in

Për t’u arratisur nga e kaluara me Visar Zhitin përballë

Një shoqëri që nuk është në gjendje të vlerësojë pjesëtarët e saj e një shtet që nuk ka vullnetin t’i besojë meritës funksionet e tij, është e paracaktuar të mbetet gjithmonë e fundit në garën për mbijetesë në botën e sotme. Një administratë që largon nga radhët e saj njerëzit e përgatitur e të ndershëm, për t’i zëvendësuar me besnikët e partive që kanë pushtetin, nuk mund të ketë besueshmërinë dhe as rendimentin e duhur në punën e saj. Kjo praktikë, e cila është kthyer në metodë pune e të gjithë jetës politike e administrative të Shqipërisë paskomuniste, është treguesi më negativ, që së bashku me korrupsionin, paragjykojnë ashpër të ardhmen e saj.
Nga Eugjen Merlika

Para pak muajsh, në të përjavshmen MAPO që boton përgjigjet e pyetësorit të Prustit, nga personazhe të ndryshëm të jetës kulturore të Vendit, ishte radha e shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti. Më bëri shumë përshtypje një përgjigje e tij, pyetjes se çfarë i kishte mbetur peng në jetë, ai iu përgjigj me një fjalë të prerë: “arratisja”.

Termi në vetvete më ktheu shumë mbrapa në kohë, në vitet “e ndritura” të regjimit komunist kur shumë shqiptarë rrezikonin jetën e lirinë  e tyre dhe të familjeve të tyre, për të braktisur “parajsën” socialiste e për të kërkuar një tjetër jetë në “botën e kapitalit”.  Me këtë koncept lidheshin edhe dhjetra  fytyra bashkëvuajtësish, që ishin dënuar herë herë me 15 apo 20 vjet burg, qoftë vetëm për “bisedë arratisje”.

Nuk e di nëse i sillte nëpër mend fytyrat e tyre shkrimtari më prodhues e më cilësor i Panteonit të nëndheshëm, kur ka dhënë atë përgjigje, mbasi mendimi i tij atë çast nuk lidhej me atë kohë, por me një të mëvonëshme, atë të tjetërsimit të sistemit. Në këta më shumë se njëzet vite të pluralizmit demokratik, Visar Zhiti, në sajë të talentit e të punës së tij ngulmuese në fushën e krijimit, u bë shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare mbas diktatoriale, duke dhënë vepra të nivelit shumë të lartë artistik e, njëkohësisht, dëshmitë më besnike, krahas veprës së At Zef Pllumbit, të një realiteti të zi që njëjtësohej me një periudhë gati gjysëm shekullore të historisë sonë, me një vështrim disi të përqëndruar në dy dhjetëvjeçarët e fundit të saj.

Por veprimtaria e tij, në këta njëzet vjet kalese, nuk qe vetëm ajo e shkrimtarit e poetit të “rrugëve të ferrit” enverian për të e për shumë të tjerë. Ai qe deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe lajmëtari kulturor i Shqipërisë në rradhët e diplomacisë. Si ministër këshilltar në Romë dha një ndihmesë të çmuar në shpalosjen e vlerave të kulturës shqiptare në Vendin fqinjë. 15 vjet të shkuara, më 4 korrik 1999, një juri italiane ku bënin pjesë personalitete të kulturës italiane si Dacia Maraini, Gian Paolo Cresci, Elisabetta Granzotto apo Enzo Biagi i dha poetit Visar Zhiti  çmimin  ndërkombëtar “Kultura e detit” për poezi për triptikun e tij “Vetëvrasja e Atdheut”.  Ishte njëri nga episodet e vlerësimit ndërkombëtar të poetit në të cilin pata fatin të marr pjesë. Shkrimin që botova n’atë rast e titullova “Krenari dhe dhimbje”. Krenaria ishte e vetvetishme si bashkëqytetar e bashkëvuajtës i poetit që vlerësohej në Vendin simbol të poezisë e dhimbja shkaktohej nga fakti se ai, me urdhër të qeverisë socialiste që kishte fituar zgjedhjet, nuk do të ishte më përfaqësues i kulturës shqiptare në Romë.

Mbas pesëmbëdhjetë vitesh të atij transferimi, Visar Zhiti, që në fund të qeverisjes demokratike, pas largimit të LSI-së nga bashkëpunimi me Berishën, u emërua për pak muaj ministër i kulturës, sot përballohet me papunësinë. Do ta quaja një lluks të pashëmbullt të një shoqërie faktin që mund të lerë pa punë një njeri me një vlerë e një ndihmesë aq të madhe në jetën kulturore të kombit të tij. Burokracia e politika shqiptare mund të ndihen shumë të përkëdhelura nga fati që mund t’i lejojnë vetes vendime që nuk do të guxonte t’i merrte asnjë administratë në çdo Vend të botës.

Kur kompromisi i pushtetit PD – LSI, si pasojë e llogarive të së majtës u shkërmoq, nevoja për imazh politik e njerëzor e PD-së bëri që Visar Zhiti të emërohej Ministër i Kulturës. Zgjedhjet e 23 qershorit e arkivuan qeverisjen e demokratëve, bashkë me shkarkimin e përfaqësuesit më në zë të kulturës shqiptare në territorin e republikës. Logjika do të donte që ai të vazhdonte të bënte pjesë në organigramën e përherëshme të PD-së, si i vetmi ish i burgosur politik në nomenklaturën e saj të zyrtarëve të lartë. Për gabim llogarie apo për një projekt të sofistikuar llogaritës ish Ministri i Kulturës u caktua i trembëdhjeti në listën e mbyllur të PD-së për Tiranën. Udhëheqja e saj parapëlqeu të siguronte vendet në Kuvend për deputetët e PD-së, që nuk ishin në një mendjeje me kryetarin e tyre, se sa të kishte në ato vende shkrimtarin e mirënjohur. Përfundimi është ai i ditëve tona, kur Visar Zhiti është një i papunë i thjeshtë, i lënë mënjanë nga Shteti shqiptar, të cilin ai e kishte përfaqësuar me dinjitet në shumë salla të botës, n’atë fushë të veprimtarisë që është më e mangëta në historinë e në shoqërinë tonë, në atë të kulturës.

Qeveria e majtë, në shkulmin revolucionar të ndërrimit të administratës, nuk duhet ta trajtojë Visar Zhitin si një nëpunës të thjeshtë, pa marrë parasysh një detyrim ligjor, se me të drejtë atij i takon, së paku, të kthehet në atë vend pune që kishte para se të thirrej për të marrë detyrën e Ministrit të Kulturës. Shembujt e Çuk Hagelit apo Bernard Kushnerit, përkatësisht ministra te mbrojtjes e të punëve të jashtëme të SHBA-ës e të Francës, në kabinete kundërshtarësh politikë, duket se nuk i thonë asgjë politikës së majtë shqiptare. Mbase “oshëtima e të parëve” mbetet ende një ngasje e fuqishme. Kështu, si “për çudi”, Zhiti mbetet i vetmi ministër i qeverisë së fundit, në gjendje papunësie.

“Demokratura” i bën të paguajë faktin se ai “i theu” rregullat e kodit deontologjik të klasës drejtuese të Ramiz Alisë, që porosiste prerë se asnjë “ish armik” nuk duhet të kishte poste drejtuese në administratën demokratike të Shqipërisë “evropiane” e antare të NATO-s. Visar Zhiti është një nga shëmbujt e shumtë të zallamahisë shoqërore që kalon sot Shqipëria, ndoshta më emblematiku, sepse bëhet fjalë për një njeri, të cilit shoqëria, shteti, kultura kombëtare i detyrohen shumë për dobinë që kanë patur nga penda e tij. Ja sepse fjala “arratisje”, në pyetësorin e Prustit, merr nuanca e përmasa dramatike, jo vetëm për personin, por edhe për shoqërinë shqiptare. Ajo përkon me një dështim të asaj shoqërie në rrugën e përparimit, mbasi segmentë të fuqishëm të saj i kuptojnë ndryshimet ende me mendësinë e viteve 80-të, kur “reformat” mjaftoheshin me “tufëzat e arëzat” e kujtesës ramiziane e me caktimin e kandidaturave “pluraliste” nga organizatat që, zyrtarisht, quheshin leva të partisë.

 Problemi i vendosjes së  rregullave e i zbatimit të tyre mbetet i hapur edhe mbas njëqind vjetësh të shtetit të pavarur, edhe mbas një çerek shekulli të rrëzimit të “Murit të Berlinit”. Këto rregulla duhet të përcaktojnë prerë se administrata shtetërore mund të jetë funksion i ndryshueshëm i përfundimeve zgjedhore dhe i vullnetit të “sovranit” në nivele nga kryetarë degash në ministritë e lart. Për të tjerët, që janë shumica dërmuese e nëpunësve shtetërorë, asnjë qeveri nuk duhet të ketë kompetenca largimesh nga puna apo zëvendësimesh pa kriteret që përcaktohen me ligj e që duhet të jenë ata të meritës e të shtatit moral e juridik. Kështu krijohet shtylla kurrizore e shtetit, që duhet të jetë apolitike dhe e aftë nga ana profesionale, me njerëz të pregatitur e të ndershëm, e jo interpretues  të interesave të partive politike e puthadorë të shefave të tyre. Në këtë mënyrë politika nuk është e plotfuqishme kundrejt jetëve të qytetarëve dhe këta të fundit nuk do të jetonin me ankthin e mbijetesës sa herë bëhen zgjedhjet politike. Ky është parimi themelor i ndërtimit të shtetit demokratik që, për fat të keq, ne akoma nuk e kemi përvetësuar sepse mbetemi bij shpirtërorë të komunizmit.

Një shoqëri që nuk është në gjendje të vlerësojë pjesëtarët e saj e një shtet që nuk ka vullnetin t’i besojë meritës funksionet e tij, është e paracaktuar të mbetet gjithmonë e fundit në garën për mbijetesë në botën e sotme. Një administratë që largon nga radhët e saj njerëzit e përgatitur e të ndershëm, për t’i zëvendësuar me besnikët e partive që kanë pushtetin, nuk mund të ketë besueshmërinë dhe as rendimentin e duhur në punën e saj. Kjo praktikë, e cila është kthyer në metodë pune e të gjithë jetës politike e administrative të Shqipërisë paskomuniste, është treguesi më negativ, që së bashku me korrupsionin, paragjykojnë ashpër të ardhmen e saj.

Ku mund t’i varim shpresat se këto metoda të trashëguara, nuk do të jenë bashkudhëtare të përherëshme të rrugës sonë, kur edhe brezi i ri i të ashtuquajturve politikanë, nuk bën tjetër veçse t’i përsosë?

Deri kur shqiptarët do të evokojnë termin “arratisje” për të projektuar jetën e tyre e të fëmijëve të tyre?

Vlerat e Kombit, të hershme e të vona, nuk duhet të mbeten në errësirë e kundërvlerat, të shkuara e të sotme, të vihen në piedistal e të kenë privilegjin e sundimit. Pse ndodh dhe kështu?

Janë vetëm disa prej pyetjeve që më vijnë ndërmend, pa gjetur përgjigje, duke vrojtuar ngjarjet e përditshme të Vendit tonë.

 

Rekord në Verona. I tërheqin patentën që kish marrë vetëm para pesë orëve

Shtetësia italiane. Lega Renzit: “Kurrë ius soli, as të zbutur”