Reduktohet çeku për të vejat e reja të të moshuarve kur martesa zgjat më pak se dhjetë vjet. Por vetëm nëse çifti nuk ka fëmijë
Romë 20 korrik 2011 – Dyshimet e moskushtetutshmërisë dhe akuzat e ksenofobisë nuk arritën të ndalojnë normën kundër nuseve badante, që tashmë është ligj. Ardhja në fuqi e manovrës financiare ka shkurtuar ndjeshëm pjesën e pensionit që i kalon bashkëshortes kur një person ndërron jetë, nëse diferenca në moshë mes tyre është e madhe dhe martesa ka zgjatur më pak se dhjetë vjet.
Qëllimi i qeverisë është mbrojtja e arkave të sigurimeve shoqërore shtetërore. Janë gjithnjë e më të shpeshta në Itali rastet e martesave mes të moshuarve dhe të rejave, shpesh kujdestaret (badanti) e tyre të huaja. Me vdekjen e bashkëshortit, INPS detyrohet t-i paguajë të vesë për dhjetëvjeçarë të tërë një pjesë të pensionit të tij.
Ndryshon gjithçka me rregullat e reja të ministrit ë Ekonomisë Tremonti. Këtej e tutje, nëse plaku (apo plaka) është martuar pasi ka mbushur të shtatëdhjetat dhe nusja (dhëndri) ka mbi 20 vjet më pak, dhe nëse i pari (e para) vdes para se çifti të festojë dhjetëvjetorin e martesës, pensioni i pas vdekjes do të reduktohet me 10% për çdo vit martese që i mungon numrit 10.
Le ta sqarojmë me një shembull. Silvio 75 vjeç, është martuar me Nicolen 43 vjeçare dhe pas dy vjetësh martesë ndërron jetë. Nëse me ligjin aktual Nicole do të kishte të drejtën e një pensioni pas-vdekjeje prej 1.000 eurosh në muaj, me modifikimin e ligjit sipas Tremontit ajo do të marrë vetëm 200 euro pension. Pra 80% më pak, përqindje që i shkurtohet pensionit për shkak se çiftit i kanë munguar 8 vjet për të festuar dhjetëvjetorin e martesës.
Dispozitat e reja do të jenë të vlefshme mbi pensionet e pas-vdekjes që nga 1 janari i vitit 2012. Parashikohet vetëm një rast kur kjo normë nuk do të aplikohet: në prani të bijve të mitur, studentë apo me aftësi të kufizuar.
Elvio Pasca