritur disa herë dhe është i shtrenjtë. Rritja e re e çmimit në 75 mijë lekë [shënim i redaksisë: flet me të vjetra] për pasaportën dhe 15 mijë lekë për kartën e identitetit, pra, 90 mijë lekë në total, e bën të papërballueshme. Mjafton t‟ju them se është e barabartë me dy muaj ndihmë ekonomike; mjafton t‟ju them se është e barabartë gati me një pension. Pra, pavarësisht se fillon nga 1 janari i vitit 2015, ai është i shtrenjtë. Nga ana tjetër, përfitimi i kompanisë nga ky koncesion është shumë i madh…”

Këto ishin fjalë pa bereqet, siç thotë populli. Ligji u miratua me 73 vota të mazhorancës së atëhershme dhe mbetet që nga 1 janari i ardhshëm do të jemi të detyruar të paguajmë më shtrenjtë dokumentet shqiptare të identitetit.

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shkarkohet ambasadori kosovar që etiketoi Berishën “psikopat”

Papa në Shqipëri. Mesha në sheshin Nënë Tereza