in

Premtimet e shtetit shqiptar dhe emigrantët

Emigrantët mbeten jetimët e Shqipërisë, me gjithë premtimet e deklaratat që u bëjnë krerët e vendit

Romë, 20 shtator 2012 – Në njëzet e shkuar vjet emigrim, shqiptarët jashtë atdheut kanë ndeshur shpesh në indiferencën e shtetit, janë ndier të pambrojtur, të mënjanuar prej tij. Edhe pse numri i shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë është rritur vazhdimisht, madje është vendi me përqindjen më të lartë të qytetarëve të tij që jetojnë në emigracion, asnjë qeveri deri më sot nuk ka formuluar politika të posaçme për emigrantët. Në Shqipëri nuk është ngritur as një zyrë e posaçme për regjistrimin e atyre që nuk jetojnë në vend (diçka të ngjashme me atë që në Itali, për shembull, quhet  ‘anagrafe per gli italiani residenti all’estero’), as nuk është përpiluar një statistikë mbi ata që kanë lënë vendin. Praktikisht asnjë organizëm qeveritar (Instat, ministria e Jashtme, ministria e Brendshme nga e cila varen zyrat e gjendjes civile) nuk di të thotë me saktësi sa qytetarë jetojnë jashtë e ku janë ata. Zakonisht për këtë gjë merren në konsideratë të dhënat zyrtare të vendeve ku shqiptarët emigrojnë (kështu për shembull, në Itali, sipas të dhënave të ISTAT, më 1 janar 2012 numërohen 491.495 shqiptarë me qëndrim të rregullt, ndërsa Shqipëria nuk di të thotë sa emigrantë ka). E kjo mangësi bën që të mos ketë shifra të sakta në shkallë kombëtare as mbi të kthyerit, për të cilët sot flitet shumë.

E megjithatë gjatë kësaj periudhe emigrantët gjithnjë e më shpesh kanë dëgjuar deklaratat e premtimet e krerëve të qeverive apo të shtetit mbi “vëmendjen” e veçantë që u kushtojnë apo do t’u kushtojnë.

Më 19 shtator presidenti i republikës, Nishani, gjatë një takimi të mbajtur në Bruksel u premton emigrantëve: “Shteti e ka për detyrë që të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për emigrantët. Ajo që unë do të bëj është që do t’ia transmetoj menjëherë qeverisë, shqetësimet tuaja”.

Emigracioni e jep aq kontribut për Shqipërinë sa që një e treta e popullit shqiptar me banim jashtë atdheut ta ketë një ministri”, i propozon një emigrant presidentit, por ky i përgjigjet se edhe psenuk kemi një ministri, ekziston“një institut, një drejtori të posaçme pranë Ministrisë së Jashtme, pra departament të posaçëm, i cili merret tërësisht me çështjet e diasporës”, por pranon se“ky institucion, ne kemi nevojë ta kemi më dinamik”.

Veç një muaj më parë, më 21 gusht, edhe kryeministri Berisha priti në Tiranë një grup emigrantësh të Greqisë. Edhe ai u deklaroi se “qeveria shqiptare ruan në përparësitë kryesor të axhendës së saj marrëdhëniet me vendet, ku jetojnë dhe punojnë emigrantë shqiptarë, përkujdesjen për adresimin e problematikave që ata hasin, në shërbim të përmirësimit të mëtejshëm të kushteve të jetesës së tyre, por edhe në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të vlerave e identitetit kombëtar, gjuhës e traditave të larta të vendit e kombit tonë. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ndodhet në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e vendeve fqinje, Greqisë, Italisë, por edhe të vendeve të tjera dhe në një frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi po punohet për të adresuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aspektet sociale si pensionet, arsimi, hapja e qendrave kulturore etj” dhe u premtoi “qëndrimin e palëkundur të tij, të qeverisë shqiptare e të Partisë Demokratike që emigrantëve shqiptarë t’u garantohen  kushtet e nevojshme si për pjesëmarrjen në jetën politike në Shqipëri, ashtu edhe për ushtrimin e të drejtës së votës në vendet ku ata jetojnë”.

Veçse “vëmendja” e qeverive shqiptare ndaj emigrantëve, duket se nuk arrin deri në vendet ku ata jetojnë.

Me gjithë sigurimet e premtimet e Berishës apo të Nishanit, emigrantët edhe sot e kësaj dite, edhe pse përfaqësojnë mbi një të tretën e popullsisë, praktikisht e kanë të pamundur të votojnë. Të drejtën emigrantët e kanë në letër, janë të regjistruar në listat e zgjedhësve por asnjëherë nuk është bërë një përpjekje serioze për të mundësuar votimin e tyre në vendet ku jetojnë. Është absurde që dikush të mendojë se shqiptarët mund të shkojnë në masë në Shqipëri ditën e votimit.

Emigrantët edhe sot e kësaj dite, as në Greqi e Itali ku janë më shumë se një milion, nuk mund të mbledhin vitet e punës që kanë në Shqipëri e në këto vende për të drejtën e pensionit.

Akoma sot në emigrim nuk ka një institut kulture shqiptare apo shtëpi shqiptarësh, me gjithë premtimet e bëra deri më sot nga çdo ministër i Jashtëm, Ambasador apo President.

Edhe sot, nëse ka ndonjë kurs të gjuhës shqipe, kjo ndodh vetëm falë vullnetit të mirë e përpjekjeve të shoqatave, por kjo praktikë mbetet në nivel diletantësh dhe e lokalizuar, pa asnjë organizim apo kontroll.

Mbeten gjithnjë problematike marrëdhëniet me ambasadat e konsullatat shqiptare. Rasti i fundit, ai i pajisjes me pasaporta i shtetasve shqiptarë në Itali e Greqi: veç çmimit thuajse tre herë më të lartë se në Shqipëri, ka qytetarë që janë të detyruar të paguajnë edhe taksa shtesë të vëna në mënyrë abuzive nga konsullata (ajo e Milanos për shembull). “Do të marrim masa që të gjithë shqiptarët të mos paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga ç’parashikon ligji” premtonte në mars ministri i jashtëm i asokohe, Haxhinasto, por nuk bëri asgjë as ai e as Panariti që e zëvendëson sot. Për të mos thënë që problemi i pasaportave të reja biometrike ishte një problem i ngritur drejtpërdrejt nga qeveria shqiptare: është e pakuptueshme pse duhet të nxirreshin nga qarkullimi para kohe pasaportat e vlefshme, duke u hapur kështu telashe qindra mijëra qytetarëve që jetojnë jashtë kufijve të vendit. Të drejtën e lëvizjes në Europë, emigrantët shqiptarë e kishin fituar para se Shqipëria të gëzonte liberalizimin e vizave, ndaj për pasaportën biometrike nuk kishin asnjë ngut kur t’u skadonte e vjetra do të pajiseshin me të renë (për më tepër, kush dëshironte të kishte patjetër të renë le ta bënte).

E pra, “vëmendjen e qeverisë ndaj tyre” emigrantët e kanë të vështirë ta kuptojnë se ku qëndron. Fakt është që ata mbeten aksionerë të fuqishëm ekonomikë të Shqipërisë por pa të drejtë vote.

Shqiptari i Italisë

Emigrantët presidentit Nishani: “Ngrini një ministri për emigracionin”

Terni. Marrin pension social pa pasur të drejtë, paditen 15 vetë