Deri më sot shkollat shqipe në emigrim janë krijuar me mbështetjen e shoqatave me numër të kufizuar nxënësish. Vështirësitë fizike për ndjekjen e tyre (largësia, mungesa e kohës), por edhe mungesa e fondeve, bëjnë që ato të mbyllen, të çelen sërish e kështu të përballen me vështirësi funksionimi. Në një pjesë të madhe ato hapen në mjedise të marra me qira, siç ka edhe shkolla që zhvillojnë aktivitetin në mjedise shkollore të vëna në dispozicion nga autoritet vendore. Përtej vullnetarizmit, kërkohet institucionalizimi i këtyre shkollave. Është e rëndësishme të hartohet një dokument politik që do të orientojë marrëdhënien e shtetit me këto shkolla.
Nga Ardian Tana*
Sipas të dhënave të përafërta mbi emigracionin shqiptar në botë, vlerësohet se 27,5% e popullsisë së përgjithshme ndodhet larg vendit amë. Vetëm në dy vendet fqinje, Greqi dhe Itali, jetojnë dhe punojnë rreth një milion e njëqind mijë shqiptarë. Përqendrime të mëdha ka edhe në mjaft vende të tjera, si: Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Austri, Zvicër, por edhe në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lista vjen e bëhet edhe më e gjatë. Duke marrë në konsideratë këto të dhëna, gjithkujt mendja i shkon te rëndësia e veçantë e këtij fenomeni. Në përpjekjen e vështirë për t’u integruar, emigrantët ndiejnë nevojën e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e tyre si një mundësi më e mirë për integrim, apo edhe riintegrim në rastin e kthimit në vendin e tyre (kthime këto të shtuara në numër kohët e fundit për shkak të rrethanave ekonomike, me të cilat ndeshen në vendet pritëse). Shpesh nxënësit humbasin vite të shkollimit për shkak të vështirësisë që kanë në lidhje me gjuhën, që u vështirëson përvetësimin edhe të lëndëve të tjera.
Duke i konsideruar si pjesë e rëndësishme e kombit, shtyllë mbështetëse për zhvillimin ekonomik për një kohë të gjatë pas viteve ’90, ruajtja dhe forcimi i lidhjeve me ta merr mjaft rëndësi. Nga largësia e 20 viteve emigracion, kuptohet se këto lidhje tentojnë të dobësohen. Janë të shumtë fëmijët shqiptarë që kanë shkuar në moshë fare të vogël, apo që kanë lindur në këto vende, pra po rritet brezi i dytë. Për këtë arsye, mësimi i gjuhës shqipe, historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë si dhe trashëgimisë kulturore konsiderohen si bazë e forcimit të identitetit kombëtar shqiptar.
Thënë kështu, shkollat shqipe të mësimit plotësues në diasporë kanë një vend kryesor në realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm kombëtar. Kanë qenë përpjekjet e vetë emigrantëve shqiptarë, të cilët të organizuar në shoqata, kanë mundësuar hapjen e këtyre shkollave dhe shembujt e mirë në këtë drejtim nuk mungojnë. Ato vijnë nga Italia, me shtrirje në rajone të ndryshme; Greqia, ku Lidhja e Mësuesve Shqiptarë me mbështetjen e emigrantëve shqiptarë ka mundësuar çeljen e shumë shkollave në zona të ndryshme, për të vazhduar me shembuj të tjerë nga Mbretëria e Bashkuar, Zvicra si dhe mjaft vende të Europës, por edhe në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Këto shkolla të mësimit plotësues, të cilat zhvillojnë mësim një apo dy herë në javë, kanë funksionuar deri më tash mbi baza vullnetare dhe gjej rastin të falënderoj drejtuesit e shoqatave të emigrantëve shqiptarë atje, mbështetësit e tyre, prindërit dhe fëmijët që kanë mbështetur këto nisma e në mënyrë të veçantë mësuesit, që me dëshirë e përkushtim kanë vënë në dispozicion dijet e aftësitë e tyre për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, historinë e gjeografinë e Shqipërisë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka mbështetur këto shkolla duke pajisur, sipas kërkesave të tyre, me numrin e nevojshëm të teksteve, si: Abetare, Gjuhë shqipe, apo edhe Histori e Shqipërisë. Nisur nga rëndësia e problemit, apo edhe detyrimi ligjor që gjen shprehje në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dokumente politike të miratuara deri më tash, si: Strategjia për Migracionin dhe Plani i Veprimit etj., janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. U hartua në vitin 2010 programi i integruar i mësimit shqip në diasporë, i cili synon të plotësojë shkollimin e fëmijëve shqiptarë në diasporë duke u ofruar një shkollim plotësues për shqipen dhe kulturën e vendit të origjinës. Linjat e programit janë tri:
1) Identiteti shqiptar;
2) Shqiptarët në hapësirë dhe në kohë;
3) Shoqëria dhe kultura.
Në mbështetje të tij u botuan tekstet unike për shkollat shqipe të mësimit plotësues në diasporë, të quajtura “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare” 1, 2 dhe 3, sipas grupmoshave në tri nivele mësimore: klasat I-III, IV-VI dhe VII-IX, me synimin që të plotësohet edhe me nivelin e lartë, klasat IX-XII. Prej vitit shkollor 2011-2012 këto tekste u janë shpërndarë shkollave falas, sipas kërkesave që janë bërë më herët prej tyre, praktikë që do të vazhdojë.
Kthyer në traditë, në fundmuajin korrik dhe fillimin e gushtit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, do të organizohet Seminari VIII Mbarëkombëtar me mësues të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Këto seminare mundësojnë trajnimin e mësuesve që japin mësim në SHSHMP (shkolla shqipe e mësimit plotësues) në diasporë, mundësojnë shkëmbimin e përvojave dhe kompetencave profesionale, krijojnë lidhje të reja komunikimi e bashkëpunimi mes pjesëmarrësve dhe institucioneve, sjellin qasje e refleksione të larmishme profesionale dhe vlerësohen mjaft prej pjesëmarrësve në to, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Europës, si: Greqia, Italia, Gjermania, Suedia etj. Gjetjet e seminareve të mëparshme kanë qenë mjaft të çmuara, por këtë vit marrin edhe më tepër rëndësi pasi pritet të merren vlerësimet lidhur me përdorimin për herë të parë të teksteve unike të mësimit të gjuhës amtare dhe kulturës shqiptare. Është ky një bashkëpunim i institucionalizuar mes dy ministrive, që vlerësohet mjaft prej mësuesve pjesëmarrës, të cilët japin mësim në këto shkolla.
Realizimi i botimit të Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë është një tjetër rast i vlerësueshëm bashkëpunimi, që do të mundësojë dhe lehtësojë mësimin e shqipes nga fëmijët shqiptarë në të gjitha territoret ku ata jetojnë.
Përtej këtyre arritjeve të vlerësueshme, duhen vënë në pah vështirësitë dhe problematikat me të cilat ndeshemi. Shqiptarët, si çdo emigracion në Itali, Greqi, Gjermani e gjetkë, janë të shpërndarë në mënyrë të rastit, sipas mundësive dhe për këtë arsye fëmijët e tyre nuk mund të jenë së bashku në një shkollë. Emigrantët vijnë nga vise të ndryshme (përfshirë këtu të gjitha trojet shqiptare), kanë migruar në kohë të ndryshme (diaspora e hershme dhe ajo e re), si dhe motive të ndryshme të migrimit. Të gjitha këto arsye, por edhe të tjera nuk lejojnë krijimin e shkollave të përqendruara. Shkollat krijohen me mbështetjen e shoqatave me numër të kufizuar nxënësish. Vështirësitë fizike për ndjekjen e tyre (largësia, mungesa e kohës), por edhe mungesa e fondeve, bëjnë që ato të mbyllen, të çelen sërish e kështu të përballen me vështirësi funksionimi. Në një pjesë të madhe ato hapen në mjedise të marra me qira, siç ka edhe shkolla që zhvillojnë aktivitetin në mjedise shkollore të vëna në dispozicion nga autoritet vendore. Përtej vullnetarizmit kërkohet, për vetë rëndësinë që bart, institucionalizimi i këtyre shkollave. Kjo do të thotë që Ministria Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me MASHT, Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës dhe institucione të tjera, të marrë një rol më të madh në këto shkolla, duke mos ndalur vetëm te pajisja me tekste, por duke orientuar më tej angazhimin e mësuesve profesionistë sipas profileve përkatëse, standardizimin e dokumentacionit në përfundim të vitit apo ciklit të shkollimit, duke ofruar, sigurisht, edhe mbështetje në këtë drejtim.
Është e rëndësishme të hartohet një dokument politik që do të orientojë marrëdhënien e shtetit me këto shkolla. Shkolla shqipe e mësimit plotësues në diasporë në praktikë është unike, kjo nxit bashkërendimin e politika shtetërore në mënyrë që MASH e Shqipërisë dhe MASHT e Kosovës dhe institucione të tjera të të dyja vendeve të hartojnë politika të përbashkëta dhe plane veprimi që mbështesin këto politika. Duke e konsideruar diasporën shqiptare si një të vetme, edhe shkollat shqipe të mësimit plotësues, por njëkohësisht dhe përpjekjet e shteteve tona duhet të jenë unike, për të krijuar një kohezion të arsimit shqip, pa përjashtuar këtu edhe bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe atë të Malit të Zi.
Përpjekjet për realizimin e marrëveshjeve ndërshtetërore për përfshirjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në shkollat e vendeve pritëse do të jenë një sfidë e rëndësishme për ne. Mundësimi i këtyre marrëveshjeve do t’i hovëzonte këto shkolla dhe, nga ana tjetër, do të ishte një sfidë edhe për mësimdhënësit, por edhe institucionet tona.
Të gjitha këto do të synojnë përfshirjen maksimale të sa më shumë nxënësve në këto shkolla, gjithsesi, jo të gjithë kanë mundësi të shkojnë në to për arsye nga më të ndryshmet. Në këtë rast duhet të jetë shkolla, mësimi që duhet të shkojë pranë nxënësit. Qasje me vlerë mbetet mësimi përmes televizionit. Është praktikë e njohur, por që sërish mbetet e çmuar, organizimi dhe përcjellja e mësimeve të realizuara nga mësues të përzgjedhur, përmes valëve të televizionit në shtëpitë e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në emigracion.
Ngjashëm me të, një tjetër mundësi është përcjellja e mësimit të gjuhës shqipe përmes internetit, i cili ka depërtuar anekënd botës dhe është mjaft i dashur e i përdorur veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë.
Ofrimi i sa më shumë alternativave nuk zbeh aspak rolin e pazëvendësueshëm të shkollës shqipe të mësimit plotësues. Institucionalizimi i marrëdhënieve të MASH me to mbetet një sfidë për të ardhmen. Duke ndërtuar “një hartë” të shpërndarjes së këtyre shkollave në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada, do të kemi mundësinë të identifikojmë problematikat dhe evidentojmë përvojat pozitive. Ka vende, si: Suedia, Austria, Kanadaja etj., që ofrojnë mbështetje shtetërore për mundësimin e veprimtarisë së këtyre shkollave. Vende të tjera ofrojnë lehtësi infrastrukturore. Përpjekjet duhet të shkojnë në drejtimin e shtimit të vendeve që e ofrojnë mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë, por edhe në mbështetjen që MASH duhet t’u japë këtyre shkollave duke përmbushur detyrimet e veta ligjore. Duke marrë në konsideratë kërkesat dhe sugjerimet e shkollave shqipe të mësimit plotësues në diasporë, duhet hartuar formati i dokumenteve të nevojshme shkollore, lidhje e vazhdueshme e këtyre shkollave me MASH dhe MASHT si dhe mbështetje financiare (format mund të gjenden), e cila do t’i konsolidonte këto shkolla, të cilat do të shkëputeshin në këtë rast nga vullnetarizmi dhe do t’i institucionalizonte ato. Objektiv i vlerësueshëm mbetet edhe ofrimi i mundësive të trajnimit online apo edhe sigurimi i teksteve për mësuesit e këtyre shkollave. Mbështetur në përvojën e suksesshme të Seminarit Mbarëkombëtar me mësuesit e SHSHMP në diasporë mund të realizohen në të ardhmen veprimtari për shkëmbimin e përvojave më të mira, Konferenca, të cilat do të gërshetojnë anën shkencore me informacionin, përvojat dhe mundësitë e reja për vitalizimin e mësimit shqip në diasporë.
*Autori është zëvendësministër i Arsimit dhe i Shkencës
Lexo edhe:
1 tetor, dita e parë e shkollës shqipe Scanderbeg në Parma
DEA hap shkollën shqipe në Cecina
Kurs shqipeje në Montegrotto Terme të Padovës