Calipari (PD): “Fjalë cinike dhe raciste”
“Tani që shiu ia doli mbanë aty ku dështoi kryebashkiaku Fassino, në zbrazjen e kampit abuziv të romëve në Lungo Stura Lazio të Torinos, uroj që komuna të marrë masat për identifikimin e të gjithë të parregulltve që jetonin aty”. Kështu ka komentuar parlamentari legist, Davide Cavallotto, një aspekt të dëmeve të përmbytjeve në qytetin e Torinos.
Fjalët e tij kanë ndezur menjëherë polemikën. Sipas Rosa Villecco Calipari, nënkryetare e deputetëve të PD-së, “vetëm cinizmi dhe racizmi mund të kenë frymëzuar fjalët e deputetit legist që i referohet efektit kundër-romë të shirave të fortë që këto ditë kanë shkaktuar shkatërrim e vdekje në mbarë Italinë”. “Të shkruash që ‘shiu ia doli mbanë atje ku kishte dështuar Fassino, pra në zbrazjen e kampit të romëve’, ndërkohë që akoma qahen viktimat në Genova e Napoli, na mbush me vrer” shton Calipari duke kërkuar që të mbahet qëndrim ndaj deklaratave të tilla.