in

Presidenti Nishani nderon komandantin Giovanni Cosini me medaljen “Për merita të veçanta civile”

Më 30 mars komandonte anijen turistike Costa Voyager që u shpëtoi jetën dy peshkatarëve shqiptarë në në ujërat e Adriatikut

Tiranë, 4 shtator 2013 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekoroi sot Giovanni Cosini me Titullin e Nderit “Për merita të veçanta civile” me motivacion “Për ndjenjë të lartë solidariteti dhe humanizmi”.

Kapiten Giovanni Cosini është Komandanti i anijes turistike “Costa Voyager”, që më 30 mars u shpëtoi jetën dy qytetarëve shqiptarë, të cilët rrezikonin të mbyteshin në det në muajin mars të këtij viti.

Duke vlerësuar dimensionin njerëzor që paraqesin akte të tilla të kryera përgjatë përmbushjes së detyrës, Presidenti Nishani u shpreh se “për të afërmit dhe miqtë e një njeriu, jeta e mikut, e një familjari, është padyshim një vlerë shumë e çmuar. Por, për një shoqëri të tërë akti humanitar është një vlerë, e cila i jep dimension vetë qenies njerëzore. Ndoshta nuk është rastësi që jeta e dy qytetarëve shqiptarë u shpëtua pikërisht nga një kapiten, qytetar i një vendi mik, me të cilin na bashkon një det, me të cilin na bashkon një miqësi, një vend i cili gjatë dy dekadave të fundit e ka ndihmuar dhe ka qenë aq pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Duke shprehur falënderimin dhe duke premtuar se do ta mbajë në uniformë gjatë gjithë jetës Titullin e Nderit, që iu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, kapiten Giovanni Cosini theksoi se shpëtimi i jetës të dy shtetasve shqiptarë u bë i mundur nga i gjithë ekuipazhi i anijes “Costa Voyager”, duke respektuar atë parim që jeta e njeriut është më e çmuara dhe kapërcen çdo lloj norme dhe ligji ndërkombëtar”.
“Shpëtimi i këtyre jetëve ka bërë të mundur të forcojë më tej këtë ndjenjë vëllazërie dhe miqësie mes nesh, sepse deti nuk është një kufi natyror që na ndan, por thjesht është një hapësirë që na bashkon më tej”, u shpreh Kapiten Cosini.

Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe Ambasadori i Italisë në në Tiranë, Massimo Gaiani. (ATSH)

Asnjë gjurmë nga gomonia me 27 persona në bord. Vazhdojnë kërkimet

La violenza non è potere