in

Presidenti Nishani: “Votoni. Bëjeni për Shqipërinë e të ardhmen e saj”

Presidenti u ka drejtuar një thirrje shqiptarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar

Tiranë, 22 qershor 2013 – “Të votosh, provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh Lirinë për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Një ditë para zgjedhjeve parlamentare, Kreu i Shtetit iu drejtua me një mesazh të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke i ftuar ata të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Nesër do të votojmë, do të kryejmë aktin më të natyrshëm në një shoqëri të lirë, që është veprimi politik, qytetar, shoqëror, më i rëndësishëm, që përmban në vetvete thelbin e Demokracisë. Si e tillë, kjo ditë dhe ky akt, kërkojnë prej të gjithëve ne, përqendrim, seriozitet, përgjegjshmëri për gjithçka që ka lidhje me këto votime”, deklaroi Nishani.

Ai theksoi se të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë.

“Të mos harrojmë për asnjë çast rëndësinë e jashtëzakonshme që ka dita e nesërme lidhur me punët, problemet, perspektivat e brendshme”, shprehet Presidenti, duke shtuar se “të vlerësojmë si duhet rëndësinë që votimet e nesërme kanë lidhur me marrëdhëniet tejet të rëndësishme të vendit me botën, me të cilat liria, begatia, fatet tona të tashme dhe të ardhshme janë ngushtësisht të lidhura”.

“Të bëjmë kujdes për një sjellje sa më qytetare gjatë ditës së votimit. Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon”, nënvizoi ai. Nishani shtoi se duhet “të kuptojmë si duhet gjënë kryesore, se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një”.

Së fundi, pasi kërkoi një vëmendje të veçantë ndaj më të rinjve, “të mundësojmë sa më tepër të rinj të votojnë, posaçërisht ata që votojnë për herë të parë, që dita e nesërme të jetë një ditë e bukur”, e mbylli duke u uruar të gjithë shqiptarëve “Votim të mbarë”

Shqipëria drejt zgjedhjeve{br}Zgjedhësit në mërgim

Sot heshtje, nesër zgjedhjet