Kur kanë mbërritur në Prato janë hequr si kosovarë e kanë përfituar lejeqëndrim për motive humanitare e mbështetje ekonomike. Zbulohen rastësisht nga Kuestura se janë shqiptarë e paditen
Romë, 24 shkurt 2014 – Janë të shumta rastet e përfolura të shqiptarëve që nga fundi i viteve Nëntëdhjetë, kanë shkuar në Angli ku kanë përfituar dokumente qëndrimi e më pas nënshtetësinë duke u hequr si qytetarë kosovarë. Në Itali rastet e mashtrimeve ndaj shtetit kanë të bëjnë zakonisht me të moshuar që kanë përfituar padrejtësisht pension social. Së fundi një rast refugjatësh të rremë kosovarë zbulohet në Prato, për shkak të “pakujdesisë” së vetë shqiptarëve.
Mediat lokale të ditëve të fundit flasin për një çift shqiptar 47 vjeç e 38 vjeç të ardhur në Prato në fund të viteve ’90. Asokohe deklaruan se vinin nga Kosova që ishte në luftë e për këtë arsye fituan të drejtën e qëndrimit për mbrojtje ndërkombëtare dhe mbështetje ekonomike si refugjatë.
Por në fund të vitit të shkuar çifti kërkoi të përditësonte kartën e qëndrimit dhe të bënte kartën e re për të bijën që ndërkohë ka mbushur 14 vjeç. E si dokument të tyrin paraqesin pasaportat e lëshuara nga autoritetet shqiptare. Po nuk ishit kosovarë? Duhet të ketë qenë pyetja që duhet t’u kenë drejtuar në Kuesturë.
Në të vërtetë janë të dy shqiptarë, që për rrjedhojë jo vetëm kanë përfituar të drejtën e qëndrimit dhe mbështetje ekonomike që nuk u takon por edhe kanë dhënë deklarata të rreme para nëpunësve të shtetit.
Janë paditur në gjykatë dhe jo vetëm mund t’u hiqet e drejta e qëndrimit, por mund t’u kërkohet të kthejnë mbrapsht paratë e përfituara padrejtësisht.