in

Pasaportat biometrike{br}Në Romë tërhiqen dokumentet e kërkuara javën e parë

Katër javë nga nisja e aplikimit për pasaportë në ambasadën e Shqipërisë në Romë dhe në Konsullatën e përgjithshme të Milanos. Në këto zyra ka nisur tashmë edhe dorëzimi i pasaportave ta gatshme të personave që kanë aplikuar javën e parë

Në zyrën konsullore të Romës thanë për shqiptariiitalise.com se procesi po ecën relativisht mirë. Numri i qytetarëve që aplikojnë është gjithnjë në rritje: nga 58 që ishin tre ditët e javës së parë, numri i aplikuesve ka arritur në 233 javën e shkuar. Gjatë katër javëve të para, në Romë  kanë aplikuar gjithsej 536 shqiptarë. Duke parë numrin gjithnjë në rritje të personave që aplikojnë për letërnjoftimin elektronik e pasaportën biometrike, për të programuar më mirë punën, për të mos pasur radhë të gjata, në zyrën konsullore këshillojnë shtetasit të prenotojnë ditën e aplikimit në numrin e vënë në dispozicion (këtu mund të shihni si prenotohet).

Për t’u siguruar të gjithëve një shërbim sa më të shpejtë, konsujt Shpresa Shahaj dhe Ervina Bendo theksojnë  që të gjithë duhet të mbajnë parasysh që mund të paraqiten në Ambasadë me tarifën e paguar: “Kemi vënë në dispozicion një kod IBAN tek i cili mund të bëhet derdhja e parave nga çdo bankë, jo vetëm në filialin pranë ambasadës. Kushdo që merr takim për të aplikuar mund të paguajë paratë (edhe të gjitha bashkë për vete e familjarët që do të pajisen me dokumente) përpara se të vijë. Mund ta bëjë nga banka e tij apo edhe nga shtëpia (me anë të një urdhër-xhirimi parash on line). Në këtë mënyrë shmang radhën e dyfishtë në Ambasadë dhe humbjen e kohës”.

Problemi që më shumë shqetëson mbetet ai i certifikatave për të miturit. Konsulli Bendo sqaron se shpesh ka keqkuptime për këtë dokument që nevojitet për dy procedura të ndryshme. “Kur fëmija i lindur në Itali nuk është regjistruar në Shqipëri pasaporta biometrike nuk mund të bëhet. Më parë ai duhet regjistruar në zyrën e gjendjes civile të familjes në Shqipëri. Në këtë rast nevojitet një akt lindjeje, certifikatë  që duhet të përmbajë edhe emrat e prindërve që para se të sillet tek ne duhet të jetë legalizuar në Prefekturën e qytetit ku merret dokumenti. Ky sillet tek ne, vuloset dhe u jepet prindërve që ta çojnë në Shqipëri. Ai dokument me vulën e komunës italiane, të prefekturës italiane dhe të zyrës konsullore shqiptare në Itali mbahet nga shteti shqiptar dhe mbi bazën e atij dokumenti bëhet regjistrimi i fëmijës në regjistrin elektronik të popullsisë. Vetëm pasi të jetë kryer ky akt fëmija mund të pajiset me pasaportë. Ndërsa kur prindi vjen me fëmijën që është i regjistruar në Shqipëri (gjë që ne e verifikojmë duke konsultuar regjistrin elektronik) duhet të ketë me vete një certifikatë familjare (stato di famiglia, nëse e merr në Itali) në mënyrë që të dëshmojë lidhjen mes të rriturit të të miturit. Këtë certifikatë ne e pranojmë pa  vulën e Prefekturës, dhe pa asnjë pullë-taksë”.

Ndërkaq kanë mbërritur dhe po shpërndahen pasaportat e personave që kanë aplikuar javën e parë. Këtu mund të shihni edhe listën e pasaportave të patërhequra ende nga të interesuarit, listë që do të gjeni gjithnjë të përditësuar në faqet internet të Ambasadës por edhe te shqiptariiitalise.com. Pikërisht për tërheqjen e dokumenteve, dy konsujt këshillojnë me forcë që para se të shkohet në Ambasadë është mirë të pyetet në numrin e celularit të vënë në dispozicion për informacione (0039)342.364.0798. “Pasaportat po përgatiten vërtet brenda tre javëve të parashikuara – shpjegojnë konsujt   – por mund të hasim vështirësi me sjelljen e tyre në Itali brenda afatit. Ndaj edhe u këshillojmë të gjithëve të informohen përpara se të marrin rrugën e të vijnë në Romë”.

Keti Biçoku

Lista e pasaportave të gatshme në Romë

Zgjedhjet e 8 majit raportohen në PE

Populizëm pa asnjë ide