in

Premtonin martesa me italianë dhe i detyronin të bëheshin prostituta

Policia e Torinos arreston katër vetë. Viktimat, gra shqiptare

Torino 7 korrik 2011 – Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, agjentët e policisë së Torinos kanë arrestuar katër vetë të akuzuar se organizonin martesa të rreme mes burrash italianë dhe grash shqiptare për t’i detyruar këto të fundit sapo vinin në Itali të bëheshin prostituta.

Të arrestuarit, të cilëve nuk u bëhen të ditur emrat janë tre shqiptarë me moshë 36, 40 dhe 52 vjeç dhe një palermitan me banim në Torino 44 vjeç.

Hetimet kanë nisur në mars të vitit 2010 në komisariatin Barriera Milano të Torinos kur një vajzë shqiptare u paraqit për të treguar historinë e saj e për të shpëtuar nga shfrytëzuesit e saj. Policia verifikoi më pas që viktima kishte ardhur në Itali për t’u martuar me një shtetas italian. Martesa e ndërmjetësuar nga ata që më pas do të ktheheshin në xhelatët e saj i kishte lejuar të qëndronte rregullisht në Itali. Me të ardhur në Itali, ata që i kishin gjetur burrin italian e kishin detyruar të bëhej prostitutë edhe duke e rrahur e kërcënuar.  

Gjatë hetimeve agjentët zbuluan se organizata kriminale e niste me rekrutimin e dhëndurëve të ardhshëm, merrej me organizimin e martesës dhe gjente edhe apartamentin ku çifti do të kishte rezidencën. Më pas gratë shqiptare në një mënyrë apo një tjetër nxirreshin në rrugë. Nëse ndonjëra kundërshtonte, kalohej edhe në kërcënime e keqtrajtime.

Katër personat akuzohen për keqtrajtime, favorizim të imigracionit klandestin, të prostitucionit dhe për deklarata të rreme ndaj zyrtarëve të shtetit.

Policia vazhdon hetimet për të verifikuar nëse, përveç tyre, ka edhe përgjegjës të tjerë.

Futboll, Seria A: Dy lojtarë jokomunitarë për skuadër

Të vish në Itali kushton më shtrenjtë