Në Bolgare, të provincës së Bergamos, kryetari i komunës dhe këshilli komunal kanë vendosur të ngrenë në qiell çmimin e crtifikatës. “Kemi shpenzime të tepruara për kriminalitetin, është e drejtë që të paguajnë të huajt. Asnjë nuk i detyron të qëndrojnë”.
Romë, 27 shkurt 2014 – Certifikata e përshtashmërisë së strehimit, italisht “idoneità alloggiativa” është një prej atyre dokumenteve që u vështirësojnë jetën të huajve në Itali. Duhet ta kërkojnë në komunë, për shembull, të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë bashkimin familjar e të sjellin në Itai gruan e fëmijët, apo ata që kërkojnë kartën e qëndrimit.
Edhe pse Këshilli i Shtetit ka shpjeguar se është e paligjshme, disa Komuna e kërkojnë edhe për regjistrimin e të huajve në regjistrat e Gjendjes Civile. Si Bolgare, një fshat me rreth 6 mijë banorë, një mijë prej të cilëve janë imigrantë, e rreth 20 kilometra nga Bergamo. Kryetari i Bashkisë Luca Serughetti, të gjithë drejtorët e drejtorive të komunës dhe njëmbëdhjetë këshilltarë komunalë, nga gjashtëmbëdhjetë gjithsej, janë të Legës së Veriut.
Gjetja e fundit kësaj administrate legiste është një supertaksë mbi imigrantët. Një vendim i miratuar më 15 janar ka përditësuar koston për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit duke e çuar në 500 (po, po e lexuat saktë, pesëqind) euro. Dhe nuk është herë e parë që ngrenë këtë çmim që deri në vitin 2011 kushtonte 35 euro, që e njëjta administratë e kish ngritur në 150 euro.
Për të kuptuar sa e tepruar është, mjaft të mendosh që në Romë, një certifikatë e tillë kushton rreth 30 euro (17 herë më pak se në Bolgare). Apo që, po në komunën e Bolgares kush kërkon në zyrën teknike leje për të ndërtuar një apartament paguan vetëm 280 euro, diçka më shumë se gjysma e parave që duhet të nxjerrë i huaji nga xhepi vetëm për të pasur një copë letër që dëshmon se shtëpia ku banon është e përshtatshme për të jetuar ai e familja e tij.
Serughetti & Co kanë dashur t’u rëndojnë imigrantëve? Po, pa asnjë dyshim. Siç konfirmohet në vendimin e marrë. Mes premisave, në fakt, në dokumentin zyrtar citohen “disa episode mikrokriminaliteti e keqbërësish” të verifikuara muajt e fundit, që kanë detyruar personelin komunal të ndërmarrë “ndërhyrje, kontrolle dhe verifikime të kushtueshme”, që kanë kërkuar “forca”, “përdorim energjish fizike e mendore” dhe “ndërhyrje për sistemimin e pasurisë shtetërore të dëmtuar”.
Të gjitha janë gjëra që rëndojnë mbi arkat e komunës, me shpenzime që u ngarkohen në kurriz “të gjithë qytetarëve”. Por administrata komunle ka një ide gjeniale: “të kufizojë të paktën pjesërisht këtë barrë, duke konsideruar të drejtë t’ia ngarkojë pjesërisht individëve jokomunitarë që kërkojnë të regjistrohen në regjistrat e popullsisë së komunës, duke u kërkuar atyre si “të drejta sekretarie” t paguajnë shumën 500 euro për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit të nevojshme për regjistrimin e sipërpërmendur”.
A e kuptoni arsyetimin legist? Një keqbërës ka thyer stolin në park? Një tjetër ka bërë pis fasadën e një pallati? Ndonjë kriminel i panjohur ka shkulur një sinjal rrugor? Dëmin duhet ta paguajnë imigrantët e ndershëm. Dhe me qëndrim të rregullt, natyrisht, të tjerët nuk mund të kërkojnë certifikatën e përshtatshmërisë së strehimit.
Nuk nevojitet të jesh avokat i zoti për të kuptuar që vendimi i Komunës së Bolgares është mëse diskriminues dhe që me ankimimin e parë në gjykatë do të hidhet poshtë. Por vështirë që këta administratorë “mendjendritur” t’u kthejnë mbrapsht të huajve paratë që po u marrin padrejtësisht, e akoma më vështirë t’u paguajnë edhe dëmshpërblim për shqetësimin e krijuar.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Serughetti, ngazëllehet për idenë madhështore. Dhe shtypit lokal që e pyet duke hipotezuar se në këtë mënyrë imigrantët mund të largohen përgjigjet pa iu dridhur qerpiku: “Nuk detyrojmë asnjë të qëndrojë. Nuk jemi një qendër tregtare që duhet të krijojë kushtet më të mira për klientët e vet. Duam vetëm të garantojmë kushtet më të mira për qytetarët tanë”.
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)