Edhe pse i kërkuar nga drejtësia italiane që prej vitesh e ka dënuar me 40 vjet burg, Fatmir Kajolli në Shqipëri ishte i lirë dhe i njohur si biznesmen i fuqishëm me lidhje të forta politike deri dje. Për ministrin e Brendshëm Nishani, policia nuk e dinte që ky ishte person duhej kapur pasi ajo nuk zotëron listat e personave të shpallur në kërkim. Për prokurorinë “strukturat e Policisë së Shtetit mund të konsultohen në çdo kohë me këto lista dhe mund të veprojnë me iniciativën e tyre për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar”
Tiranë, 11 prill 2012 – Ministria e Brendshme dhe prokuroria janë përplasur në lidhje me arrestimin e Fatmir Kajollit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi dje se Policia e Shtetit nuk e disponon listën e personave të shpallur në kërkim, dhe se kjo listë ndodhet në Prokurori. Por, sipas prokurorisë, listën e zotëron pikërisht Interpoli, që është nën varësinë e Policisë së Shtetit. Sipas prokurorisë, ka qenë pikërisht policia që e ka lënë Kujollin të lirë gjatë kësaj periudhe.
“Lidhur me disa deklarime që kanë të bëjnë me çështjen e arrestimit të shtetasit Fatmir Kajolli, Prokuroria e Përgjithshme ndihet e detyruar t’i bëjë me dije opinionit publik, se shtetasi i sipërpërmendur është në listën e personave të shumëkërkuar ndërkombëtarë, pas vendimeve gjyqësore që ka marrë drejtësia italiane për vepra penale të kryera në këtë vend. Për sa më sipër, për të sqaruar edhe procedurën që ndiqet në këto raste, personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të çdo vendi. Zyra kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë, në lista të plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e personave në kërkim ndërkombëtar. Në bazë të kësaj praktike, strukturat e Policisë së Shtetit mund të konsultohen në çdo kohë me këto lista dhe mund të veprojnë me iniciativën e tyre për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, pasi kjo është në kompetencën e tyre të plotë. Në këto kushte, sqarojmë opinionin publik, se Prokuroria Shqiptare, nuk është institucioni të cilit autoritetet e huaja i komunikojnë listën e personave në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në një reagim të prokurorisë.