in

Unë mësoj shqip – Fëmijët e Scanderbegut të Parmës në festë

Më 9 qershor shoqata Scanderbeg e Parmës festoi mbylljen e vitit shkollor. Këtë radhë me një pjesë teatrale të luajtur nga vetë vogëlushët e shkollës shqipe Scanderbeg, nën kujdesin e mësuesve dhe me mbështetjen e prindërve

Pranverë kapriçoze kjo e këtij viti, të tundojnë gjithmonë retë dhe ndjesia që po të prish një festë të detyron të flasësh me të për një mirëkuptim duke i treguar se e meritonte patjetër një rreze dielli një e diel speciale si ajo e 9 qershorit në Parma.

Ndoshta çuditeni me këtë hapje jo të zakonshme kronike veprimtarish, mos harroni ku janë fëmijët është edhe e veçanta, marrëveshja u bë si besa “Ne qenkemi vëllezër” dhe stina i largoi retë.

Sheshi “Pablo”, aty ku ndodhet shkolla është edhe skena e teatrit të vogël, mbledh amatorët ajo skenë. Në një ditë të ndryshme nga gjithë të tjerat, kumboi nga hareja në gjuhën shqipe. Nëse gjërat përsëriten bëhen të mërzitshme. Nuk ka qenë asnjëherë njësoj festa e fëmijëve, që Shoqata Scanderbeg Parma organizon menjëherë pas mbylljes së shkollës së gjuhës shqipe. Ndaj, asnjëherë nuk përsërit veten, përherë veçanti kënaqësie!

E kemi parë këtë në provat e shfaqjeve që për katër vite radhazi kanë shoqëruar nxënësit dhe mësuesit. E kemi parë në sytë e prindërve që kureshtarë sillnin fëmijët për çdo të shtunë në shkollë dhe pyesnin nëse po përgatiteshin mirë, nëse kishim nevojë për ndihmë dhe kështu mekanizmi logjik i gjërave fillonte të punonte me rritmin e bashkëpunimit që padyshim bën fuqinë.

E kështu ndodhi edhe për festimet e të dielës së fundit për vënien në skenë të pjesës “Ne qenkemi vëllezër”. Dikush qepi kostumet, dikush gjeti një shtambë antike, dikush sajoi skenografinë.

Zëri i mësuese Brunilda Hoxha Xhemo i la vendin atij të mësueses Elvira Lashi Lika dhe Anora Zuna, se shkolla jonë është një stafetë vullnetarizmi. Menjëherë më pas u hap ajo perdja magjike vishnje, e nisi spetakli i vërtetë me regji dhe skenar. Aktorët? Vetë nxënësit e shkollës Scanderbeg që prej javësh përgatiteshin për këtë ditë. Për një muaj rresht, siç ka ndodhur edhe në vitet e tjera, mësuesit nuk e panë më kalendarin por ishin të gjithë bashkë të orientonin fëmijët në këtë lojë artistike sa të bukur aq edhe të vështirë të interpretimit në shqip.

Orët ftuan publikun të zënë vend në sallë, heshtje, një montazh zërash pylli hapi skenën dhe ngjarja e dy ushtarëve me hajmalinë e nënës në qafë rrodhi si burimi ku mbushi ujë Vitoja e bukur.

Duartrokitje dhe përgëzime. Fëmijët tanë janë të mrekullueshëm, e dëshmoi kjo pjesë e shkurtër artistike sikurse e dëshmoi për një vit rresht në shi, dëborë, kohë të mirë apo të keqe, dëshira e tyre për të mos lënë për asnjë çast shkollën. E dëshmoi një fletushkë e bukur e shkruar në shqip, që nuk ka vlerë zyrtare si dëftesat shkollore që marrin fëmijët tanë në fund të çdo viti, por që u dha aq shumë gëzim sa padyshim do të mbetet një ndër ato çaste jete që kujtesa nuk do ta shuajë asnjëherë.

“Mësoj të flas bukur shqip – thotë Entiklea, – sepse është gjuha që më flet nëna”.

Anila Kadija

Elhaida Dani e Riccardo Cocciante, për dy ditë heronj në Shqipëri

La xenofobia non paga più. Chiedete ad Alemanno e a Gentilini…